“Edi Rama e kapërcen Kosovën, e përjashton Kurtin…” / Gëzim Mekuli ngre akuza ndaj Ramës pas editorialit me Vuçiç në FAZ
Gazetari Gëzim Mekuli ka reaguar ashpër ndaj Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, pas publikimit të një editoriali të përbashkët me Presidentin e Serbisë Aleksandar Vučić në gazetën gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung, ku i kërkohet Bashkimit Evropian anëtarësimi në Hapësirën Shengen.
Në postimin e tij, Mekuli kritikon afrimin politik mes Ramës dhe Vuçiçit, duke e lidhur këtë me deklaratat e fundit të presidentit serb, i cili ka krahasuar bombardimet e NATO-s mbi Serbinë me sulme të tjera ndërkombëtare, duke përmendur edhe pavarësinë e Kosovës si pasojë të ndërhyrjes së vitit 1999.
Sipas Mekulit, Rama po anashkalon Kosovën dhe po përjashton faktorin politik kosovar nga zhvillimet rajonale, duke ngritur pyetjen nëse kjo qasje përbën mbështetje indirekte për qëndrimet e Beogradit në raport me Kosovën.
Postimi i plotë:
Kush je ti Edi dRama?
Rama dhe Vuçiç bëhen sërish bashkë dhe kanë publikuar një editorial të përbashkët në gazetën e njohur gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” ku i kërkojnë BE anëtarësim në Hapësirën Shengen.
Në anën tjetër, sot, miku i Edi dRamës, Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, sapo ka krahasuar bombardimet e NATO-s mbi Serbinë me sulmin e Amerikanëve në Iran.
Ja çka thotë sot, fjalë për fjalë, miku i Edi dRamës:
“E gjithë kjo po kryhet, ashtu siç ndodhi në Serbi, ata gënjyen gjatë gjithë kohës se ishte një katastrofë humanitare, dhe thelbi ishte në dy gjëra – njëra është si një nën-hap brenda të njëjtës pikë, një pikë e vetme, ndryshimi i regjimit në Beograd në vitin 1999, 2000, dhe si pika e dytë – thelbi i të gjithë veprimit të NATO-s, fitimi i pavarësisë së Kosovës, domethënë ndarja e 14 përqind të territorit të Serbisë dhe dhënia e pavarësisë atij territori” .
Dhe Edi dRama e kapërcen Kosovën, e përjashton Kurtin dhe bashkë me Serbinë e moçme të Aleksandër Vuçiqit, lidhë pakt politik, diplomatik dhe ekonomik!
Konsekuent deri në fund: a po e ndihmon dRama Serbinë e Vuçiqit dhe po përjashton shqiptarët e Kosovës dhe Kosovën si gjeo-politikë?
