OPINIONTË FUNDIT

Shkarkimi i Grenell-it nga Trump-i – veprimtari zbërthen prapaskenat: Lajmi i mirë për Kosovën dhe qeverinë Kurti

Richard Grenell“Amerika nuk është imune ndaj diplomatëve dhe politikanëve të këqinj si Richard Grenell”“Kosova nuk ka rrugë tjetër përveç bashkëpunimit dhe koordinimit të veprimeve me Amerikën”
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka njoftuar se Richard “Ric” Grenell do të dorëhiqet nga posti i drejtorit të “John F. Kennedy Center for the Performing Arts” në Uashington, D.C., një rol që ai e mbajti që nga emërimi në muajin shkurt të vitit 2025.

Pavarësisht afërsisë së mëparshme mes Trumpit dhe Grenellit – një mik i afërt që ka mbajtur poste të ndryshme gjatë dy mandateve presidenciale – tha se, presidenti është lodhur nga një sërë titujsh negativë në media për ndryshimet në institucion, thanë burimet për cnn.

E në lidhje me këtë shkarkim të Grenllit dhe atë se çka do thotë për Kosovën, foli Agim Aliçkaj, Drejtori Ekzekutiv i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane.

Si fillim, ai foli mbi të kalurën e Grenell, derisa e kritikoi ashpër për qasjen ndaj Kosovës dhe faktin se ai ishte angazhuar për ndarje të shtetit tonë.

Për këtë, Aliçkaj përmendi edhe bashkëpunimet e tij me Ramën, Thaçin e Vuçiqin.

ImageAgim Aliçkaj, Drejtori Ekzekutiv i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane.Foto galeri
“Para se të angazhohej si emisar në konfliktin midis Kosovës dhe Serbisë, Richard “Ric” Grenell ishte një ambasador i dështuar amerikan në Gjermani. Madje, Gjermania kishte kërkuar zyrtarisht largimin e tij.

Gjatë kësaj kohe, ai u kontaktua nga tre aktorë të angazhuar – secili për interesat e veta – për ndarjen e Kosovës: Vuçiq, Rama dhe Thaçi. Ata kërkuan nga ai që të bisedonte me Presidentin Trump për ta përkrahur ndarjen e Kosovës, gjë për të cilën ishin marrë vesh paraprakisht.

Për Grenellin, kjo ishte një situatë ideale për t’u shndërruar në një diplomat të rëndësishëm. Arritja e një marrëveshjeje për ndarje në mënyrë paqësore do të ishte e vështirë të kundërshtohej nga të tjerët. Bashkëpunimi me krerët e korruptuar të Ballkanit ishte diçka që ai e preferonte”.

Përmes këtyre politikave, drejtori i LQASHA-së, konsideroi se Grenell u shndërrua në përkrahës të serbëve, derisa opozitën në Kosovë e mashtroi me premtimin se do i rikthente në pushtet.

Kësisoj, ai përmendi faktin se pengesa kryesore e Grenell në Kosovë ishte Kurti, si një lider i pakorruptuar, e të cilin tentoi ta largoi nga pushteti në të kaluarën.

“Gradualisht, Grenell u shndërrua në një përkrahës dhe zëdhënës të politikave hegjemoniste serbe. Serbët i mashtronte duke u thënë se Trump, në mandatin e dytë, do t’i ndihmonte të ktheheshin në Kosovë. Meqë serbët shpesh jetojnë me mite dhe ëndrra, shumë prej tyre ende i besojnë premtimeve të tij të kota.

Opozitën e Kosovës e mashtroi duke u premtuar se do t’i kthente në pushtet. Konsiderohet se ai ishte një nga shtytësit kryesorë të bllokadës së institucioneve nga opozita pas zgjedhjeve të shkurtit. PDK-në ende e mashtron me pretendimin se Trump do ta ndihmojë lirimin e ish-presidentit Thaçi nga burgu i Hagës, gjë që është pothuajse e pamundur.

Kundërshtari dhe pengesa kryesore për dështimin e politikave pro-serbe të Grenellit në Ballkan ishte dhe mbetet kryeministri Albin Kurti. Si lider i pakorruptuar, i pashantazhueshëm dhe i vendosur në mbrojtjen e interesave të shtetit, ai përbën pengesën kryesore për të.

Për këtë arsye, ai – me ndihmën e LDK-së – rrëzoi qeverinë Kurti 1 dhe vazhdon të bëjë përpjekje për ta larguar Kurtin nga politika, duke u përzier në mënyrë të padrejtë dhe arrogante në çështjet e brendshme të Kosovës”, shpjegoi ai.

Më tej, Aliçkaj potencoi se shkarkimi që Trump ia bëri së fundi Grenell-it, është lajm i mirë për Kosovën, pasi dihet sa i anshëm ishte ai në raport me Serbinë.

Për këtë, kërkoi nga qeveria e Kosovës, t’ia bëj të qartë administratës Trump se Grenell është i njëanshëm dhe nuk mund të ndihmojë në zgjidhjen e problemeve Kosovë-Serbi.

“Njoftimi i Presidentit Trump për largimin e Grenell nga posti i drejtorit të “John F. Kennedy Center for the Performing Arts” në Uashington, D.C., është një lajm shumë i mirë për Kosovën dhe për paqen në Ballkan. Animi i tij i hapur nga agresori serb e minon arritjen e paqes dhe zgjidhjen e konfliktit me Serbinë.

Arsyet për largimin e tij janë të ndryshme dhe lidhen me politikat e jashtme kontroverse, por edhe me mosmarrëveshjet me anëtarë të administratës Trump, përfshirë sekretarin Marco Rubio, për shkak të dallimeve në qasje dhe stilit të tij arrogant. Kjo jep shpresë se Presidenti Trump nuk do ta caktojë atë në ndonjë pozitë të rëndësishme, sidomos jo në çështjet ballkanike.

Megjithatë, një gjë e tillë mbetet e mundur edhe në të ardhmen. Për këtë arsye, qeveria e Kosovës duhet që në mënyrë profesionale dhe me diplomaci të kujdesshme t’ia bëj të qartë administratës Trump se Grenell është i njëanshëm dhe, si i tillë, joefektiv në zgjidhjen e problemeve me Serbinë”.

Në vazhdim, veprimtari shqiptaro-amerikan, foli edhe për shtimin e lobimeve nga ana e Kosovës në SHBA, pasi e cilëson këtë si gjë kyçe.

“Në të njëjtën kohë, veprimtaria lobuese në Uashington dhe presioni ndaj administratës Trump përmes Kongresit Amerikan – që Grenell të mos përfshihet në çështjet e Kosovës dhe të Ballkanit – duhet të shtohet dhe të forcohet.

Mësimi që del nga marrëdhëniet me Grenellin është se Amerika nuk është imune ndaj daljes në pozita të rëndësishme të politikanëve dhe diplomatëve të këqij, të cilët nuk veprojnë në interes të Amerikës dhe të shteteve miqësore të saj”.

Në fund, Aliçkaj ritheksoi rëndësinë që ka SHBA në shtetndërtimin e Kosovës dhe se shteti ynë në vazhdimësi duhet të rreshtohet dhe të koordinohet me të.

“Kosova nuk ka rrugë tjetër përveç bashkëpunimit dhe koordinimit të veprimeve me Amerikën. Por diplomatët që hapur anojnë kah armiku duhet të trajtohen me rezervë dhe të kundërshtohen me drejtësi, fakte dhe argumente, në mënyrë profesionale përmes diplomacisë dhe lobimit.

Përulja nuk është bashkëpunim, dhe Amerika nuk ka nevojë për miq të dobët e servilë. Amerika i respekton ata që e ndërtojnë, e forcojnë dhe e mbrojnë shtetin e tyre – sidomos politikanët dhe qeveritarët që kanë mbështetje të gjerë popullore.

Kosova është definitivisht dhe përjetësisht e rreshtuar me Amerikën dhe Perëndimin, ndërsa Serbia me Rusinë, Iranin, Kinën dhe shtete të tjera armiqësore ndaj Amerikës”, përmbylli Agim Aliçkaj për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *