Dugolli në 27-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s: Serbia ende pa kërkimfalje për krimet në Kosovë
Sot mbushen 27 vjet nga fillimi i sulmeve ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake e policore të Serbisë dhe Malit të Zi.
Për këtë, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, ka folur për krimet e kryera nga Serbia gjatë luftës në Kosovë, duke theksuar se ato nuk janë pranuar dhe dënuar siç duhet nga shteti serb.
Ai ka deklaruar se gjatë luftës janë kryer masakra të shumta ndaj popullatës civile, ndërsa ka shtuar se edhe sot Serbia nuk është distancuar nga e kaluara e saj.
Sipas Dugollit, përkundër faktit që Kosova duhet të bashkëjetojë me Serbinë si fqinj, kërkimfalja për krimet e kryera ende nuk është në horizont.
Dugolli ka kujtuar gjithashtu përvojën e tij si i mbijetuar i masakrës së Dubravës, duke e cilësuar atë si një nga krimet më të rënda të luftës.
Ai ka theksuar se bëhej fjalë për një plan të organizuar për ekzekutimin e të burgosurve shqiptarë, të cilët sipas konventave ndërkombëtare duhej të mbroheshin.
Në këtë kontekst, ai ka vlerësuar solidaritetin mes të burgosurve politikë shqiptarë, duke e cilësuar atë si faktor kyç për mbijetesën e tyre në kushte të rënda.
“Gjatë asaj periudhe Serbia ka bërë masakra të panumërta ndaj popullatës civile dhe shkatërrimin e gjithckaje që ka qenë para tyre, e mira është që edhe kjo kishte një fund, fundi me kapitulimin e Serbisë, ne e kemi fqinjë Serbinë dhe nuk mund ta ndërrojmë, na duhet të jetojmë me këtë fqinjë të keq i cili përveq që ka ushtrua terror e gjenocid ndaj nesh ai vazhdon të ketë pretendime edhe më tutje, kërkim falja nuk është në horizont. Ne e kemi një Serbi e cila nuk distancohet nga Millosheviqi.
Jam i mbijetuari i kësaj masakres së Dubravës, masakra e Dubravës është një ndër masakrat më të tmerrshme që ka ndodh gjatë luftës, është zbatuar një plan i përpiktë nga shteti serb për të ekzekutuar të burgosur shqiptar të cilët me të gjitha konventat ndërkombëtare do duhej të mbroheshin në rast lufte. Ajo që e pamë në fund ishte liria e Kosovës shpagim për gjitha ato vuajtje e ato mërzi të madhe që kishim. Të burgosurit politik shqiptar kanë qenë shumë solidarizues mes vete, solidarizimi që ka ndodh mes nesh ka qenë arma më e fortë që na ka mbajtë”, ka deklaruar Dugolli.
Kurse, sa i përket zhvillimeve politike aktuale, Dugolli ka thënë se çështja është në shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, duke shprehur shpresën për një vendim të drejtë.
Ai ka theksuar se zgjedhjet e jashtëzakonshme nuk do të sillnin ndryshime të mëdha në rezultat dhe se vendi mund të përballet sërish me të njëjtën situatë.
Sipas tij, duhet të respektohen afatet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit dhe të shmanget shkuarja në zgjedhje të reja, të cilat i cilësoi si të panevojshme.
“Çështja është në Gjykatën Kushtetuese, unë shpresoj shumë që Kushtetuesja do të nxjerrë një vendim meritor. Ne edhe po të shkojmë në zgjedhje të jashtëzakonshme edhe pse nuk mendoj, prapë se prapë do të vijmë në këtë situatë sepse rezultati nuk mund të ndryshojë shumë, askush s’mund të pretendon që mund t’i marrë 80 deputetë. Mendoj që do të kemi afat shtesë ashtu konform që parasheh afatin 60 ditor nga momenti i fillimit për zgjedhjen e presidentit, është e padrejtë të shkohet në zgjedhje sërish sepse s’kemi nevojë”, ka theksuar ai në fund.
