OPINIONTË FUNDIT

Raketat Javelin në Shqipëri, eksperti shpjegon pse janë të rëndësishëm dhe zbulon efektin indirekt për Kosovën

Shtetet e Bashkuara të Amerikës të premten kanë furnizuar Forcat e Armatosura të Shqipërisë me një numër të konsiderueshëm raketash antitank Javelin, të cilat konsiderohen ndër sistemet më moderne dhe më efektive në botë për mbrojtje tokësore.

Lajmi u konfirmua nga e ngarkuara me punë e SHBA-së në Shqipëri, Nancy VanHorn, e cila e cilësoi këtë zhvillim si një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

Ajo theksoi se sistemi Javelin përfaqëson teknologji të avancuar ushtarake, duke veçuar funksionin “gjuaj dhe harro”, që u mundëson operatorëve të largohen menjëherë pas lëshimit të raketës. Po ashtu, raketat posedojnë aftësinë e sulmit nga lart, duke goditur pikën më të dobët të blindimit të mjeteve armike.

VanHorn përmendi edhe praninë e Komandantit të Detashmentit të Gardës së Sigurisë të Marinës së Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, Rreshterit të Lartë Manuel Coronado, i cili më herët ka shërbyer në sistemet e raketave Javelin. Sipas saj, ai e përshkroi sistemin si “shumë, shumë të shkëlqyer”, duke nënvizuar teknologjinë e përparuar dhe aftësitë mbresëlënëse të tij.

Sipas përfaqësueses amerikane, furnizimi me këto sisteme dëshmon angazhimin e vazhdueshëm të SHBA-së për stabilitetin rajonal dhe përforcon kapacitetet mbrojtëse të Shqipërisë në kuadër të NATO-s.

Ajo shtoi se Javelinët ndihmojnë Shqipërinë të përmbushë angazhimet e saj për shpenzimet e mbrojtjes dhe objektivat e aftësive të NATO-s, duke kontribuar drejtpërdrejt në sigurinë kombëtare dhe mbrojtjen kolektive të aleancës.

Në fund, VanHorn vlerësoi kontributin e Shqipërisë me trupa dhe pajisje në misionet e NATO-s dhe operacionet ndërkombëtare, duke theksuar se partneriteti mes dy vendeve mbetet i fortë dhe i qëndrueshëm në një kohë sfidash të shtuara për sigurinë globale.

Eksperti i sigurisë, Arben Dashevci, thotë se se pajisja e Shqipërisë me sistemet FGM- 148 Javelin përfaqëson një moment të rëndësishëm.

Sipas tij, Shqipëria, duke integruar sisteme të avancuara perëndimore, rrit kapacitetin e saj për parandalim konvencional dhe fiton një formë barazimi asimetrik ndaj forcave të mekanizuara më të mëdha

“Nuk ka dyshim që pajisja e Shqipërisë me sistemet FGM-148 Javelin përfaqëson një moment të rëndësishëm në arkitekturën e sigurisë kombëtare dhe në konsolidimin e rolit të saj brenda NATO. Në thelb të teorive klasike të sigurisë qëndron parimi se paqja ruhet përmes fuqisë së besueshme parandaluese. Një shtet i vogël në dimension territorial dhe demografik nuk e garanton mbijetesën përmes masës, por përmes cilësisë së kapaciteteve dhe rritjes së kostos për çdo aktor që do të konsideronte përdorimin e forcës. Javelin, si sistem me aftësi goditjeje nga lart kundër mjeteve të blinduara moderne, krijon pikërisht këtë efekt.. transformon terrenin në një hapësirë me rrezik të lartë për çdo ndërhyrje tokësore dhe rrit ndjeshëm koston e agresionit potencial. Në optikën e realizmit strukturor, siguria është funksion i shpërndarjes së fuqisë dhe aftësisë për vetëmbrojtje. Shqipëria, duke integruar sisteme të avancuara perëndimore, rrit kapacitetin e saj për parandalim konvencional dhe fiton një formë barazimi asimetrik ndaj forcave të mekanizuara më të mëdha. Kjo nuk nënkupton militarizim agresiv, por përforcim të mbijetesës në një mjedis ndërkombëtar ku pasiguria është konstante”, deklaron Dashevci.

ImageArben DashevciFoto galeri
Në kuadrin e sigurisë kolektive, ky zhvillim ka peshë të madhe thotë Dashevci, ndërsa në planin strategjik mesazhi është i qartë se sovraniteti nuk delegohet, ai forcohet.

