OPINIONTË FUNDIT

Fazliu për ngjarjet në Kosovë: Kur politika e vjetër zgjedh krizën përballë përgjegjësisë

Bekim Fazliu, kryetar i Lëvizja Arbëria në Maqedonia e Veriut, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit politike në Kosovë dhe debatin për zgjedhjen e Presidentit. Në një qëndrim publik, ai thekson se demokracia nuk mund të reduktohet vetëm në aritmetikë votash apo në bllokada politike, por duhet të mbështetet mbi përgjegjësi institucionale dhe respekt për rendin kushtetues. Sipas tij, bojkoti i proceseve parlamentare dhe pamundësimi i funksionimit normal të institucioneve nuk përbëjnë betejë demokratike, por rrezikojnë stabilitetin e republikës parlamentare.
Postimi i plote:
“1.
Demokracia nuk është aritmetikë votash.
Nuk është një peshore ku peshohet vetëm forca e shumicës dhe heshtet përgjegjësia e opozitës. Demokracia është kulturë politike, etikë e pushtetit dhe mbi të gjitha respekt e përgjegjësi për institucionet që i japin formë shtetit, si nga pozita, ashtu edhe nga opozita.

Në Kosovë sot nuk po testohet vetëm zgjedhja e Presidentit. Po testohet vetë kuptimi i republikës parlamentare.
Sepse një republikë parlamentare nuk funksionon me bojkot, por me përgjegjësi.

2.
Kushtetuta nuk është manual taktikash për t’u përdorur sipas interesit të ditës. Ajo është kontrata themelore e shtetit. Zgjedhja e Presidentit në Kuvend nuk është çështje taktike, por detyrim kushtetues. Kur deputetët zgjedhin të mos marrin pjesë në seancë me qëllim pamundësimin e kuorumit, kjo nuk është më betejë demokratike. Kjo është sabotim i qëllimshëm institucional.

Demokracia nuk i njeh sabotuesit si strategë.
I njeh si prodhues krize.

Bojkoti në këtë rast nuk është opozitarizëm.
Është arratisje nga përgjegjësia dhe përpjekje për ta marrë peng republikën kur nuk mund ta fitosh me votë.

Në një shtet ligjor ekziston vetëm një adresë për zgjidhjen e dilemave të tilla: Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Republikat parlamentare nuk funksionojnë mbi improvizim politik, por mbi interpretim të qartë të normës kushtetuese.

Pikërisht për këtë arsye kërkesa e kryeministrit Albin Kurti që fjala e fundit të thuhet nga Gjykata Kushtetuese nuk është manovër politike. Është respekt për rendin kushtetues. Në një republikë serioze, kur lind një konflikt institucional, politika nuk shpall fitues sipas interesit të momentit, ajo i drejtohet arbitrit kushtetues.

Sepse shteti ligjor nuk funksionon me impuls, por me procedurë.

Prandaj “ngutja” për të shpërndarë parlamentin pa pritur interpretimin e Gjykatës Kushtetuese ishte politikisht e diskutueshme dhe institucionalisht e nxituar. Në një demokraci të pjekur, edhe Presidenti është i detyruar t’i nënshtrohet qartësisë kushtetuese. Autoriteti i institucionit nuk buron nga shpejtësia e vendimit, por nga përputhja e tij me Kushtetutën.

3.
Në thelb, demokracia është një kontratë morale mes qytetarit dhe përfaqësuesit. Mandati i deputetit nuk merret për të prodhuar krizë, por për të garantuar funksionimin normal të shtetit. Është detyrim për stabilitet dhe për të gjetur zgjidhje.

Kur politika e krizës zëvendëson politikën e përgjegjësisë, shteti rrezikon të bëhet peng i ambicieve partiake dhe personale.

Prandaj çështja e Presidentit nuk është thjesht një votim.
Është provë serioziteti për klasën politike në Kosovë.

Sepse shtetet serioze ndërtohen mbi kulturë kushtetuese, mbi përgjegjësi publike dhe mbi respekt për institucionet.

Ndërsa ata që nuk arrijnë ta fitojnë betejën politike në sallën e Kuvendit, nuk kanë të drejtë ta bllokojnë shtetin jashtë saj.

Sepse republika nuk është peng i askujt.
As i shumicës.
E aq më pak i një opozite që krizën e përdor si strategji politike.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *