OPINIONTË FUNDIT

‘Ujqërit e vetmuar’/ Anton Quni flet për thirrjet serbe ndaj Bondsteel – tregon çfarë fshihet pas tyre!

SHBA-ja dhe Izraeli më 28 shkurt nisën një operacion ndaj objektivave të rëndësishme në Iran, përfshirë objekte ushtarake iraniane dhe rezidenca të zyrtarëve më të lartë të vendit.

Në këtë operacion, të cilit i parapriu disa javë tensionesh dhe grumbullim i përshpejtuar i forcave ushtarake amerikane, u vra udhëheqësi suprem iranian, ajatollah Ali Khamenei.

E të gjendur në këtë situatë gjatë ditës së djeshme u bënë publike disa komente vandaliste nga serbët.

“Mos e gjyko, godite Bondsteel-in” ose “Ja edhe një bazë amerikane! Faleminderit paraprakisht”, janë disa nga komentet që qarkullojnë në kanalet e aplikacionit Telegram dhe në rrjete të tjera sociale që nga 28 shkurti, kur Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli i nisën sulmet kundër Iranit.

Kampi Bondsteel, i cili ndodhet pranë Ferizajt në Kosovë, është baza më e madhe ushtarake amerikane në Ballkan.

Në disa grupe në Telegram, të cilat kanë nga 10.000 deri mbi 80.000 ndjekës, publikohen edhe harta me vendndodhjen e shënuar të Bondsteel-it, të shoqëruara me komente si “Ky është kërcënimi më i madh për Iranin aktualisht”, ose harta të rrezes së raketave balistike iraniane me fokus në Kosovë, me përshkrimin “Thjesht bëje”.

E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur deputeti Anton Quni.

Deputeti thotë se thirrjet dhe hartat e shpërndara në rrjete sociale janë kryesisht propagandë për presion psikologjik dhe për të krijuar pasiguri te qytetarët e Kosovës, jo domosdoshmërisht kërcënim real ushtarak.

Ai nënvizon gjithashtu se grupe radikale serbe shfrytëzojnë kriza si konflikti SHBA-Iran për të harmonizuar narrativat kundër NATO-s dhe për ta rikthyer në vëmendje çështjen e Kosovës.

“Situata që përshkruani pasqyron një gërshetim të luftës hibride dhe oportunizmit politik. Për të vlerësuar nëse propaganda mund të shndërrohet në rrezik real për kampin Bondsteel dhe sigurinë e Kosovës, duhet të ndajmë zhurmën digjitale nga kapacitetet operacionale.

Thirrjet në rrjetet sociale dhe publikimi i hartave me rrezen e raketave iraniane shërbejnë kryesisht për dy qëllime:

-Presioni psikologjik: Synohet krijimi i një ndjenje pasigurie te qytetarët e Kosovës dhe testimi i vigjilencës së institucioneve.

-Harmonizimi i narrativave: Grupet radikale serbe shpesh përdorin kriza globale (si konflikti SHBA-Iran) për të rikthyer vëmendjen te “çështja e Kosovës”, duke u rreshtuar krah kundërshtarëve të NATO-s”, u shpreh deputeti.

Quni tutje potencon se ndonëse ekziston dallim i madh mes propagandës online dhe një sulmi real dhe se një goditje iraniane ndaj një baze të NATO-s do të ishte e pamundur për shkak të Nenit 5, rreziku më i madh mbetet nga individë apo grupe paraushtarake të radikalizuara që mund të kryejnë akte destabilizuese.

“Në aspektin ushtarak dhe të sigurisë, dallimi mes një postimi në Telegram dhe një sulmi konkret është i madh.

Ndonëse Irani ka raketa me rreze të gjatë, një sulm direkt ndaj një baze të NATO-s në Europë do të aktivizonte Nenin 5 të Aleancës, gjë që do të ishte vetëvrasje politike për Teheranin.

Rreziku më i madh nuk vjen nga raketat iraniane, por nga “ujqërit e vetmuar” ose grupe paraushtarake që, të nxitur nga kjo propagandë, mund të tentojnë akte destabilizuese apo sabotazhe”, foli Quni.

Në fund, deputeti shprehet se, megjithëse Kosova mbetet arenë përplasjesh gjeopolitike, prania e KFOR-it dhe SHBA-së e bën të pamundur një sulm konvencional ndaj Bondsteel.

Sipas tij, rreziku real vjen nga propaganda dhe radikalizimi që mund të nxisin incidente të izoluara, prandaj kërkohet vigjilencë dhe qetësi.

“Kosova mbetet një pikë nevralgjike ku interesat e Perëndimit dhe Lindjes përplasen. Përdorimi i narrativës iraniane nga elementë ekstremistë serbë është një përpjekje për të treguar se SHBA si superfuqi po sfidohet globalisht. Megjithatë, prania e KFOR-it dhe angazhimi i drejtpërdrejtë i SHBA-së në Kosovë e bëjnë çdo tentativë për sulm konvencional mbi Bondsteel praktikisht të pamundur dhe me pasoja katastrofike për sulmuesin.

Rreziku real aktualisht nuk qëndron te raketat balistike, por te radikalizimi i opinionit publik dhe mundësia për incidente të izoluara të sigurisë që ushqehen nga kjo propagandë. Institucionet e sigurisë në Kosovë, në koordinim me partnerët ndërkombëtarë, duhet të fokusohen në monitorimin e këtyre celulave që shpërndajnë këto thirrje, pasi aty buron kërcënimi më i prekshëm.

Siguria e një vendi nuk kërcënohet vetëm nga armët, por edhe nga frika që mbjell propaganda. Ruajtja e qetësisë dhe besimi te mekanizmat e mbrojtjes janë kyçe”, përfundoi deputeti Quni për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *