POLITIKATË FUNDIT

Profesori universitar: Opozita po tenton paralizimin e shtetit për rrëzimin e Albin Kurti

Profesori dhe veprimtari Eshref Ymeri ka reaguar me tone të ashpra ndaj zhvillimeve politike, duke akuzuar opozitën për bashkëpunim me faktorë të jashtëm kundër qeverisë së Kosovës.

“Opozita, në bashkëpunim me Vuçiçin e Beogradit dhe Vuçiçin e Tiranës, po ngul këmbë për paralizimin e shtetit ligjor në Republikën e Dardanisë,” është shprehur ai, duke shtuar se “qëllimi i vetëm i tyre është rrëzimi nga pushteti i Kryeministrit” Albin Kurti.

Ymeri ka përdorur edhe një gjuhë të ashpër figurative për kundërshtarët politikë, duke thënë se “ky kor të kujton krrokamat e korbit”, ndërsa pretendon se kësaj nisme i është bashkuar edhe ish-diplomati amerikan Richard Grenell, të cilin e quan “mercenar të paguar nga Serbia”. Sipas tij, Grenell “ka ushqyer opozitën me ëndrra për rikthimin e” Hashim Thaçi “në postin e kryeministrit”.

Ai pretendon gjithashtu, pa paraqitur prova publike, se në të kaluarën Grenell është paguar nga Serbia dhe nga Thaçi gjatë kohës kur ky i fundit ishte në pushtet.

Më tej, Ymeri thotë se figura e Grenellit është kritikuar publikisht edhe nga veprimtari shqiptaro-amerikan Agim Aliçka, duke iu referuar analizës së tij të botuar në gazetën Illyria më 16 mars 2026.

Sa i përket krizës për zgjedhjen e presidentit, Ymeri propozon ndryshime kushtetuese dhe zgjedhje të drejtpërdrejta nga populli.

“Dalja nga kjo situatë gjendet në zgjedhjen e Presidentit nga populli, jo nga Kuvendi,” është shprehur ai, duke shtuar se zgjedhjet e përsëritura “vetëm rëndojnë buxhetin e shtetit dhe nuk e shmangin krizën”, nëse qytetarët nuk arrijnë të dallojnë forcat politike që mbrojnë interesat kombëtare nga ato që, sipas tij, i minojnë ato.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *