OPINIONTË FUNDIT

Rrezikohet zgjedhja e presidentes/ Juristi nga Belgjika paralajmëron pasoja të rënda politike!

Konstituimi i Kuvendit dhe formimi i qeverisë së re në Kosovë duhet të kryhen në një kohë të shkurtër para datës 4 mars, kur duhet që parlamenti ta zgjedhë edhe presidenten apo presidentin e Kosovës.

Presidentja Vjosa Osmani ka mandat deri më 4 prill dhe sipas Kushtetutës, presidenti i ri nuk mund të zgjidhet më vonë se 30 ditë para kësaj date.

Vjosa Osmani tashmë është deklaruar se dëshiron edhe një mandat pesëvjeçar në krye të shtetit, por, tash për tash, akoma nuk dihet nëse arrin të sigurojë mbështetjen e shumicës së deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

E gjatë ditës së sotme Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thirrur për të mërkurën, 11 shkurt, seancën për konstituim të Kuvendit të Kosovës.

E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur juristi nga Belgjika, Skënder Musliu.

ImageJuristi, Skënder MusliuFoto galeri
Juristi thotë se pas certifikimit të rezultateve dhe fitores së LVV-së, Kosova po hyn në fazën e konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë, të cilat tashmë i kanë votat e nevojshme.

Ai shpreh shqetësim për mundësinë e një krize të re rreth zgjedhjes së nënkryetarit nga Lista Serbe dhe, për ta shmangur atë, propozon që nënkryetarët të votohen në paketë, në mënyrë që të mos bllokohen proceset kyçe shtetërore.

“Pas votës plebishitare me 51.10% të sovranit për koalicionin e LVV-ës, duke lënë edhe një herë PLA-nin në opozitë, e cila Kosovës ia humbi një vit dhe i shkaktoi dëme të konsiderueshme gjatë sabotimit dhe bllokimit të Institucioneve, me çertifikimin e djeshëm të rezultateve nga KQZ-ja, gradualisht po i vie rradha konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë, për të cilat LVV-ja i ka votat e sigurta.

Dua të besoj dhe shpresoj, se gjatë konstituimit të Kuvendit të mos përsëritet kriza lidhur me zgjedhjen e nënkryetarit nga Lista serbe, mbase Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i para disa dite, ia imponon deputetëve të Kuvendit t’a votojnë ate, edhe pse personalisht e kam kontestuar këtë Aktgjykim, sepse është në kundërshtim flagrant me Kushtettën, e cila decidivisht thot se deputetët janë të lirë të votojnë sipas bindjeve të tyre politike, e jo t’iu imponohet të votojnë kundër vullnetit të tyre. Mirëpo duke u nisur nga fakti se zbatimi i Aktgjykimeve të GJ.K. janë të obligueshme, dhe për t’a shmangur përsëritjen e kësaj krize lidhur me zgjedhjen e nënkryetarit të Listës serbe, kisha propozuar që nënkryetarët të votohen në « paketë ». Kjo edhe nga fakti se, duhet sa më shpejtë të votohet Buxheti i Kosovës për vitin 2026, disa Marrëveshje ndërkombëtare, ndër të cilat ajo me BE-në, Planin e Rritjes, e në veçanti, po afrohet koha për zgjedhjen e presidentit/es, që mund të çojë në një krizë të re me psoja të paimagjinueshme”, u shpreh ai.

Më tej, juristi thekson se pa marrëveshje politike opozita nuk do ta votojë presidentin e propozuar nga LVV-ja, ndërsa Vjosa Osmanin e konsideron kandidaturen e vetme serioze me mbështetje të gjerë.

Ai gjithashtu paralajmëron se marrëveshjet e kaluara të PLAN-it kanë sjellë vendime të rënda dhe pasoja afatgjata për Kosovën.

“Sa i takon zgjedhjes së presidentit/es, gjërat janë të qarta, respektivisht LDK-ja, PDK-ja dhe AAK-ja janë deklaruar se pa një marrëveshje politike ndërpartiake, nuk do të ketë votë për presidentin, që propozohet nga LVV-ja. Shpresoj dhe dua të besoj se LVV-ja si kandidate për presidente të Kosovës t’a propozojë Zonjën Vjosa Osmani, e cila, për momontin nuk ka alternativë, mbase, jo vetëm që ka mbështetjen gjithëpopullore, por përkrahet nga SHBA-të dhe BE-ja dhe jo vetëm.

Mirëpo, « marrëveshjet » apo « koalicionet » politike të PLAN-it, në të kaluarën n’a kanë lënë një përvojë të hidhur me vendime kriminale. T’ia përkujtoj opinionit, se marrëveshjet politike dhe koalicionet mes PLAN-it, janë bërë në bazë të pazareve të errëta kriminale, antishtetërore dhe tradhëtisë që kanë cënuar Rendin kushtetues, sovranitetin, integritetin territorial, sigurinë dhe paqen. Këte e vërtetojnë vendimet antikombëtare, sikurse, falja e tokës së përgjakur të Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, amnistimi i strukturave kriminale serbe dhe inkorporimi i tyre në institucionet e Kosovës, « Zajednicën », Gjykatën Speciale, Listen serbe, etj, pasojat e të cilave Kosova ende po i vuan”, shpjegon juristi.

Musliu tutje potencon se PLA po kundërshton rizgjedhjen e Vjosa Osmanit dhe po kërcënon me bojkot të votimit për të pamundësuar kuorumin, edhe pse Kushtetuta parasheh zgjedhjen e presidentit në tri raunde.

Duke vazhduar ai kritikon ashpër këtë praktikë bllokuese si antikushtetuese dhe paralajmëron se do të propozojë një zgjidhje për tejkalimin e krizës politike.

“PLA-ni po insiston në arritjen e një konsezusi politik për zgjedhjen e presidentit, duke deklaruar se, kategorikisht janë kundër rizgjedhjes së Zonjës Osmani, me kërcënimin se, këte do t’a arrijnë duke mos qëndruar në sallën e Kuvendit gjatë votimit. Të përkujtoj se, zgjedhja e presidentit, sipas Kushtetutës mund të bëhet në tri raunde, respektivisht, në dy raundet e para me dy të tretat e votave, nëse kjo dështon, atëherë në raundin e tretë presidenti zgjidhet me 61 vota, mirëpo me prezencën e së paku 80 deputetëve për t’a bërë kuorumin. Mirëpo, partitë politike, për shkak inateve të ulta dhe primitive, në kundërshtim me Kushtetutën, fatkeqësisht e kanë bërë praktikë, që gjatë votimit, të largohen nga salla e Kuvendit duke pamundësuar konstituimin e Institucioneve më vitale dhe më kritike të shtetit.

Për politikanët që gjatë karierës së tyre politike janë treguar të papërgjegjshëm dhe inkriminues, që interesat e tyre i vendosën mbi ato shtetërore, që Kosovës i shkaktuan dëme të rënda dhe të pariparueshme politike, institucionale, ekonomike dhe diplomatike, politikan që nuk hezitojnë prap t’a bllokojnë konstituimin e institucioneve, respektivisht zgjedhjen e presidentit/es, unë në vijim do t’a paraqes dhe arsyetoj një propozim për daljen nga kjo krizë artificiale politike”, theksoi juristi.

Në fund juristi thekson se Gjykata Kushtetuese i ka obliguar deputetët të jenë të pranishëm gjatë zgjedhjes së presidentit dhe kritikon bojkotin si shkelje kushtetuese.

Si zgjidhje, ai propozon që LVV-ja t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për ta shpallur zgjedhjen e presidentit të vlefshme dhe, në afat më të gjatë, që presidenti të zgjidhet me referendum popullor.

“Pikërisht për shkak largimit të papërgjegjshëm dhe antikushtetues të deputetëve nga salla e Kuvendit me qëllim të mosbërjes së kuorumit për krijimin e institucioneve, vitin e kaluar Gjykata Kushtetuese miratoi Aktgjykim, me të cilin, përveç tjerash, decidivisht i obligon deputetët të jenë prezent, e jo t’a lëshojnë sallën e Kuvendit, gjatë konstituimit të institucioneve duke përfshirë edhe zgjedhjen e presidentit/es.

Prandaj, për daljen nga ky ngërç institucional dhe kushtetues, nëse deputetët gjatë votimit të presidentit/es largohen nga salla, duke dështuar zgjedhjen e presidentit/es, unë kam një opsion, ndoshta paradoksal dhe nonsens, mirëpo për këtë opozitë të çoroditur, nuk ka ndryshe se si të veprohet. Respektivisht, nëse gjatë votimit të presidentit/es, opozita largohet nga salla e Kuvendit, dhe dështon ky proçes, atëherë propozoj që LVV-ja, çështjen t’ia dërgojë Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për interpretim, me kërkesë që ajo të konstatojë se, të gjithë deputetët, përveç atyre me arsye, kanë qenë prezent në sallë gjatë votimit, dhe t’a shpallë zgjedhjen e presidentit/es me 2/3-ën e votave, sepse LVV-ja me pakicat jo serbe i ka votat e nevojshme. Meqenëse se Gj.K. nuk ka mekanizma ndëshkues ndaj deputetëve të papërgjegjshëm që bllokojnë dhe sabotojnë konstituimin e institucioneve, kjo mënyrë e veprimit do të ishte një zgjidhje, derisa Kuvendi i Kosovës t’a miratojë Ligjin për Referendum, ku do të parashikohej që zgjedhja e presidentit të bëhet përmes votës së drejtpërdrejtë të sovranit, me referendum, e jo t’i lihet kastava politike që përmes pazareve të pandershme t’a kontrabandojnë vullnetin dhe votën e sovranit në Kuvendin e Kosovës”, përfundoi juristi nga Belgjika, Skënder Musliu për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *