“Autokratët nën presion, Kos ua prish planin e fshehtë” – publicisti zbërthen skemën e Ramës dhe Vuçiqit
Ditë më parë, Komisionerja e BE-së për Zgjerim, Marta Kos hodhi poshtë propozimin e Aleksandar Vuçiqit dhe Edi Ramës, të cilët bënë thirrje për përshpejtimin e integrimit të vendeve kandidate në tregun e përbashkët të BE-së dhe në hapësirën Shengen, pa marrë të drejtën e vetos.
Konkretisht, komisionerja e BE-së për zgjerim, Marta Kos, ka deklaruar se nuk është e sigurt nëse Aleksandar Vuçiqi dhe Edi Rama e dinë se sa duhet të arrijnë nëse duan të jenë pjesë e Shengenit.
“Nuk jam e sigurt nëse Vuçiqi dhe Rama e dinë sa duhet të arrijnë nëse duan të jenë pjesë e Shengenit apo të tregut të përbashkët dhe se procesi i reformave është i vështirë si për integrimin ekonomik, ashtu edhe për anëtarësimin në BE”, ka thënë Kos në një intervistë për Politico.
E në lidhje me këtë temë dhe faktin se kryeministri shqiptar, Edi Rama po vazhdon të bashkëpunojë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, për “Bota sot” foli publicisti Lis Bukuroca.
Fillimisht, ai u shpreh se, deklarata e Kos është sinjal i qartë politik për Ramën e Vuçiqin.
ImageLis Bukuroca.Foto galeri
Madje, vlerësoi se, ky është mesazh i rëndësishëm edhe për Kosovën, se rruga drejt integrimit europian nuk arrihet me kompromise politike,
“Refuzimi i komisioneres për zgjerim, Marta Kos, ndaj propozimit të Aleksandar Vuçiqit dhe Edi Ramës dha një sinjal të qartë politik: Bashkimi Europian nuk është i gatshëm të mohojë kriteret e veta themelore të integrimit, posaçërisht ato që lidhen me shtetin ligjor dhe funksionimin demokratik të institucioneve.
Jo për të shpërblyer dy autokratë dhe për të ndihmuar mbijetesat e tyre politike.
Në gjuhën diplomatike, reagimi ishte një refuzim i butë në formë, por shumë kategorik në përmbajtje.
Ky qëndrim përçon gjithashtu një mesazh të rëndësishëm për Kosovën: se rruga drejt integrimit europian nuk arrihet me kompromise politike apo formula të përshpejtuara, por përmes përmbushjes së standardeve. Refuzimi i propozimit të Ramës dhe Vuçiqit i jep Kosovës një lloj legjitimiteti indirekt, duke konfirmuar se BE nuk do të shpërblejë modele politike që devijojnë nga parimet e saj themelore. Këtu Kosova qëndron më mire”, deklaroi publicisti.
Gjithashtu, Bukuroca u tregua kritik ndaj Ramës dhe bashkëpunimit dhe afërsinë që e ka me Vuçiqin, derisa tha se kjo qasje e tij, po e vendos Shqipërinë në pozicion më të dyshimtë.
Në kët ëpikë, tha se kjo shoqëri mes Ramës dhe presidentit serb është një iluzion politik.
“Sa i përket Edi Ramës, bashkëautorësia në një editorial me Aleksandar Vuçiqin dhe promovimi i një qasjeje alternative ndaj integrimit është një hap shumë i gabuar strategjik. Në vend që ta afrojë Shqipërinë me Bashkimin Europian, kjo e vendos atë në një pozicion më të dyshimtë, duke ngritur pikëpyetje mbi orientimin e saj politik dhe seriozitetin e reformave të brendshme.
Serbia është shumë larg BE-së dhe tani për tani është një eksklavë ruse dhe kineze. Rama nuk kishte asnjë nevojë të futej nën atë çadër. E bëri. Ka mundur të kërkonte integrim me Malin e Zi apo Maqedoninë e Veriut. Zgjodhi mikun e tij të ngushtë, Vuçiqin.
Rama po beson se Vuçiqin mund ta risocializojë me dashuri dhe me ndihma. Ky është një iluzion politik. Është e njëjta logjikë sikur Perëndimi të kishte menduar se mund të liberalizonte dhe demokratizonte një ministër të Hitlerit, Goebbelsin, përmes afrimit, faljes së gjenocidit dhe pranimit të tij ashtu siç ishte.
Një besim i tillë është thjesht naiv. Konvertimi i tij është i pamundur. Ndryshimin e beson vetëm Edi Rama dhe askush tjetër. Kjo është si të kesh Samsung, por të kërkosh të funksionojë si iPhone”.
Në vazhdim, publicisti paralajmëroi se, Rama dhe Vuçiqi, pritet që të vazhdojnë retorikën publike pro-europiane, por që në këtë mënyrë do mund të prodhojë edhe tensione të reja politike.
“Deklarata e Marta Kos e bën të qartë se hyrja në tregun e përbashkët apo në hapësirën Shengen pa një shtet funksional ligjor është e pamundur. Modelet e përqendrimit të pushtetit që vërehen si në Shqipëri ashtu edhe në Serbi janë modele autokratike të konsoliduar tashmë.
Për Bashkimin Europian, pranimi i vendeve me këto sisteme do të nënkuptonte importimin e problemeve të brendshme, të ngjashme me sfidat që tashmë ekzistojnë me Hungarinë.
Rama dhe Vuçiqi, pritet që të vazhdojnë retorikën publike pro-europiane, por njëkohësisht të rrisin presionin politik për alternativa apo modele hibride integrimi. Kjo mund të prodhojë tensione të reja politike, si në raport me Bashkimin Europian, ashtu edhe brenda rajonit, sidomos nëse perceptohet si përpjekje për të anashkaluar standardet ekzistuese.
Rasti i hetimeve ndaj znj. Belinda Balluku mbetet një test konkret për seriozitetin e Shqipërisë në raport me shtetin ligjor. Një proces i pavarur dhe transparent është i domosdoshëm; çdo vonesë apo ndërhyrje vetëm sa e thellon mosbesimin e partnerëve europianë”.
Tutje, Bukuroca tregoi edhe presionet dhe provokimet që Serbia ia bën Kosovës dhe shqiptarëve, por që pavarësisht kësaj, Rama nuk po shqetësohet dhe po bashkëpunon me presidentin e saj.
Madje, në këtë pikë, përmendi edhe një deklaratë ku kryeministri shqiptar, e ka quajtur Vuçiqin shumë inteligjent.
“Në anën tjetër, terroristët që sulmuan Kosovën në Serbi konsiderohen heronj të pafat dhe nuk janë burgosur. Me kriminelë në liri, pranimi në Shengen do të nënkuptonte shpërblim për rrënimin e shtetit ligjor.
Kërkesa e tyre kishte këtë kuptim: na pranoni kështu si jemi, sepse më shumë nuk mundemi. Natyrisht që nuk munden, sepse me një shtet ligjor funksional do të rrezikoheshin vetë ata.
Dhe, të mos harrojmë: pak ditë pas atij artikulli në gazetën e madhe gjermane, Serbia zhvilloi stërvitje ushtarake pranë kufirit me Kosovën dhe, pak më pas, arrestoi shqiptarë nga Shqipëria për shkak të flamurit.
Edi Rama e shpalli shtetin iranian si shtet terrorist, por nuk ka përdorur të njëjtën gjuhë për gjenocidin dhe pastrimin etnik ndaj shqiptarëve të Kosovës. Sot, edhe Lugina është në proces zbrazjeje dhe për këtë nuk flet Rama, por flasin institucione të tjera ndërkombëtare. Ndërkohë, Rama e ka quajtur Vuçiqin shumë inteligjent dhe ka deklaruar se, nëse preket Kosova, Shqipëria do të reagojë”.
Në fund, publicisti shtoi se, “Si përfundim: më mirë të mos e ndihmojë, sepse e dimë si kontribuoi kur u sulmua Kosova nga terroristë të përgatitur nga ushtria serbe, me urdhër të Vuçiqit; prandaj nuk guxon t’i arrestojë.
Edhe Edi Rama është shumë inteligjent. Sepse ai që mbetet aq gjatë në pushtet di ta bëjë këtë; nuk është “buf i kënetave” apo “kazan”, por një autokrat i madh. Si Vuçiqi”.
