Geci paralajmëron katastrofën politike: Opozita që bllokon zgjedhjen e presidentes do të rrënohet dhe do të…!
Halil Geci ka reaguar ashpër ndaj mundësisë së një bllokade të re institucionale nga opozita, duke paralajmëruar pasoja politike nëse pengohen sërish zgjedhjet për shkak të mosfunksionimit të Forumit të Presidentes.
Në një reagim në Facebook, ai theksoi se çdo tentativë për të mbajtur peng proceset demokratike do të ishte përgjegjësi ekskluzive e partive opozitare, duke e cilësuar një veprim të tillë si dëm për stabilitetin e vendit dhe shpërfillje të vullnetit qytetar, përcjell “Bota sot”.
Geci nënvizon se zgjedhjet nuk mund të shndërrohen në instrument për rikuperimin e humbjeve politike, ndërsa i bën thirrje opozitës të respektojë verdiktin e votës dhe të kontribuojë në funksionimin normal të institucioneve të Kosovës.
Shkrimi i plotë
Nëse opozita bllokon sërish zgjedhjet për shkak të mosfunksionimit të forumit të presidetes, përgjegjësia është vetëm e tyre
Nëse edhe kësaj here opozita vendos të bllokojë zgjedhjet duke mos lejuar funksionimin e forumit të Presidentes, humbja e tyre nuk ka falje. Ju e keni mbajtur vendin të bllokuar për një vit rresht dhe, megjithatë, përsëri keni humbur në zgjedhje. Tani, duke tentuar sërish të bllokoni shtetin për ego të juaja, ju betohem: do të humbni përsëri dhe do të mbeteni borxh historis.
Zgjedhjet nuk janë lodër për t’i kënaqur ambiciet e serbëve apo për të shkelur vullnetin e 60% të qytetarëve të Kosovës.
Nëse Lidhja Demokratike e Kosovës gabon sërish, kjo nuk është thjesht çështje partie ,është çështje e ardhmes së Kosovës.
Demokracia nuk funksionon me ego
Zgjedhjet nuk janë instrument për të rikuperuar egot e lënduara të partive humbëse. Populli foli qartë, pastër dhe pa ekuivoke – humbja juaj ishte politike dhe e thellë. Nuk mund të kërkoni zgjedhje të reja çdo dy muaj vetëm sepse rezultati nuk ju pëlqeu.
Demokracia funksionon me respekt ndaj verdiktit të votës. Zgjedhjet e njëpasnjëshme rrezikojnë stabilitetin institucional, dëmtojnë ekonominë dhe imazhin e një shteti demokratik që respekton vetëm bllokadën, jo vullnetin e popullit.
Investitorët tremben, qytetarët lodhen, dhe shteti dobësohet për shkak të papërgjegjësisë suaj. Humbja juaj e thellë ju mban përgjegjës për mënyrën se si keni qeverisur për më shumë se 20 vjet. Mesazhi i votës së qytetarëve ishte i qartë – reflektoni!
Shteti ka nevojë për përgjegjësi, jo për bllokada
Shteti nuk mund të mbahet peng nga ambiciet e dy partive si Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës, të cilat synuan pushtetin, por nuk morën besimin e qytetarëve. Sa herë që u vlerësuat nga populli, rezultati ishte i qartë: vota nuk ua dha mandatin.
Kosova ka nevojë për stabilitet dhe punë, jo për një cikël të pafund zgjedhjesh. Sa herë duhet të përsëritet procesi që të kuptohet se besimi fitohet nga qytetarët? Kur ai mungon, mesazhi është i qartë. Respektoni vullnetin e popullit dhe kontribuoni për stabilitetin e Republikës.
Shteti dhe qytetarët nuk duhet të shantazhohen nga politika e inatit apo krizat e qëllimshme. Kosova ka nevojë për përgjegjësi institucionale dhe pjekuri politike, jo për bllokada të vazhdueshme.
Përfundim – humbja juaj nuk ka falje
Nëse bllokimi institucional vazhdon, zgjedhjet – sado të lodhshme dhe të kushtueshme – mbeten mjeti demokratik për të zgjidhur krizën dhe për të larguar nga skena politike ata që vendosin interesin personal mbi interesin e vendit.
Na keni lodhur. Nëse vendi shkon sërish në zgjedhje për shkak të çështjes së Presidentit/Presidentes dhe ju vazhdoni me bllokada të panevojshme, përgjigjja e qytetarëve do të jetë e qartë. Ata që kërkojnë pushtet pa votë dhe që shpërfillin vullnetin plebishitar duhet ta dinë se humbja e tyre do të jetë edhe më e thellë dhe më e vendosur.
