OPINIONTË FUNDIT

Pse opozita nuk propozon fare ide përmirësuese për Byronë apo Zyrën për Justifikimin e Pasurisë, por shumica janë sjellë si të tërbuar?

Çfarë sjelljeje arrogante nga disa deputetë analfabetë, të cilëve as bagëtinë nuk do t’ua lija në mbikëqyrje: në mëngjes do t’ua dorëzoje, ndërsa në mbrëmje mezi do të kthenin gjysmën në stallë.

Ku përdoret një gjuhë e tillë, me ato shprehje, si dje më 03.04.2026 në mbledhjen e Kuvendit të shtetit tonë, Kosovë Dardani? Një gjuhë primitive, rurale dhe imorale.

Imoraliteti nuk ka të bëjë vetëm me dashurinë si një ndjenjë e thellë, jo vetëm për bashkëjetesë dhe ndjenjë ngrohtësie e intimiteti, por edhe si një lidhje e bashkimit njerëzor. Njëkohësisht, ajo është edhe një ndjenjë kalimtare që, me vetëdije, sjell në jetë aftësi dhe angazhim, pavarësisht nëse është apo jo ndjenjë intime.

Unë personalisht mendoj se do të ishte e drejtë dhe morale që transmetime të tilla në kanalet televizive, pa marrë parasysh cilin kanal, të shoqërohen me shenjën e klasifikimit të moshës, për të treguar se për kë janë të përshtatshme, sidomos kur në to paraqiten persona të pakulturuar që paguhen nga djersa e popullit (shumicës së varfër) të vendlindjes sonë — si në rastin e djeshëm në mbledhjen e Kuvendit të Kosovës, veçanërisht kur diskutohet për pasurinë e pajustifikuar.

Me këtë rast shtrohen disa pyetje:

Pse ka kaq shumë sharje dhe fyerje?
Pse ka kaq shumë revoltë nga opozita?

Pse shumë prej tyre reagojnë sipas motos:
“Kush e ka mizën nën kapuç, i djeg”?

Ose sipas reagimeve të ngjashme me armiqtë tanë, që ende sot veprojnë sipas thënies:
“Sulmi është mbrojtja më e mirë”?

Pse nuk ka asnjë propozim reformash adekuate që do ta sfidonin Qeverinë?
Pse në vend të bashkëpunimit ka vetëm kundërshtim?

Dhe të gjitha këto “pse”-ra më kthehen në një “sepse” të thjeshtë:
Sepse disa deputetë nga opozita nuk kanë aspak empati politike. Pikë.

Sepse e kanë të vështirë të ndahen nga pasuria e fituar në mënyrë të padrejtë, duke e shfrytëzuar periudhën e luftës si alibi dhe si “gradë merite”, të mbushur me mendjemadhësi dhe imponim ndaj të tjerëve.

Sepse lufta nuk ishte zgjedhje komode: njeriu ose merrte armën dhe luftonte, ose rrezikonte të zhdukej nga forcat fashiste çetnike serbe. Por kjo nuk justifikon keqpërdorimin e lirisë së fituar me sakrifica të mëdha për përfitime personale dhe reklamim të vazhdueshëm.

Deklarimet e pafundme si:
“Unë kam luftuar, unë kam qenë në UÇK, unë, unë, vetëm unë”
e kanë lodhur popullin tonë.

Ndërkohë, prapa shpine, duke zbrazur arkën shtetërore dhe bankat — shpesh në bashkëpunim me faktorë të jashtëm — me miliona e miliona.

Dje, në mbledhjen e Kuvendit të Republikës sonë, u pa qartë ndërgjegjja e disa përfaqësuesve të opozitës.

U dëshmua hapur se këta persona nuk janë adekuatë për postet që mbajnë dhe se përbëjnë rrezik për vendlindjen tonë. Siç thotë një fjalë e urtë gjermane:
“Die richtige Zeit, der richtige Ort, der richtige Mensch” —
“Koha e duhur, vendi i duhur, njeriu i duhur”.

Ata që dje u zgërdhaten pa asnjë ndjenjë përgjegjësie, pa asnjë pikë reflektimi, nuk i shërbejnë vendit tonë me sinqeritet.

P.S.
Ju lutem, një gjuhë e tillë si ajo e djeshmja të mos përdoret në oda burrash. Të kemi kujdes dhe respekt për të gjithë, përfshirë edhe moshat e reja.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *