OPINIONTË FUNDIT

Pas largimit të Hashim Thaçit, Ymeri: Ardhja e Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit solli shpresë për Kosovën; kriza nuk zgjidhet me zgjedhje të reja

Profesori dhe studiuesi shqiptar, Eshref Ymeri, ka reaguar me një analizë kritike për zhvillimet politike në Kosovë, duke theksuar se qytetarët shqiptarë e kanë përjetuar me entuziazëm ardhjen në pushtet të Presidentes Vjosa Osmani dhe Kryeministrit Albin Kurti, por sipas tij, situata aktuale politike ka hyrë në një fazë të ndërlikuar.

Ymeri shprehet se zgjedhja e tyre në krye të institucioneve ishte pritur me shumë shpresë nga shqiptarët.

“Të gjithë shqiptarët e ndershëm u ndien shumë të gëzuar dhe krenarë kur në krye të vendit dolën dy figura të panjollosura nga korrupsioni, mashtrimi dhe hajnia”, deklaron ai, duke shtuar se personalisht kishte përjetuar emocione të forta kur Osmani u zgjodh presidente dhe Kurti kryeministër.

ImageProf.Dr. Eshref YmeriFoto galeri
Sipas tij, kjo periudhë u pa si një moment i rëndësishëm për Kosovën, pasi vendi drejtohej nga figura që ai i konsideron të pastra politikisht.

Megjithatë, profesori vlerëson se situata politike më pas mori një drejtim të gabuar. Ai mendon se para datës 4 mars, Presidentja Osmani do të duhej të tërhiqej nga kandidimi për një mandat të dytë.

“Nëse ajo do të kishte hequr dorë nga kandidimi për herë të dytë, do t’i kishte rritur më shumë autoritetin në sytë e publikut dhe do të krijonte hapësirë për një marrëveshje politike për një kandidat tjetër për president”, thotë Ymeri.

Ai shton se një veprim i tillë do të shërbente edhe si shembull për klasën politike në Shqipëri.

“Në Shqipëri politikanët nuk largohen nga kolltuku derisa të qelbin dynjanë, ndërsa një dorëheqje e tillë do të ishte një model ndryshe për kulturën politike shqiptare”, thekson ai.

Duke komentuar zhvillimet e fundit institucionale, Ymeri kritikon vendimin e Presidentes për shpërndarjen e Kuvendit dhe shkuarjen në zgjedhje të parakohshme, vendim që më pas u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese.

“Ky vendim ishte i nxituar dhe i pajustifikuar, sidomos kur vendi do të përballej me tri procese zgjedhore brenda një viti”, shprehet ai.

Sipas tij, zgjedhjet e reja nuk do ta zgjidhin krizën politike.

“Zgjedhjet e reja nuk do të sjellin asnjë kapërcim të krizës politike. Kjo krizë do të vazhdojë për një kohë të gjatë”, vlerëson Ymeri.

Ai rendit katër faktorë që, sipas tij, ndikojnë në thellimin e krizës politike në Kosovë. Sipas profesorit, faktori i parë është presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuqic, të cilin e akuzon për ndikim përmes përfaqësimit të minoritetit serb në Kuvend.

Si faktor të dytë, Ymeri përmend kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, për të cilin thotë se është kritikuar edhe nga ish-kryeministri Sali Berisha, që e ka cilësuar atë “kërcënim të rrezikshëm për vendin”.

Faktori i tretë, sipas tij, është opozita e lidhur me ish-presidentin Hashim Thaçi, të cilën ai e akuzon për bashkëpunim me Serbinë në marrëveshjet e Brukselit.

Ndërsa si faktor të katërt përmend ish-emisarin amerikan për dialogun Kosovë–Serbi, Richard Grenell, për të cilin thotë se ka mbajtur qëndrime të ashpra ndaj qeverisë Kurti.

Në fund të analizës së tij, Ymeri bën thirrje që marrëdhëniet mes Osmanit dhe Kurtit të mos përkeqësohen.

“Nëse mes tyre ka acarime politike, kjo do të ishte e papranueshme dhe zhgënjyese për qytetarët, sidomos kur Kosova përballet me sfida të mëdha politike dhe gjeopolitike”, shprehet ai.

Sipas profesorit, uniteti institucional dhe politik është i domosdoshëm përballë presioneve të jashtme dhe krizës së brendshme politike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *