OPINIONTË FUNDIT

Presidenti i pazgjedhur, politika në kaos: A po shkon Kosova drejt zgjedhjeve të reja?

Dështimi i seancës për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës ka thelluar pasigurinë në skenën politike të vendit dhe ka shtuar shqetësimet për një ngërç të mundshëm institucional.

Zhvillimet e njëpasnjëshme kanë komplikuar më tej situatën: fillimisht, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, iu drejtua Gjykatës Kushtetuese për të vlerësuar kushtetutshmërinë e procedurës së ndjekur për zgjedhjen e presidentit dhe kërkoi pezullimin e afatit kushtetues deri në një vendim të gjykatës. Megjithatë, vetëm pak orë më vonë, presidentja Vjosa Osmani vendosi të shpërndajë Kuvendin përmes dekretit, duke i hapur rrugë mbajtjes së zgjedhjeve të reja.

E në lidhje me këto zhvillime dhe për atë se çka e pret vendin në vijim, për “Bota sot” foli analisti politik, Faton Mehmeti.

ImageFaton Mehmeti.Foto galeri
Së pari, u shpreh se me dështimin për zgjedhjen e presidentit të ri, Kosova po hyn në një ngërç politik dhe në një sitautë të tensionuar.

“Dështimi i seancës për zgjedhjen e presidentit tregon se Kosova po hyn sërish në një fazë të tensionuar politike. Nëse palët politike vazhdojnë me qëndrime të ngurta dhe me logjikën e bllokadës, ekziston rreziku real që vendi të përballet me një krizë të re institucionale”.

Sipas Mehmetit, ende ka kohë për të shmangur zgjedhjet dhe të arrihet një kompromis mes partive politike për presiendin, e që ky i fundit tha se është figurë unfikuese dhe nuk duhet të bëhet pazare me të.

“Presidenti është figurë kyçe për funksionimin e institucioneve dhe kur zgjedhja e tij shndërrohet në objekt pazari politik, kjo tregon mungesë përgjegjësie ndaj stabilitetit të vendit. Nëse nuk arrihet një kompromis në raundet e ardhshme, skena politike mund të hyjë në një spirale të re përplasjesh që potencialisht mund ta çojë vendin edhe drejt zgjedhjeve të reja”, shtjelloi ai.

Në fund, analisti shtoi se, pas 28 dhjetorit pritshmërit ishin që vendit t’i ktheje stabiliteti, por që fatkeqësisht rivalitetit politik po e dominon interesin shtetëror.

“Pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit pritej që skena politike të qetësohej dhe të kishte më shumë përgjegjësi institucionale, por zhvillimet e fundit tregojnë se rivalitetet politike vazhdojnë të dominojnë mbi interesin shtetëror.

Megjithatë, ende ka hapësirë që partitë të reflektojnë dhe të gjejnë një zgjidhje që e nxjerr vendin nga kjo situatë pa hyrë në një krizë më të thellë politike”, përfundoi Faton Mehmeti për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *