Afrimi Rama‑Vuçiq, alarm për Kosovën / Bajraktari nuk kursen kritikat – ja mesazhi i tij
Veprimtari i njohur i komunitetit shqiptaro-amerikan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Harry Bajraktari ka kritikuar ashpër editorialin e përbashkët të kryeministrit Edi Rama me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, botuar në gazetën gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung.
Bajraktari e konsideron këtë veprim “absurd” dhe shpreh shqetësimin se Shqipëria po lidhet tepër me Beogradin, duke kërcënuar integritetin dhe pavarësinë e vendit në rrugën drejt Bashkimit Europian.
Ai në postimin e tij në Facebook, thekson se prioritetet e Ramës duhet të jenë reformat e brendshme, sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit, dhe jo projekte rajonale që mund të sjellin pasoja historike për shqiptarët në Ballkan, përcjell “Bota sot”.
Shkrimi i plotë
Është e pakuptueshme pse Edi Rama nuk po shkëputet dot nga Beogradi dhe Aleksandar Vuçiq. Editoriali i tij i përbashkët me Vuçiqin në gazetën gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, ku kërkojnë anëtarësim me faza në BE pa të drejtë vetoje, është absurd. Shqipëria duhet të ecë drejt Bashkimit Europian si shtet dinjitoz dhe i pavarur, jo e lidhur pas Serbisë – një vend që ende nuk e njeh Kosovën dhe vazhdon ta kërcënojë sigurinë e tërë Ballkanit Perëndimor.
Shqipëria nuk i detyrohet asgjë Serbisë. Edi Rama nuk ka asnjë arsye të shkojë dorë për dore me Vuçiqin në Bruksel. Përkundrazi, historia jonë na paralajmëron për rrezikun e afrimit me Beogradin. Në të kaluarën kemi parë Enver Hoxhën, e më pas Fatos Nanon, që kanë pasur marrëdhënie të afërta me Serbinë, dhe shqiptarët nuk kanë parë asnjë të mirë nga këto “miqësi”. Kosova, shqiptarët në Luginë të Preshevës, në Mal të Zi e në Maqedoninë e Veriut e kanë paguar çmimin e politikave agresore serbe.
Sot prioriteti i kryeministrit të Shqipërisë duhet të jenë problemet e brendshme: sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit, respektimi i demokracisë dhe i institucioneve të pavarura. Integrimi europian nuk fitohet me projekte të mjegullta rajonale të stilit “Rama‑Vuçiq”, por me reforma serioze në Shqipëri.
