Kaja Kallas paralajmëroi takim mes Kosovës dhe Serbisë – Avokati shqiptar ngre alarmin: Ky takim, nëse ndodh, rrezikon që…
Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka thënë të shtunën se është e gatshme ta ndërmjetësojë “së shpejti” një takim të nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë, pasi autoritetet kosovare mundësuan lehtësira të përkohshme për komunitetin serb në Ligjin për të huajt.
Në një shkrim në X, Kallas tha se “është krijuar një momentum i ri për t’i çuar përpara marrëdhëniet mes BE-së dhe Kosovës dhe dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit”.
Kjo pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është pajtuar t’u ofrojë leje të përkohshme qëndrimi dhe t’ua njohë përkohësisht letërnjoftimet pjesëtarëve të komunitetit serb që nuk janë të pajisur me dokumenteve të Kosovës.
E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur avokati shqiptar Spartak Ngjela.
Avokati po thotë se nuk është e mundur një takim i rëndësishëm politik mes Kosovës dhe Serbisë, sepse Serbia ende mban qëndrime armiqësore dhe madje flet për pushtim me luftë.
Ai gjithashtu thekson se udhëheqja aktuale e Serbisë është e lidhur me mentalitetin e kohës së Milosheviçit, prandaj nuk ka shenja reale për një takim të tillë.
“Nuk ka mundësi të ketë takim politiko institucional të nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë.
Serbia ende deklaron se do të pushtojë Kosovën me luftë. (!)
Dhe Serbia flet në marrëzi, sepse krerët e politikës së saj janë në gjendjen te tensionit historik si ish pushtues të Kosovës; kurse pavarësia e Kosovës ka ardhur me bombardimet që NATO i ka bërë Beogradit.
Prandaj, sipas kësaj rrjedhe historike, çfarë takimi do të pranojë Serbia me Kosovën?
Nuk ka shenja ende se mund të ndodhë ky takim, sepse klika që drejton sot Serbinë është ajo e Milosheviçit”, u shpreh ai.
Ndër të tjera avokati thotë se Serbia synon shkëmbim territoresh, por sipas tij kjo nuk duhet dhe nuk mund të ndodhë, dhe se jo i gjithë Bashkimi Evropian është në favor të Kosovës.
Ai shton se udhëheqësit e Kosovës duhet të jenë shumë të kujdesshëm dhe të mos takohen me Serbinë pa e njohur ajo më parë Kosovën, sepse kjo do të dëmtonte prestigjin e shtetit të Kosovës.
“Kurse politika aktuale e Serisë e ka qëllimin te shkëmbimi i territoreve. Por ky shkëmbim kurrë nuk mund të ndodhë.
Dhe nuk duhet të harrojmë se Bashkimi Evropian nuk është i gjithë me Kosovën dhe çështjen shqiptare.
Po Kaja Kallas çfarë kërkon?
Asgjë në favor të çështjes shqiptare.
Prandaj Vjosa Osmani dhe Albin Kurti duhet të jenë shumë të vëmendshëm, dhe nuk duhet të pranojnë një takim me Beogradin para se Serbia të ketë njohur Kosovën; ngaqë kjo do të ishte fyerje për prestigjin e shtetit të pavarur të Kosovës, dhe për të gjithë botën shqiptare, kudo ku ajo ndodhet”, përfundoi avokati Ngjela për “Bota sot”.
