OPINIONTË FUNDIT

“Edi Rama, aktor apo spektator në politikën e Kosovës?”

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka theksuar se nuk ka asnjë rol apo pozicion në politikën e Kosovës dhe se përpjekjet për ndërhyrje nga politikanët e Kosovës në Shqipëri i janë dukur qesharake.

Në lidhje me këtë, opinionisti Xhevat Mustafa në një prononcim për “Bota sot”, kritikon ndërhyrjen e Edi Ramës, kryeministrit të Shqipërisë, në politikën e Kosovës, duke favorizuar PDK-në dhe treguar qëndrime armiqësore ndaj LVV-së dhe Albin Kurtit.

Ai i konsideron editorialin e përbashkët të Ramës dhe Aleksandar Vuçiç në Frankfurter Allgemeine Zeitung si një veprim hipokrit dhe mashtrues, që lë jashtë Kosovës nga propozimet për zgjerimin e BE-së.

Sipas Mustafës, editoriali reflekton paaftësi dhe mungesë dëshire për anëtarësim të plotë në BE, duke ruajtur kontrollin mbi fondet dhe ndikimin e tyre në vendet respektive, dhe konsiderohet si “thikë pas shpine” ndaj Kosovës.

“Më shumë për të dëshmuar qenien e tyre në unison, të një mendjeje si dhe trashëgues të denjë të vëllazërisë shqiptaro-serbe qysh nga vjeshta 1941, për shumëçka lidhur me zhvillimet dhe të ardhmen e Ballkanit si dhe për anëtarësimin e plotë në BE të Serbisë dhe Shqipërisë, Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, publikuan më 27-28 shkurt 2026 një editorial të përbashkët në Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ), në të cilin propozojnë një qasje të re strategjike për avancimin e procesit të zgjerimit të Bashkimit Europian, pa “u kujtuar” fare me e përmend Kosovën!? Në thelb të propozimit të tyre qëndron ideja e “një integrimi të përshpejtuar të vendeve kandidate të përgatitura në tregun e brendshëm të BE-së dhe në hapësirën Shengen, pa cenuar balancën ekzistuese institucionale të Unionit”. Pra, pa të drejta vetoje, pa komisionerë shtesë dhe pa prekur strukturat vendimmarrëse…Nëse lexohet me vëmendje të shtuar, nuk është e vështirë për të kuptuar se ky editorial apo manifest i ri i vëllazërisë 85 vjeçare shqiptaro-serbe, edhe pse nuk ka ide dhe propozime të reja apo të padëgjuara në salla e korridore të BE-së, është një “kryevepër” hipokrizie, demagogjie, mashtrimi nga autorët Aleksandar Vuçiç-Edi Rama…Njëherazi, edhe një intrigë, pabesi apo thikë e re pas shpine ndaj Kosovës nga Rama-qeveria, në vazhdën e “Ballkanit të hapur”, “të varrosur në barkun e “nëna-baballarëve” të tij, Vuçiç e Rama, së bashku me ëndrrat dhe planet e tyre!?

Më shumë se sa keqardhjen për shqetësimet që do t’u shkaktohen liderëve të vendeve anëtare të BE-së nga vonesa dhe cilësia jo e duhur e arritjes së standardeve nga vendet kandidate, Serbia dhe Shqipëria, ata fshehin paaftësinë e tyre individuale dhe ekipore si dhe mungesën e dëshirës për të përmbushur kërkesat dhe arritur standardet në nivelet e duhura. Me sa nënkuptohet, ata nuk e duan fare apo shpejt anëtarësimin e plotë dhe me të drejta të plota në BE! Arsyeja? Sepse kjo do të nënkuptonte kontroll të fortë e rigoroz mbi ata dhe ekipet e tyre qeveritare, sidomos për qindra milionat dhe miliardat me euro që do të dërgohen nga BE-ja dhe për humbjen e lirisë së deri sotme për ti futur pjesët më të mëdha në xhepat e veta, të miqve, ortakëve…si dhe për të qeverisur, si deri më sot, si perandorë e mbretër! Edhe detyrimin për të pranuar dhe zbatuar detyrimet si anëtarë të BE-së për Kosovën, për njohjen e saj në hartën ekzistuese dhe si shtet sovran, me integritet të pacënueshëm…!?”, shprehet ai.

Tutje, Mustafa akuzon Edi Ramën për ndërhyrje të drejtpërdrejtë në politikën e Kosovës, duke përfituar nga vendimi i Presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit dhe kriza politike e marsit 2026.

Sipas Mustafës, afrimi i Osmanit me Ramën, takimet e fshehta dhe ndihmat e dhëna për foto e takime ndërkombëtare, shërbejnë interesave personale të disa liderëve opozitarë dhe promovojnë planet e Ramës dhe Aleksandar Vuçiç për ndikim mbi Mitrovicën e veriut dhe Marrëveshjen Serbi-Kosovë, duke margjinalizuar Albin Kurtin.

Ai paralajmëron se pasojat më të mëdha do t’i përjetojnë shqiptarët e Kosovës dhe ata kudo.

“Rastet më të freskët të ndërhyrjes së Edi Ramës, nga maja e kokës deri në fund të këmbës në zhvillimet politike në Kosovë, u panë dhe shprehën gjatë krizës politike të këtyre dy javëve të para të marsit 2026, provokuar nga vendimi i nxituar, i gabuar dhe autoritarist i Presidentes Vjosa Osmani për të shpërndarë Kuvendin e Kosovës, çka nënkupton edhe hapjen e rrugës pë të kaluar në zgjedhje të reja politike dhe parlamentare. Shtimi i intensitetit të takimeve dhe i afeksionit mes Vjosa Osmanit dhe Edi Ramës, me disa takime të panjoftuara nga zyrat e shtypit dhe “pas kurrizit” të kryeministrit Kurti, sidomos ndihma që ajo i dha Edi Ramës për një tokje dore dhe një fotografi me presidentin Trump gjatë takimit përurues të Bordit të Paqes Gaza 2026, më 19 shkurt, japin arsye të mendohet se ato janë edhe dëshmi të qarta dhe shprehëse të ndërhyrjes shumëformëshe të Edi Ramës e të Tiranës qeveritare në politikën apo në punët e brendshme të Kosovës!

Krahas ambicies së zonjës Osmani për mandat të dytë presidencial, ky vendim e kjo krizë politike e ndërpersonale, me rrjedhoja të pakëndshme dhe të shmangshme, veçanërisht për Kosovën, u shërbejnë më shumë interesave ngushtësisht partiake e personale të disa liderëve të partive kryesore të opozitës në Kosovë!? Së pari të Listës Serbe e pastaj të padronëve dhe sponsorëve të saj politikë dhe financiarë në Beograd. Por, edhe synimit të vjetër të Edi Ramës dhe aleatëve të tij në Prishtinë dhe gjetiu, për të hequr qafe politikisht dhe si kryeministër Albin Kurtin, pengesën më të madhe për suksesin e shumëpritur e të shumë investuar në Beograd për jetësimin e Marrëveshjes Serbi-Kosovë të 4 shtatorit 2020, nën patronazhin e SHBA-së e personalisht të Presidentit Donald Trump; “Ballkanin e hapur” dhe për marrjen nga Serbia të copës së shumëdëshiruar në Mitrovicën e Veriut, sidomos të Trepçës!? Nënkuptohet, siç është shprehur edhe Grenell, për rikthimin e shpejtë, në vend të Albin Kurtit të padëshiruar, të mikut të çiftit Vuçiç-Rama, domethënë të Hashim Thaçit. Kjo hap dritën jeshile gëzime të mëdha në Beograd e në Tiranë-Surrel; për ndryshim pozitiv të rrjedhave të procesit të bisedimeve Serbi-Kosovë; të Marrëveshjes së Osaciacionit të Komunave me shumicë serbe e të ndarjes së Mitrovicës së Veriut! Merret me mend se nëse ndodhin këto gjëma, më të hidhëruarit e më të humburit, do të jenë SHQIPTARËT E VËRTETË kudo ku janë e do të jenë!” – përfundon ai për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *