Për Donika Gërvallën, shteti nuk është pazar – është kontratë e pakufizuar parimore
Donika Gërvalla-Schwarz mbrëmë nuk e dha një intervistë të zakonshme – ajo e artikuloi një ide të shtetit ligjor në të gjitha dimensionet e politikës së mençur, të drejtë, të vendosur, të guximshme, të dobishme dhe vizionare.
Ajo në promovimin e vlerave që e karakterizojnë politiken e besueshme ishte maksimalisht e vendosur, e patrembur, dhe e panegociueshme.
Sepse në fjalimin e saj nuk kishte as retorikë boshe, as patriotizëm folklorik për duartrokitje të shpejta.
Ajo që u dëgjua prej saj ishte një koherencë e rrallë morale në hapësirën tonë politike – dhe para së gjithash një koherencë e rrezikshme politike, juridike, etike dhe morale për çdo rend të korruptuar.
Dhe pikërisht kjo koherencë – politike, etike, juridike dhe institucionale – e dëshmon atë që unë e quaj si “shkollë të saj politike gjermane”:
jo si dekor diplomash, por si disiplinë e brendshme.
Disiplina për të mos e tradhtuar të vërtetën – edhe kur ajo ka kosto.
Sepse besimi i qytetarëve në institucionet shtetërore nuk ndërtohet me slogane, por me qëndrueshmëri.
Me qëndrime që nuk lëkunden.
Dhe pikërisht këtu qëndron forca e saj:
ajo nuk ndërton narrativa për individin – por për shtetin si ide.
Një ide që nuk kërkon vetëm çlirimin e drejtësisë nga kthetrat e interesave private,
por edhe guximin për konfiskimin e pasurisë së paligjshme – jo si akt hakmarrjeje, por si akt drejtësie.
Një ide në të cilën lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar nuk është projekt elektoral, por kusht ekzistence për shtetin.
Sepse një shtet që nuk e ka guximin të përballet me padrejtësinë brenda vetes, mbetet jashtë rendit juridik –
dhe si i tillë, është i dënuar të mbetet periferik.
Kjo qasje nuk është thjesht reformë.
Është themel.
Një themel mbi të cilin ligji nuk është dekor institucional, por autoritet moral.
Vetëm mbi këtë bazë merr kuptim të vërtetë edhe integrimi evropian –
jo si destinacion gjeografik, por si standard etik, në frymën e Unionit Europian.
Sepse në fund, mirëqenia nuk është rastësi.
Është produkt i drejtësisë.
Dhe besimi i qytetarit nuk rikthehet me premtime –
por me prova.
Dhe Donika na dha mbrëmë prova të mjaftueshme që e bëjnë të besueshme për popullin.
Apo edhe më saktë : ajo mbrëmë na dha prova të mjaftueshme që e bëjnë të besueshme për ata shqiptarë që e kyçin gjatë analizës edhe trurin e tyre, e jo vetëm zemrën.
Dhe pikërisht këtu fillon thelbi i frikës së tyre.
Sepse Donika Gërvalla-Schwarz nuk është thjesht një kundërshtare politike – ajo është një kërcënim strukturor për gjithë logjikën mbi të cilën kanë mbijetuar politikanët e dhunshëm, të korruptuar, grykës, shantazhues dhe tradhtarë.
Ata nuk kanë frikë nga fjalët e saj.
Kanë frikë nga ajo që ajo përfaqëson.
Kanë frikë nga një model që nuk mund ta blejnë.
Nga një integritet që nuk mund ta komprometojnë.
Nga një njeri që nuk hyn në pazare – sepse nuk ka nevojë për to.
Sepse gjithë pushteti i tyre është ndërtuar mbi tri shtylla të kalbura:
frikë, varësi dhe manipulim.
Ndërsa ajo operon me tri parime që i shkatërrojnë këto shtylla:
qartësi, ligj dhe përgjegjësi.
Dhe këtu ndodh përplasja e vërtetë.
Politikani i korruptuar ka nevojë për mjegull –
ajo sjell dritë.
Politikani i shantazhueshëm ka nevojë për heshtje –
ajo artikulon.
Politikani i kapur nga interesat private ka nevojë për kaos –
ajo kërkon rend.
Dhe mbi të gjitha, ata kanë frikë nga një gjë që është më e rrezikshme se çdo hetim apo aktakuzë: ata kanë frikë nga
shembulli.
Sepse shembulli nuk mund të censurohet.
Nuk mund të blihet.
Nuk mund të shkatërrohet me propagandë.
Ai depërton.
Dhe kur qytetari fillon të shohë dallimin mes një politike që jeton nga mashtrimi dhe një politike që jeton nga parimi –
atëherë fillon fundi i tyre.
Prandaj sulmet ndaj saj nuk janë rastësore.
Ato janë instinkt mbijetese.
Sepse çdo sistem i kalbur e ndjen kur po i afrohet një rend që nuk mund ta kontrollojë.
Dhe në fund, frika e tyre nuk është frikë nga një grua.
Është frikë nga ideja që ajo mishëron:
Se shteti mund të ekzistojë pa ta.
Dhe madje – më mirë pa ta.
Dhe më së shumti unë e vlerësoj faktin që Donika e kritikoi me të drejtë Edi Ramën si sabotues të rrezikshëm të shtetësisë së Kosovës përmes planeve të përbashkëta me Aleksandar Vuçiqin, siç ishte Ballkan Open, dhe së fundmi letra e përbashkët që ia derguan Komisionit Europian për Integrim, ku kërkuan hyrjen e parakohshme të Shqipërisë dhe Serbisë në BE, pa i plotësuar Serbia obligimet politike, ekonomike, etike dhe morale ndaj Kosovës.
Kjo tregon kurajën e saj për ta mbrojtur interesin e Kosovës pa i’u nënshtruar presionit të jashtëm.
Dhe me ketë qasje të dobishme, Donika e kaloi mbrëmë tek unë, testin e fazës së parë të besueshmërisë si Ministre e Drejtësisë, me notën dhjetë (10) .
