OPINIONTË FUNDIT

27 vite nga ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, ministri Ermal Nufi: Kthesë historike për shqiptarët

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka reaguar për 27-vjtorin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, për çlirimin nga Serbia.

Përmes një postimi publik, Nufi theksoi se ndërhyrja e NATO-s nuk ishte thjesht një operacion ushtarak, por një akt vendimtar për të ndalur një tragjedi humanitare dhe për të mbrojtur dinjitetin njerëzor përballë një regjimi që, sipas tij, kishte zgjedhur dhunën dhe shkatërrimin.

Ai vlerësoi se për shqiptarët në rajon, kjo ndërhyrje përbën një kthesë historike, duke konfirmuar të drejtën për të jetuar të lirë dhe në paqe. Sipas tij, kjo ngjarje dëshmoi se parimet mbi të cilat ndërtohet bota perëndimore – liria, drejtësia dhe dinjiteti njerëzor – nuk mbeten vetëm në letër, por mbrohen me vendosmëri sa herë që cenohen.

Postimi i plotë:

27 vite më parë, ndërhyrja e NATO-s në Kosovë shënoi një moment historik jo vetëm për kombin shqiptar, por edhe për vetë ndërgjegjen e botës demokratike.
Ishte një akt vendosmërie për të ndalur një tragjedi humanitare dhe për të mbrojtur dinjitetin njerëzor përballë një regjimi që kishte zgjedhur dhunën dhe shkatërrimin.

Për faktorin shqiptar në rajon, kjo ndërhyrje ishte shumë më tepër se një operacion ushtarak; ishte një kthesë historike që konfirmoi të drejtën për të jetuar të lirë dhe në paqe.

Ajo dëshmoi se vlerat mbi të cilat ndërtohet bota perëndimore; liria, dinjiteti njerëzor dhe drejtësia, nuk janë thjesht parime të shkruara, por angazhime që mbrohen me vendosmëri, kudo që ato cenohen.
Kosova dhe institucionet e saj demokratike janë sot garancia më e fortë se vendimi i marrë 27 vite më parë ishte i duhuri.

Me përkushtimin e saj për t’u rritur përkrah aleatëve, ajo meriton të jetë shumë shpejt aty ku i takon — në të gjitha tryezat dhe organizmat e arkitekturës euroatlantike.

Sot, pas 27 vitesh, kjo ngjarje mbetet një kujtesë e fuqishme se paqja nuk është e dhënë, por kërkon përkushtim të vazhdueshëm.

NATO vijon të jetë garantuesi më i madh i sigurisë dhe stabilitetit, jo vetëm në Ballkan, por në mbarë botën, duke qëndruar në vijën e parë të mbrojtjes së vlerave që na bashkojnë.

Shqipëria mbetet e palëkundur në përkushtimin e saj ndaj Aleancës. Kontributi ynë në misionet paqeruajtëse dhe në mbrojtjen kolektive është shprehje e qartë e këtij angazhimi dhe e bindjes sonë se siguria është përgjegjësi e përbashkët.

Të qëndruarit bashkë, në unitet dhe solidaritet, është garancia më e fortë që tragjedi të tilla ndaj jetës, paqes dhe vlerave perëndimore të mos përsëriten më kurrë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *