OPINIONTË FUNDIT

Zgjedhjet e reja në Kosovë – njohësit tregojnë nëse ndërhyrja ndërkombëtare mund ta kishte shmangur krizën

Zgjedhjet e reja në Kosovë – njohësit tregojnë nëse ndërhyrja ndërkombëtare mund ta kishte shmangur krizën
Politika
Zgjedhjet e reja në Kosovë – njohësit tregojnë nëse ndërhyrja ndërkombëtare mund ta kishte shmangur krizën
Majlinda HaziriNga Majlinda Haziri Më 7 mars 2026 Në ora: 10:04

Foto galeri
Kuvendi i Kosovës“Ndërhyrja e ndërkombëtarëve për të shmangur zgjedhjet është e vonë dhe e panevojshme; liderët vendorë duhet të tregojnë pjekuri politike”“Ndërhyrja ndërkombëtare mund të ishte e dobishme vetëm si përpjekje e fundit, jo si zëvendësim i politikës vendore”
Gjatë ditës së sotme Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nxori dekret për shpërndarje të Kuvendit meqë, sipas saj, përfaqësuesit e popullit “vendosën ta çojnë vendin në zgjedhje”.

“Nëpërmjet këtij dekreti po kryej detyrimin kushtetues i cili është i përcaktuar qartë…Është fatkeqësi e madhe që ata [deputetët] nuk zgjodhën interesin e Kosovës”, tha Osmani në një konferencë për media.

Sipas saj, përpjekjet e dështuara të një nate më parë për ta zgjedhur presidentin në Kuvend, nuk ishin as rastësore, as të pamendura, ndonëse deputetët i patën 23 ditë për ta finalizuar procesin prej konstituimit të institucionit.

“Përkundrazi, shumë mirë të kalkuluara dhe ideuara, për fat të keq”, shtoi Osmani.

Duke pasur parasysh se për shkak të mosarritjes së një marrëveshjeje politike vendi po shkon drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme, në debat rikthehet edhe roli i faktorit ndërkombëtar.

Në të kaluarën, ndërhyrjet dhe ndërmjetësimet e partnerëve ndërkombëtarë kanë ndihmuar në tejkalimin e krizave politike dhe në arritjen e kompromiseve institucionale, përfshirë edhe proceset e zgjedhjes së presidentit.

Megjithatë, mbetet e paqartë nëse një ndërhyrje e tillë do të ishte ende e mundur apo efektive në këtë fazë, apo nëse procesi politik tashmë ka hyrë në një pikë ku zgjedhjet e jashtëzakonshme janë të pashmangshme.

Shabani: Mosmbështetja ndaj Vjosa Osmanit dhe nominimi i Glauk Konjufcës për President konsiderohet, së paku, mosmirënjohje

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur njohësi për çështje ndërkombëtare, Amir Shabani.

ImageAmir ShabaniFoto galeri
Ai thotë që mosarritja e marrëveshjes për zgjedhjen e Presidentit/es tregon papjekuri politike, sepse këmbëngulja në qëndrime pa kompromis dhe pa alternativa dëmton funksionimin e demokracisë dhe interesin e qytetarëve.

“Dështimi për mos arritjen e një marrëveshjeje politike sa i përket zgjedhjes së Presidentit/es mendoj se më shumë mund të klasifikohet si papjekuri politike. E them kështu pasiqë një dështim të tillë kishim edhe në konstituimin e Kuvendit dhe insistimi në diçka pa marrëveshje dhe alternativa tjera, nuk i shërben demokracisë dhe qytetarëve”, foli Shabani.

Tutje, njohësi shton që mosmbështetja e Vjosa Osmanit nga Qeveria është një veprim i gabuar dhe mosmirënjohës, ndërsa ndërhyrja e ndërkombëtarëve për të shmangur zgjedhjet është e vonë dhe e panevojshme, sepse përgjegjësia për zgjidhjen e krizës u takon vetë liderëve vendorë

“Mosmbështetja e Presidentes aktuale, Vjosa Osmani nga ana e Qeverisë e konsideroj si akt të gabuar, sepse të dy (Kurti dhe Osmani) kanë fituar besim e popullaritet kur dolën në zgjedhje me përkrahje të njëri-tjetrit, kështu që, mosmbështetja ndaj saj dhe nominimi i Glauk Konjufcës për President, së paku konsiderohet mosmirënjohje.

Sa i përket ndërhyrjes së ndërkombëtarëve për dërgimin e vendit drejt zgjedhjeve është vonë dhe e panevojshme, sepse liderët shtetërorë duhet pasur vigjilencën dhe pjekurinë politike për veprimet që ndërmarrin, e jo vazhdimisht të kenë ndërhyrje nga jashtë për secilin proces, sepse kjo tregon paaftësi të politikbërjes”, potencoi njohësi për çështje ndërkombëtare, Amir Shabani për “Bota sot”.

Gashi: Kosova sot nuk ka nevojë për një lider që vetëm fiton përballje, ka nevojë për një lidership që krijon dalje

ImageEduard GashiFoto galeri
Ndërsa njohësi për çështje politike, Eduard Gashi në një bashkëbisedim me “Bota sot”, shprehet se ndërhyrja ndërkombëtare mund të kishte ndihmuar vetëm më herët, ndërsa tani është vonë për të ndalur zgjedhjet e jashtëzakonshme pasi procesi politik tashmë ka arritur në këtë pikë.

Sipas tij, problemi kryesor nuk është mungesa e ndërhyrjes nga jashtë, por mungesa e përgjegjësisë dhe kompromisit nga vetë liderët politikë vendorë.

“Po, një ndërhyrje ndërkombëtare mund të kishte peshë vetëm më herët, në fazën kur ende ekzistonte një dritare politike për kompromis. Tani, praktikisht është vonë për ta evituar procesin, sepse më 6 mars 2026 Presidentja Vjosa Osmani e shpërndau Kuvendin dhe shpalli zgjedhje të jashtëzakonshme, pasi deputetët nuk arritën ta zgjedhin presidentin brenda afatit kushtetues. Dështimi erdhi edhe sepse opozita nuk mori pjesë në seancën vendimtare, ndërsa pushteti këmbënguli me kandidatin e vet në vend të një emri konsensual. Këto do të jenë zgjedhjet e treta brenda pak më shumë se një viti.

Por thelbi është më i rëndë se kaq: problemi nuk është mungesa e ndërhyrjes ndërkombëtare; problemi është mungesa e përgjegjësisë politike vendore. Historia e Kosovës njeh raste kur faktori ndërkombëtar ka shtyrë kompromisin — si në vitin 2011, kur pas krizës rreth zgjedhjes së presidentit u arrit marrëveshja për Atifete Jahjagën me ndërmjetësim amerikan. Pra, precedent ka pasur. Por precedenti nuk është zgjidhje e shëndetshme për një republikë që pretendon pjekuri demokratike.

Prandaj përgjigjja ime është kjo: jo, sot nuk do të duhej kërkuar një “shpëtim” i jashtëm për t’i ndalur zgjedhjet; do të duhej kërkuar llogari e brendshme pse u lejua që vendi të shkonte deri këtu. Ndërhyrja ndërkombëtare, nëse ndodh, mund të shërbejë vetëm për uljen e tensioneve dhe për të nxitur standarde të procesit, jo për ta zëvendësuar vullnetin politik që ka munguar”, shpjegon analisti.

Gashi tutje argumenton se refuzimi i kompromisit në politikë nuk po bëhet për parime, por për interesa të ngushta politike dhe ego personale.

Ai thotë se, nëse një lider fiton zgjedhjet, por nuk arrin të krijojë stabilitet dhe funksionalitet në shtet, atëherë ai nuk po e qeveris vendin, por po e përdor krizën për përfitim politik.

“Sepse politika, siç e ka përmbledhur filozofia rugoviane, ka nevojë për besë dhe shpresë. E këtu pikërisht dështimi bëhet i dukshëm. Albin Kurti erdhi në pushtet duke thënë se nuk bën pazare. Në teori kjo tingëllon parimore. Në praktikë, kur një vend hyn nga ngërçi në ngërç, nga zgjedhjet në zgjedhje, nga kriza në krizë, atëherë nuk kemi më të bëjmë me parim, por me llogaritje të forta për interes të ngushtë politik. Nuk është refuzim i pazarit për hir të shtetit; është refuzim i kompromisit kur kompromisi nuk i shërben egos politike.

Dhe këtu qëndron problemi i madh:

nëse ti fiton zgjedhjet, por nuk arrin ta bësh shtetin funksional;

nëse ti merr mandatin, por nuk arrin të ndërtosh shumicë morale e politike për tema themelore;

nëse ti flet në emër të popullit, por e lë popullin pa stabilitet, pa qartësi, pa dalje nga rrethi vicioz —

atëherë ti nuk po qeveris; ti po e konsumon shtetin për ta ushqyer veten politikisht”, theksoi ai.

Në fund, njohësi nënvizon se Kosovës i duhet një lidership që krijon stabilitet dhe zgjidhje politike, jo vetëm fitore elektorale dhe retorikë force.

Sipas tij, ndërhyrja ndërkombëtare mund të kishte ndihmuar vetëm si përpjekje e fundit, por përgjegjësia kryesore për funksionimin e shtetit dhe daljen nga kriza u takon vetë liderëve vendorë.

“Kosova sot nuk ka nevojë për një lider që vetëm fiton përballje. Ka nevojë për një lidership që krijon dalje. Sepse qytetarët nuk ushqehen me retorikë force. Qytetarët kanë nevojë për institucione që punojnë, për horizonte që hapen, për klimë besimi. Kur vendi çohet sërish në zgjedhje të jashtëzakonshme, mesazhi që jepet është i zymtë: se pushteti di të numërojë votat, por nuk di të ndërtojë ura.

Prandaj, nëse pyetja shtrohet prerë — a duhej ndërhyrje ndërkombëtare për t’i evituar zgjedhjet? — unë do të thosha: do të kishte qenë e dobishme vetëm si përpjekje e fundit para afatit, por jo si zëvendësim i politikës vendore. Sot është vonë për ta ndalur procesin. Tani vendi duhet të shkojë në zgjedhje. Por pas tyre, Kosova duhet të dalë nga logjika e kokëfortësisë, e inatit dhe e egos. Sepse shteti nuk mbahet me kryeneçësi. Shteti mbahet me besë, me pjekuri dhe me shpresë”, përfundoi për “Bota sot”, njohësi për çështje politike, Eduard Gashi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *