Koci: Ulja në karrocë e Kurtit mund të konsiderohet si tallje me personat me aftësi të kufizuar
Koci: Ulja në karrocë e Kurtit mund të konsiderohet si tallje me personat me aftësi të kufizuar
Avokati i njohur, Arianit Koci, ka reaguar pas pozave të krerëve të shtetit në karrocat që përdoren nga personat me aftësi të kufizuara.
Fotot që krerët e shtetit realizuan dje pasi zhvilluan takime me përfaqësues dhe me persona me aftësi të kufizuara, nuk i kanë pëlqyer avokatit Koci, shkruan lajmi.net.
Përmes një postimi në Facebook, Koci ka thënë se ndjesia për personat me aftësi të kufizuara apo solidarizimi, nuk shprehet në këtë mënyrë.
“Thjeshtë ata kanë nevojë që t’iu krijojmë kushtet: qasje në objekte dhe investime që ua lehtësojnë jetën. Deri më tani, këtë si shoqëri nuk e kemi bërë. I kemi lënë anash dhe mua më vjen keq shumë”, ka shkruar Koci ndër të tjerash.
Ai ka thënë se e njeh personalisht kryeministrin Albin Kurti, duke thënë se ai ka rënë në grackën e dikujt që nuk ia ka lidhjen raportit me publikun.
“Përndryshe, këtë veprim e kisha konsideru si tallje me personat me aftësi të kufizuara dhe publikun. Njësh për këshilltarin”, ka përfunduar Koci.
Kujtojmë se fotografitë e Glauk Konjufcës, Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit në karroca gjatë takimit me personat me aftësi të kufizuara ka nxitur reagime të shumta në rrjetet sociale, pasi që disa qytetarë nuk e kanë parë si formë të solidarizimit këtë veprim të krerëve të shtetit. /Lajmi.net/