“Kurti me veturë prej 500 mijë eurosh”, reagon zëdhënësi i VV-së, sqaron të vërtetën
Zëdhënësi i VV-së, Arlind Manxhuka, ka reaguar ndaj një lajmi që qarkulloi sot, sipas të cilit Kryeministri Albin Kurti përdor një veturë të re në vlerë prej 500 mijë eurosh.
Manxhuka e quajti lajmin “të rremë” dhe theksoi se çmimi i përmendur është shumë larg realitetit.
Ai shtoi se kjo lloj logjike, sipas së cilës asetet publike supozohet të kthehen lehtësisht në private, i përket një kohe të kaluar.
Ai sqaroi se automjetet që u përmendën janë në pronësi të shtetit dhe përdoren nga Policia e Kosovës në funksion të detyrës së saj
Postim i plotë:
Sot pashë një lajm kinse për veturë të re të Kryeministrit Kurti në vlerë prej 500 mijë eurosh. Përveçse lajm i rremë, as çmimi nuk qëndron, madje është shumë larg. Kjo logjikë, sipas së cilës asetet publike kthehen lehtësisht në private, i përket një kohe të kaluar.
Për sqarim, çdo zyrtar publik, nga krerët e shtetit e tutje, ka në shërbim asetet zyrtare në funksion të kryerjes së detyrave zyrtare. Çdo aset i blerë nga buxheti i shtetit i takon shtetit.
Automjetet e përmendura janë asete shtetërore në funksion të Policisë së Kosovës. Nëse është ndryshe dhe këtë e dinë vetëm ata, le të na tregojnë.
