Bajqinovci reagon ndaj AGK-së: Transparenca nuk është sulm
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Mufail Bujqinovci ka mohuar pëfshirjen e tij në fushata kundër mediave dhe gazetarëve.
Ai në një postim reagoi ndaj Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës duke thënë se nuk kishte sulmuar, por kishte thënë “të vërtetën”.
“AGK paska reaguar duke përmendur emrin tim, kinse ne po zhvillojmë fushatë agresive dhe po rrezikojmë punën e gazetarëve. Së pari, të jemi të qartë: ne kemi shpërndarë vetëm një video publike të gazetarit Kreshnik Gashi nga BIRN-i. Asgjë më shumë. E vërteta nuk mund të quhet sulm. Transparenca nuk është kërcënim”, shkroi në një postim në Facebook
Ai cilësoi reagimin ndaj tij të AGK-së si të nxituar.
“Në vend të deklaratave të nxituara, Prokuroria duhet të merret seriozisht me të gjithë ata që marrin para nga UDB-ja e Serbisë dhe që tentojnë të ndikojnë opinionin publik në Kosovë”, shkroi ai.
Sipas tij, liria e medias nuk mbrohet duke heshtur përballë ndikimeve të jashtme, por duke i ekspozuar ato.
Ndërkaq Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka shprehur shqetësim të thellë për një valë të re të fushatës kundër mediave dhe gazetarëve të nisur nga zyrtarë të partisë më të madhe politike në vend, Vetëvendosje.
AGK iu referua deklaratave nga deputetë dhe zyrtarë të tjerë të kësaj partie, përfshirë Adnan Rrustemin, Mefail Bajqinovcin dhe Dejona Mihalin, të cilët, siç thuhet, “kanë shkruar dhe shpërndarë materiale që flasin për ‘pagesa me çanta’ në raport me gazetarët”.