“ Në kuadrin e sigurisë kolektive, ky zhvillim ka peshë edhe më të madhe. Si anëtare e NATO-s, Shqipëria nuk është thjesht përfituese e Nenit 5, por pjesë e një sistemi ku çdo kontribut rrit kohezionin e tërësisë. Pajisja me Javelin rrit ndërveprueshmërinë me forcat aleate, harmonizon doktrinën me standardet perëndimore dhe e pozicionon vendin si kontribuues real në mbrojtjen e përbashkët. Kjo e zhvendos Shqipërinë nga një konsumator sigurie drejt një prodhuesi të saj, duke forcuar kredibilitetin strategjik brenda Aleancës. Konfliktet moderne, përfshirë luftën në Ukraine, kanë treguar se sistemet portative anti-tank mund të ndryshojnë ekuilibrin operacional duke neutralizuar epërsinë numerike dhe teknologjike të forcave të blinduara. Për një vend me terren malor dhe konfigurim kompleks si Shqipëria, këto sisteme shumëfishojnë efektin mbrojtës, krijojnë fleksibilitet taktik dhe përputhen me konceptet bashkëkohore të mbrojtjes së shpërndarë dhe shumë-dimensionale. Në planin strategjik, mesazhi është i qartë: sovraniteti nuk delegohet, ai forcohet. Investimi në kapacitete të avancuara nuk është shenjë lufte, por garanci paqeje përmes fuqisë së besueshme. Në përputhje me parimet themelore të sigurisë, stabiliteti ndërtohet kur një shtet demonstron aftësi reale për të mbrojtur territorin dhe për të kontribuar në ekuilibrin kolektiv. Në këtë kuptim, Javelin nuk është thjesht një sistem armësh është një instrument i konsolidimit strategjik, një shumëfishues force dhe një garanci se çdo kalkulim kundër sigurisë së Shqipërisë do të përballet me kosto të papranueshme”, shprehet eksperti.

Furnizimi i ri i Forcave të Armatosura të Shqipërisë, siguron balancën e sigurisë në rajon, thotë Dashevci.

“Po, ky furnizim e forcon balancën e sigurisë në rajon dhe këtë mund ta argumentohet qartësisht në përputhje me shkencën bashkëkohore të sigurisë. Nga këndvështrimi i shkollës realiste (kopenhagës) dhe realizmit strukturor, balanca e fuqisë është mekanizmi kryesor që pengon dominimin e një aktori të vetëm në një sistem rajonal. Pajisja e Shqipërisë me sisteme si Javelin nuk krijon epërsi ofensive, por rrit ndjeshëm kapacitetin mbrojtës dhe koston e çdo aventure të mundshme ushtarake në rajon. Kjo përkthehet në balancim mbrojtës defensive , që sipas teorisë së realizmit defensiv kontribuon në stabilitet, sepse zvogëlon incentivat për agresion. Në logjikën e teorisë së parandalimit, elementi kyç nuk është sasia, por kredibiliteti. Kur një shtet demonstron aftësi reale për të neutralizuar forca të mekanizuara, ai rrit ndjeshëm koston e llogaritjeve agresive. Kjo prodhon atë që në studimet e sigurisë quhet parandalim përmes mohimit të suksesit të sulmit. Në një rajon si Ballkani, ku historia ka qenë e ngarkuar me tensione strukturore, rritja e kostos së përdorimit të forcës ka efekt stabilizues, sepse e bën dhunën strategjikisht joracionale…Në kuadër të NATO, ky furnizim është gjithashtu forcim i arkitekturës së sigurisë kolektive. Sipas Nenit 3 të Traktatit të Atlantikut të Veriut, çdo anëtar duhet të zhvillojë kapacitete vetjake rezistence. Kur një anëtar rrit kapacitetet mbrojtëse, ai nuk vepron në vakum, por brenda një sistemi të integruar sigurie që prodhon efekt zinxhir stabilizues në rajon. Sa i përket ndikimit indirekt në stabilitetin e Kosovës, dimensioni është kryesisht strategjik dhe psikologjik”, thekson Dashevci.

I pyetur nëse në kontekstin e tensioneve të herëpashershme në veri të Kosovës, a rrit ky zhvillim ndjenjën e sigurisë dhe fuqinë parandaluese në nivel rajonal, Dashevci thotë se forcohet mjedisi i përgjithshëm i parandalimit në hapësirën shqiptare dhe përreth saj.

“Kosova mbetet nën ombrellën e pranisë ndërkombëtare të sigurisë përmes KFOR, por çdo rritje e kapaciteteve mbrojtëse të Shqipërisë forcon mjedisin e përgjithshëm të parandalimit në hapësirën shqiptare dhe përreth saj. Në terma të kompleksit rajonal të sigurisë, Shqipëria dhe Kosova janë pjesë e të njëjtit nën-sistem sigurie: rrjedhimisht, forcimi i njërës ndikon në perceptimet strategjike ndaj tjetrës. Efekti indirekt nuk është ofensiv, por stabilizues: rritja e kapaciteteve mbrojtëse të një anëtari të NATO-s e bën çdo destabilizim potencial më të kushtueshëm dhe më pak të mundshëm. Kjo ul hapësirën për kalkulime aventuriste dhe forcon logjikën e status quo-së. Në gjuhën e shkencës së sigurisë, kemi të bëjmë me konsolidim të ekuilibrit përmes fuqisë parandaluese, jo me garë armatimi. Prandaj, në mënyrë të qartë dhe në përputhje me teoritë kryesore të sigurisë ndërkombëtare realizmin strukturor, realizmin defensiv, teorinë e parandalimit dhe qasjen e sigurisë kolektive ky furnizim e forcon balancën rajonale dhe kontribuon indirekt në stabilitetin e Kosovës duke rritur koston e çdo skenari destabilizues dhe duke thelluar arkitekturën e parandalimit në Ballkan”, përfundon eksperti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *