OPINIONTË FUNDIT

Pritja deri më 31 mars nxit dyshime – a po tentohet të ndikohet Gjykata Kushtetuese?

31 marsi është data kur Gjykata Kushtetuese do të marrë vendim lidhur me dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit.

Gjersa pritet ky vendim, tashmë ngriten edhe shqetësime për ndërhyrje në proces.

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, të mërkurën përmes një reagimi publik ka ngritur shqetësimin e tij lidhur me ndërhyrjet e disa ambasadorëve në punën e Gjykatës Kushtetuese.

Ai madje u ka bërë thirrje diplomatëve që të përmbahen nga vizitat, takimet apo çdo formë ndikimi ndaj këtij institucioni.

“I lus disa ambasadorë që të mos e shkatërrojnë Gjykatën Kushtetuese me vizita, takime e ndërhyrje, sepse dëmet për vendin tonë do të jenë të pariparueshme”, ka deklaruar deputeti.

Ai ka theksuar se pavarësia e Gjykatës Kushtetuese është thelbësore për funksionimin demokratik të shtetit dhe për ruajtjen e rendit kushtetues në vend.

Njohësit e drejtësisë kanë folur për “Bota sot” rreth hapësirës për dyshime të tilla e ndikim. Sipas tyre, nëse ka fakte, atëherë kjo është përpjekje për ndikim dhe si e tillë është e papranueshme. Ata e konsiderojnë të çuditshëm faktin e hapësirës kohore deri më 31 mars, por edhe e arsyetojnë për shkak të kompleksitetit të çështjes.

“Cilido variant është i papranueshëm”

Juristi Blerim Burjani, thotë se nëse Rrustemi ka fakte për këtë atëherë kjo është e papranueshme.

Sipas tij, Gjykata është e pavarur dhe askush nuk mund të ushtrojë presion apo të ndërhyjë në formën apo përmbajtjen e aktgjykimit.

“Nëse ekzistojnë fakte, siç pretendon Rrustemi, atëherë kjo përbën përpjekje për ndikim dhe është e papranueshme. Gjykata është e pavarur dhe askush nuk mund të ushtrojë presion apo të ndërhyjë në formën apo përmbajtjen e aktgjykimit. Pra, në cilëndo variant, një veprim i tillë mbetet i papranueshëm”, deklaron Burjani.

ImageJuristi Blerim BurjaniFoto galeri
Ai e sheh të çuditshëm hapësirën kohore për të konstatuar një gjendje të thjeshtë, sipas tij, nuk ka pasur nevojë të kërkohen faktet nga palët dhe neni është i qartë.

“Së dyti, është e çuditshme pse po merret kaq shumë kohë për të konstatuar një gjendje kaq të thjeshtë, ndërkohë që shteti pezullohet nga veprimet e një institucioni të tij, siç është Kuvendi. Nuk ka pasur nevojë të kërkohen fakte nga palët, pasi fakti kryesor është vetë Kushtetuta, konkretisht neni 86 i saj. Ky nen është shumë i qartë. Prandaj, është pothuajse e papranueshme që të merret kaq shumë kohë dhe të pezullohet puna e Kuvendit”, shprehet juristi.

Tutje, ai shton se Gjykata Kushtetuese është një gjykatë e interpretimit të shkronjës së ligjit dhe kjo mund të shihet vetëm si marrje kohe për interpretim.

“Megjithatë, e vërteta është se kjo gjykatë mbetet e popullarizuar për sqarimin e Kushtetutës. Interpretim politik nuk bëhet, por vetëm sqarim i normave kushtetuese.

Kjo është një gjykatë e interpretimit të shkronjës së ligjit – nga drejtshkrimi e deri te interpretimi qëllimor, sistematik dhe krahasues. Prandaj, kjo mund të shihet vetëm si marrje kohe për interpretim. Megjithatë, masa e sigurisë e shqiptuar ka sjellë një pezullim funksional të Kuvendit”, shton Burjani.

Rreth deklaratës së Rrustemit, të mërkurën ishte pyetur ambasadori francez në Kosovë, Oliver Guerot, i cili nuk pranoi të komentojë deklaratat.

Por, sipas tij edhe mungesa e komentit është një lloj komenti.

“Nuk kam ndonjë koment, faleminderit, dhe mungesa e komentit është një koment”, tha Guerot.

Kurse, i pyetur edhe për situatën aktuale politike në vend, ai ka thënë se është takuar me disa përfaqësues të partive, por sipas tij këto subjekte duhet ta zgjidhin këtë çështje.

“Jo, nuk dua të spekuloj, po takohem me të gjithë palët e interesuara, disa i kam takuar, të tjerët do t’i takoj, por Kosova është një vend sovran, prandaj është për partitë politike të Kosovës që të zgjidhin këto çështje”, ka shtuar Guerot.

Ndërsa, të njëjtën ditë, pra të mërkurën ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, u takua me ministren e Drejtësisë, Donika Gërvalla.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se ka folur më Gërvallën për rëndësinë e zgjidhjes së shpejtë të sfidave politike në mënyrë që Kosova të mund të përparojë dhe të ofrojë rezultate për qytetarët.

“Sot pasdite e urova Ministren e Drejtësisë Donika Gërvalla-Schëarz për rolin e saj të ri dhe diskutuam rëndësinë e zgjidhjes së shpejtë të sfidave politike në mënyrë që Kosova të mund të ecë përpara dhe të japë rezultate për qytetarët. Gjithashtu folëm për vazhdimin e bashkëpunimit në luftimin e dhunës me bazë gjinore dhe për mbështetjen e të mbijetuarve të dhunës seksuale të lidhur me konfliktin – që mbetet një prioritet për Mbretërinë e Bashkuar – si dhe për punën e Mbretërisë së Bashkuar në mbështetje të sektorit të drejtësisë”, thuhet në njoftim.

Dy planet e shqetësimit

Nuk dihet nëse në takim me Gërvallën u diskutua shqetësimi i deputetit të LVV-së, por avokati Gazmend Halilaj thotë se ky shqetësim duhet parë në dy plane.

Ai konsideron se thirrja e Rrustemit mund të interpretohet si ndikim i jashtë në një institucion që duhet të jetë plotësisht i pavarur.

“Shqetësimi i deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, për ndërhyrje të mundshme të ambasadorëve në punën e Gjykatës Kushtetuese duhet parë në dy plane: në planin politik dhe në atë institucional. Nga njëra anë, është e kuptueshme që aktorët politikë të jenë të ndjeshëm ndaj çdo sinjali që mund të interpretohet si ndikim i jashtëm në një institucion që duhet të jetë plotësisht i pavarur. Thirrja e tij që diplomatët të përmbahen nga vizitat apo kontaktet që mund të perceptohen si presion synon të mbrojë integritetin dhe kredibilitetin e Gjykatës Kushtetuese. Nga ana tjetër, në demokracitë parlamentare është e zakonshme që përfaqësues diplomatikë të kenë komunikim institucional me autoritetet e vendit, ndaj çdo kontakt nuk nënkupton domosdoshmërisht ndërhyrje apo ndikim në vendimmarrje”, deklaron Halilaj.

ImageAvokati Gazmend HalilajFoto galeri
Ai distancën kohore deri më 31 mars e sheh si periudhë që mund të krijojë perceptime apo dyshime në opinion publik, por sipas tij, është në praktikën e gjykatave kushtetuese që pas vendimit të shpallur të nevojitet kohë për përgatitje e arsyetim të plotë juridic.

“Sa i përket distancës kohore deri më 31 mars për publikimin e vendimit të plotë, një periudhë e tillë mund të krijojë perceptime apo dyshime në opinionin publik, sidomos kur bëhet fjalë për një çështje me peshë të madhe politike. Megjithatë, në praktikën e gjykatave kushtetuese është e zakonshme që pas vendimit të shpallur të nevojitet kohë për përgatitjen e arsyetimit të plotë juridik, i cili shpesh përfshin analiza të gjera ligjore, referenca në jurisprudencë dhe harmonizim të qëndrimeve të gjyqtarëve”, thekson avokati.

Sipas tij, arsyeja pse u caktua një periudhë e tillë është për shkak të kompleksitetit të çështjes.

Ai shton se në raste të ndjeshme politike, duhet kujdes i shtuar.

“Arsyeja pse Gjykatës Kushtetuese mund t’i duhet një periudhë e tillë lidhet pikërisht me kompleksitetin e çështjes. Vendimet e saj nuk kanë vetëm efekt për rastin konkret, por krijojnë edhe standarde juridike për të ardhmen. Për këtë arsye, gjykata zakonisht merr kohën e nevojshme për të ndërtuar një argumentim të fortë dhe të qëndrueshëm juridik, në mënyrë që vendimi të jetë i qartë, i mbrojtshëm dhe i pranueshëm në plan institucional. Në raste të ndjeshme politike, kjo kujdes i shtuar synon të ruajë legjitimitetin e institucionit dhe besimin e publikut në pavarësinë e tij”, përfundon Halilaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *