Xhymshiti reagon ndaj pretendimeve se Dhomat e Specializuara i kontrollon Serbia: Ja çfarë thotë për Hashim Thaçin
Gazetari Vudi Xhymshiti ka thënë se po përhapen dezinformata mbi Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe rolin e ish-presidentit Hashim Thaçi.
Në një postim në Facebook, Xhymshiti shprehet i trishtuar nga pohimet që disa bashkëkombës të tij bëjnë, duke pretenduar se gjykatat speciale janë formuar dhe kontrollohen nga Serbia. Ai i sfidon këto pretendime, duke vënë në pikëpyetje logjikën e tyre.
Xhymshiti thekson se këto pohime janë jo vetëm të pasakta, por edhe të dëmshme për diskursin publik.
Gazetari bën thirrje për edukim dhe reflektim, duke inkurajuar leximin dhe argumentimin e bazuar në fakte.
Postim i plotë:
TRISHTIM
Disa prej bashkëkombasve tanë të dashur dalin e të thonë me një siguri të frikshme se Dhomat e Specializuara të Kosovës qenkan formuar nga Serbia, kontrollohen nga Serbia, udhëzohen nga Serbia dhe madje themelet i paskan në Serbi. Ndërkohë, me të njëjtën frymë, përpiqen të na bindin se heroi i tyre është Hashim Thaçi.
Ndaluni një moment dhe dëgjojeni jehonën e fjalëve tuaja.
A po na thoni vërtet se besoni që Hashim Thaçi është një serb i maskuar si shqiptar, që paska ngritur një gjykatë të tillë për t’i dërguar në bankën e të akuzuarve ish drejtuesit e UÇK-së, përfshirë edhe veten e tij?
Apo ndoshta nuk e zotëroni mjaftueshëm gjuhën shqipe dhe nuk arrini të artikuloni se ku e keni mendjen?
Sepse nëse pretendoni se kjo gjykatë është krijuar nga serbët, atëherë sipas logjikës suaj, të gjithë ata deputetë të parlamentit të Kosovës që votuan për themelimin e saj qenkan serbë. Kjo nuk është vetëm e pasaktë, është një mjegull e dendur që e keni krijuar vetë dhe tani jeni humbur brenda saj.
Ja kush e themeloi gjykatën: https://youtu.be/8bYeLIEvZhA?si=nB7SVFH8r6G7wUlb
Pse disa prej jush zgjedhin të duken kaq të paditur? Pse bindeni me kaq lehtësi se mund të tingëlloni të arsyeshëm mbi një themel kaq të brishtë?
Fjalët nuk bëhen të vërteta vetëm sepse thuhen me zë të lartë, ose përsëriten shumë herë
Ju lutem, mësoni shqip. Ju duhet. Mësoni çfarë do të thotë argument i faktuar dhe i artikuluar qartë. Lexoni të paktën një libër në vit për të mirën tuaj. Mos e turpëroni veten me pohime që rrëzohen sapo ta prekin tokën e arsyes.
Më vjen sinqerisht keq për ju.
