TË FUNDIT

25 vite nga rënia heroike e Jasharajve, Besarta: Nuk e dija që ajo ishte nata e fundit

5 Marsi i këtij viti shënon 25-vjetorin e nisjes së sulmeve serbe ndaj kullës së Jasharajve.

Pushka e fundit u shëua më 7 Mars, ndërsa Adem Jashari ra heroikisht së bashku me familjen me 58 anëtarë, përfshirë edhe fëmijët. E mbijetuara e vetme e atyre tri ditëve ishte Besarta Jashari, e bija e Hamzë Jasharit.

“Një ditë para betejës së lavdishme, ishte çdo gjë zakonshme në jetën time… nuk e dija që ajo natë do të ndryshonte çdo gjë – ndoshta ishte më mire, sepse në vend se ta përqafoja përfundimisht nënën Feride e babën Hamëz dhe krejt familjarët e mi, unë si zakonisht me fëmijët e familjes shkuam në dhomën e gjumit për të fjetur si çdo natë tjetër.

Nuk e dija… Sinqerisht, nuk e dija që ajo ishte nata e fundit që do të luaja me Blerinën e vogël, nuk e dija që ajo ishte nata e fundit që nëna Feride do më puthte ballin para gjumit.

Nuk e dija, se isha fëmijë. E lindur dhe e rritur në kullën e mësuesit të parë shqiptar në atë anë, më kishte krijuar bindjen se përpjekja e babës Shaban, babushit Hamëz dhe balit Adem për çlirimin e vendit ishte veçse obligim. Ne si fëmijë të Familjes Jashari, ishim mësuar ti shohim burrat tonë të armatosur dhe të përndjekur, ishim mësuar edhe me represionin e pushtetit të atëhershëm serb mbi shqiptarët e asaj ane – me theks të veçantë mbi familjen tonë. Për këtë na kishte fol babushi e bali Adem, se pushtuesi duhet të largohet nga vendi jonë – për çdo çmim, ndërsa baba Shaban na tregonte historitë që ishin frymëzim për kombin. Andaj besoj që ne të gjithë fëmijët e Jasharëve ishim të përgatitur për betejën që po na priste.Por, nuk e dija që mizoria e pushtuesit serb nuk do të kursente asgjë.

Para agimit, u zgjuam nga zhurmët e makinerisë së pushtuesit serb që kishin rrethuar kullën e babës Shaban, edhe atëherë nuk e dija se çfarë po na priste. Derisa nëna më porositi të marr dru për zjarrë, takova babushin i cili pranë odës ishte duke tymosur duhan me armë në brez e në krah – si asnjë herë më parë ndjeva dashurinë për babushin, si asnjë herë më parë pash bukurinë e tij. E pyeta: “Babush, çka po bohet? Çka është kjo zhurmë?” I buzëqeshur më tha: “Kurgjo, qika jem. Po nihen dikun shkijet, po nuk jon tu ardh te na”.

Nuk e di pse, sa herë që fliste babushi ma qetësonte shpirtin. Ajo ishte hera e fundit që e pash të gjallë, por zërin ia kam dëgjuar deri në rënien e tij – duke kënduar këngën e mëmëdheut. Krahas babushit, e këndova edhe vet… E këndoj edhe sot, kënga që përbën mesazh për bashkëluftëtar, mesazh për bashkim, mesazh për obligimin që kemi para shqiponjës. Nuk zgjati edhe shumë, zhurma e makinerisë së forcave serbe po afrohej, që në mëngjes po dëgjohej larg.

Natyrshëm u mobilizuam të gjithë anëtarët e familjes, këngës së babushit iu përgjigjëm me rradhë…

Betejës që u bë shkëndi e luftës çlirimtare, po i afrohej fundi… epilogu ishte i rëndë dhe i dhimbshëm për mua – babushi që me tha: “Kurgjo, qika jem” nuk e kishte pas njëmend, as nëna që më shtrëngonte e më thoshte ‘Mos u tut, qika jem” nuk e kishte pas njëmend…

Njëmend, paska qenë vendosmëria e familjes time për çlirimin e atëdheut. E gjitha që kishte ndodhë në betejën e familjes Jashari, është në zemrën dhe mendjen time… do të mundohem që këtë përjetim dhe ngjarje ta ndajë me kombin tim – atëherë kur mundem”, shkruante Besarta në kujtimet e saj për ngjarjen.

Në 25 vjetorin e rënisë heroike të komandatit legjendar, Adem Jashari dhe dëshmorëve të tjerë, Qeveria e Kosovës ka parashikuar manifestim të njohur si “Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Qeveria e Kosovës më 5, 6 dhe 7 mars do të organizojë manifestimin gjithëpopullor “Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ndërsa në Kazermën “Adem Jashari”, në Prishtinë, duke nisur nga ora 12:00 do të zhvillohet ceremonia e rreshtimit të kuadrateve të FSK-së. Ndërkohë, nesër do të vazhdojnë homazhet në Prekaz si dhe Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë solemne. Ndërkohë në ditën e tretë, më 7 mars do të zhvillohet nata e zjarreve në Prekaz./Opinion.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *