Salihaj: Me këta kandidatë, Kosova kthehet në pikën zero
Ish-deputeti i LDK-së, Adem Salihaj, ka reaguar lidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentit, duke paralajmëruar se vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja nëse nuk arrihet konsensus politik.
Salihaj ka theksuar se partitë janë barrikaduar dhe e mbështesin zgjedhjen e presidentit vetëm nëse kandidati propozohet nga radhët e tyre, duke e bërë të pamundur marrëveshjen.
Ai ka përmendur si emra të përfolur për president akademikun Rexhep Qosja dhe Shqiptar Demaçi, për të cilët ka shprehur rezerva. Sipas tij, Qosja ka mbështetur në të kaluarën idenë e ndarjes së Kosovës, ndërsa Demaçi, siç ka thënë ai, ka pasur afërsi me PDK-në dhe ka qenë në listën e saj për deputetë.
Salihaj vlerëson se asnjëri prej këtyre emrave nuk është jopartiak dhe se aktualisht vendi ndodhet përballë një krize serioze politike, që mund të çojë në zgjedhje të reja.
Postimi i plotë:
Çështja e zgjedhjes presidentit po bëhet problem serioz, i cili, brenda pak më shumë se një viti, mund të na dërgojë në zgjedhje të reja. Çka është shumë, është shumë. Madje e tepruar dhe e stërtepruar. Partitë janë barrikaduar, ato e përkrahin zgjedhjen e presidentit, vetëm nëse ai propozohet nga partia e tyre. Pra, partitë janë larg çfarëdo konsensusi.
Unë do të ndalem te emrat për president.
Shihet qartë se Vjosa Osmani nuk është më kandidate e koalicionit Vetëvendosje-Guxo.
Nuk është më opsion as edhe një kandidat nga familja Jashari.
Unë do të ndalem te dy emra që u përmendën sot, si të mundshëm, për kandidatë për president të Kosovës: Rexhep Qosja dhe Shqiptar Demaçi. Unë u kërkoj falje që më parë, nëse këta dy emra janë vetëm pjesë e spekulimeve mediatike. Por, duke e ditur afërsinë e Vetëvendosjes me këta dy, dëshiroj ta them mendimin tim për ta.
Rexhep Qosja është shumë i afërt me Vetëvendosjen, veçanërisht me Kurtin. Por, Rexhep Qosja njësoj ka qenë i afërt me Hashim Thaçin dhe PDK-në. Megjithatë, nuk është këtu problemi kryesor, por diku tjetër.
Qosja që moti, më sa mbaj mend unë, ndoshta ka qenë i vetmi që është deklaruar në favor të ndarjes së Kosovës.
Më vonë, kur Thaçi lobonte për korrigjimin e kufirit (ndarjen e Kosovës), Qosja e përkrahte me vendosmëri këtë projekt të rrezikshëm të Thaçit, pas të cilit, siç dihet, qëndrojnë Rama dhe Vuçiqi. Qosja, siç dihet, është i afërt edhe me Ramën. Ai, kështu siç është, si individ, nuk paraqet rrezik serioz me këto qëndrime. Por, në situatën kur do të ishte president i Kosovës, ai, me qëndrimet e tij, bëhet shumë i rrezikshëm për Kosovën. Nuk e di çka e lidh Kurtin kaqë shumë me Qosjen, por e këshilloj që ta mbajë atë sa më larg mundësisë që të jetë kandidat për president të Kosovës.
Sa i përket Shqiptar Demaçit, unë nuk e njoh sa duhet dhe nuk i di pikëpamjet dhe aftësitë e tij politike, por e di se nuk është jopartiak, sepse ka afërsi me PDK-në dhe ka qenë në listën e kandidatëve të PDK-së për deputetë.
Pra, asnjëri nga këta dy emra nuk janë jopartiakë dhe jopolitikë.
Siç po shihet, tash për tash nuk kemi një kandidat të duhur dhe jemi para një krize serioze, që sërish të kthehemi në pikën zero, duke shkuar në zgjedhje të reja.
