OPINIONTË FUNDIT

NATO i dha fund spekulimeve për trupat amerikane në Kosovë – eksperti i sigurisë zbërthen mesazhin strategjik që përçoi

NATO-ja ka bërë të ditur se aktualisht nuk ka ndryshime të rëndësishme në shqyrtim sa i përket reduktimit të mundshëm të trupave amerikane nga Kosova.

Një zyrtar i NATO-s tha se KFOR-i vazhdon të përmbushë mandatin e tij sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për të ndihmuar në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të mbrojtur për të gjithë njerëzit në Kosovë, si dhe lirinë e lëvizjes.

Përgjigja e NATO-s pasoi shqetësimin e disa anëtarëve të Kongresit amerikan të cilët përmes një letre sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, i bënë thirrje që ta parandalojë kufizimin e mundshme të trupave amerikane në Kosovë, duke thënë se një tërheqje e tillë rrezikon të shkaktojë paqëndrueshmëri jo vetëm vendin, por edhe rajonin e gjerë të Ballkanit Perëndimor në një kohë të ndikimeve keqdashëse.

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

Eksperti i sigurisë thotë se deklarata e NATO-s ishte e rëndësishme për të ndalur spekulimet dhe për të mos lejuar që paqartësitë rreth pranisë amerikane në Kosovë të përdoren për presion politik apo për destabilizim në rajon.

ImageDrizan ShalaFoto galeri
Ai thekson gjithashtu se prania e SHBA-së në KFOR është një element kyç i sigurisë në Ballkan dhe një sinjal se angazhimi euro-atlantik për Kosovën vazhdon i pandryshuar.

“Deklarata e NATO-s se aktualisht nuk ka asnjë vendim për reduktimin e trupave amerikane në Kosovë ishte një reagim i domosdoshëm dhe i duhur ndaj spekulimeve që u përhapën së fundmi. Në një rajon ku informacioni shpesh përdoret si instrument presioni politik dhe psikologjik, çdo paqartësi rreth pranisë amerikane do të krijonte hapësirë për interpretime të rrezikshme dhe për narrativat destabilizuese që qarkullojnë në Ballkan.

Prania e Shteteve të Bashkuara në kuadër të KFOR-it nuk është vetëm një çështje e numrit të trupave në terren. Ajo është një element kyç i arkitekturës së sigurisë në rajon dhe një faktor i rëndësishëm parandalues ndaj çdo përpjekjeje për destabilizim. Për këtë arsye, deklarata e NATO-s është më shumë sesa një sqarim teknik; është një sinjal i qartë strategjik se angazhimi euro-atlantik në Kosovë mbetet i pandryshuar”, u shpreh ai.

Duke vazhduar tutje eksperti i sigurisë nënvizon që mesazhi që përçoi ishte se tregoi që prania dhe përkushtimi i mekanizmave ndërkombëtarë të sigurisë në Kosovë vazhdon dhe se stabiliteti i rajonit mbetet prioritet.

Ai gjithashtu paralajmëron se çdo përpjekje për destabilizim në Ballkan do të përballet me vëmendjen dhe reagimin e strukturave euro-atlantike.

“Ky mesazh është i rëndësishëm në disa drejtime. Për Kosovën dhe qytetarët e saj, ai konfirmon se mekanizmat ndërkombëtarë të sigurisë vazhdojnë të mbeten të përkushtuar për ruajtjen e stabilitetit dhe të një mjedisi të sigurt. Për rajonin, deklarata është një kujtesë se çdo përpjekje për të testuar stabilitetin në Ballkan do të përballet me praninë dhe vëmendjen e strukturave euro-atlantike. Ndërsa për aktorët që shpesh përdorin retorikë apo veprime destabilizuese, ajo shërben si një paralajmërim i qartë se balanca e sigurisë në Kosovë nuk është në diskutim.

Në një kohë kur tensionet gjeopolitike globale janë rritur dhe Ballkani mbetet një hapësirë ku interesat e fuqive të ndryshme shpesh përplasen, qartësia strategjike është thelbësore. Me këtë deklaratë, NATO jo vetëm që i jep fund spekulimeve, por edhe forcon mesazhin se stabiliteti i Kosovës dhe i rajonit mbetet një prioritet i pandryshuar për aleancën euro-atlantike”, përfundoi eksperti i sigurisë, Drizan Shala për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *