Prishja e koalicionit në Mitrovicë, njohësit zbërthejnë prapaskenat – paralajmërojnë këtë gjë!
Koalicioni mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Faton Pecit në Mitrovicë është prishur.
Kryetari i degës së LDK-së në këtë komunë, Gëzim Plakolli, ka konfirmuar se vendimi u mor për shkak të mosrespektimit të marrëveshjes për bashkëqeverisje dhe shpërfilljes së propozimeve zyrtare të degës së LDK-së.
“Lidhja Demokratike e Kosovës, Dega në Mitrovicë, njofton opinionin publik se, për shkak të mosrespektimit të marrëveshjes për bashkëqeverisje dhe shpërfilljes së propozimeve zyrtare të degës, ka vendosur të largohet nga koalicioni qeverisës,” ka shkruar Plakolli.
Rreth kësaj çështjeje ka folur edhe Lëvizja Vetëvendosje.
Kryetari i Mitrovicës, Faton Peci, pas daljes së LDK-së nga koalicioni, ka deklaruar se askush nuk mund të pretendojë që me 3 për qind të votave të marrë pozita të shumta brenda komunës, përfshirë nënkryetarin, drejtorë dhe drejtimin e të gjitha ndërmarrjeve komunale.
“Unë kam qenë tepër bashkëpunues me shumicën e partive politike dhe me asambleistët e Kuvendit Komunal të Mitrovicës. Qasja ime ka qenë e gjenerozë, por nuk mund të pretendohet që me vetëm 3 për qind të votave dikush të marrë detyra që nuk i takojnë, e lëre më të drejtën për të drejtuar të gjitha ndërmarrjet komunale,” deklaroi Peci para gazetarëve.
Ai shtoi se kërkesat politike duhet të jenë në proporcion me fuqinë reale të partive.
E të gjendur në këtë situatë Çfarë pasojash mund të ketë kjo lëvizje për stabilitetin politik lokal?
Interesat partiake dhe prishja e koalicioneve
Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur njohësi për çështje politike, Vesel Makolli.
ImageVesel MakolliFoto galeri
Ai u shpreh se në demokracitë e zhvilluara koalicionet janë të domosdoshme për formimin e qeverive, por në praktikën tonë politike shpesh ndodh që interesat partiake dhe ato individuale mbizotërojnë mbi interesin shtetëror, siç tregoi rasti i zgjedhjeve të shkurtit 2025.
“Në demokracitë e mirëfillta, me traditë të gjatë demokratiko-liberale, asnjë parti nuk mund ta fitojë shumicën për bërjen e qeverisë, prandaj koalicionet janë të domosdoshme dhe paraprakisht partitë politike e dinë dhe janë të parapërgatitura për koalicion paszgjedhor.
Koalicioni bëhet në rend të parë për interesa shtetërore (formimi sa më i shpejt i qeverisë), dhe kuptohet për interesa partiake dhe interesa individuale, që derivojnë nga interesi partiak.
Rasti i zgjedhjeve të shkurtit të vitit 2025, pas së cilave partia e parë, fituese e zgjedhjeve, një vit e prolongoi zgjedhjen e qeverisë, duke provokuar zgjedhje të jashtëzakonshme, e vërteton se në rastin e demokracisë sonë, interesi individual dhe partiak është mbi interesin shtetëror”, u shpreh ai.
Makolli thekson se, në nivel lokal koalicionet shpesh bazohen mbi interesat komunale dhe jo mbi linjat e partive qendrore, siç dëshmon koalicioni në Mitrovicë mes LVV/Guxo dhe LDK-së, që më parë e kishte kundërshtuar një bashkëpunim të tillë.
“E njëjta situatë është edhe te koalicionet në nivelin lokal; ato bëhen duke u bazuar në interesat lokale-komunale të subjekteve politike dhe individëve, të cilat në shumë komuna nuk përputhen me ato të subjektit përkatës në qendër, prandaj në nivel lokal ndodh shpesh që partneri i koalicionit të zgjidhet konform interesave lokale dhe të jetë një parti tjetër nga ajo që ka bërë koalicion partia në qendër.
Këtë e vërteton koalicioni i bërë në Mitrovicë pas zgjedhjeve lokale, ku LVV dhe Guxo, që llogariten si një parti, ka bërë koalicion me LDK, e cila para zgjedhjeve të jashtëzakonshme nacionale të 28 dhjetorit 2025 e ka kundërshtuar rreptësisht koalicionin me VV”, foli Makolli.
Gjithashtu Makolli, nënvizoi se të dyja palët, Kryetari Peci dhe LDK-ja, mohojnë fajin për prishjen e koalicionit, duke e hedhur njëra-tjetrës përgjegjësinë për kërkesa të tepruara dhe vendime pa konsultim.
Sipas tij, kjo ka bërë të pamundur vazhdimin e bashkëqeverisjes, ndërsa koalicioni është shkatërruar për shkak të interesave individuale dhe partiake dhe mungesës së besimit dhe vullnetit për kompromis
“Bazuar në deklaratat e Kryetarit Peci dhe të LDK-së, të dyja arsyetohen se nuk janë fajtor për prishjen e koalicionit, gjegjësisht e hedhin fajin te njëri-tjetri për kërkesa të mëdha në proporcion me fuqinë politike, ose për ndërmarrjen e vendimeve kuadrovike pa e konsultuar partnerin e koalicionit, gjegjësisht, siç thuhet nga LDK-ja, pa iu përmbajtur marrëveshjes së koalicionit.
Të gjitha këto e kanë bërë të pamundur vazhdimin e bashkëqeverisjes.
Kjo prishje e koalicionit do të ndikojë në fillim në stabilitetin politik lokal, por do të tejkalohet me një riorganizim të ri, gjegjësisht me një koalicion të zgjeruar me pjesëmarrjen edhe të partive me fuqi të vogël politike dhe mbetjen në koalicion të dy asambleistëve të LDK-së.
Summa summarum, koalicioni është prishur shkaku i interesave individuale dhe partiake nga të dy partitë dhe për mungesë të besimit politik dhe të vullnetit për kompromis”, foli ai.
Ndër të tjera, njohësi vlerësoo se prishja e koalicionit lokal do të ndikojë vetëm lokalisht në marrëdhëniet politike, ndërsa në nivel qendror koalicioni mund të rikthehet nëse interesat shtetërore vendosen mbi ato partiake dhe individuale.
“Kjo prishje e këtij koalicioni, normalisht, do të reflektojë në mosbesim mes partive politike dhe në bashkëpunimin politik në zgjedhjet e radhës, por nuk do të ketë ndikim dominues – ndikimi do të jetë periferik.
Tash, në nivelin qendror e kemi në rend të ditës konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e qeverisë dhe të Presidentit/es, dhe lehtë mund të ndodhë që një koalicion që është prishur në nivel lokal, të bëhet dhe të funksionojë në nivelin qendror, nëse subjektet politike do ta kenë interesin shtetëror mbi atë partiak dhe individual”, foli Makolli për “Bota sot”.
Gashi: Kjo prishje e koalicionit mund të shihet si pjesë e një tendence më të gjerë të mosbesimit mes subjekteve politike në Kosovë
Ndërsa, analisti politik Eduard Gashi në një bashkëbisedim me “Bota sot”, vlerëson se kërkesat e LDK-së për poste dhe drejtori komunale shkaktuan tension dhe prishje të koalicionit me LVV-në në Mitrovicë.
ImageEduard GashiFoto galeri
Ai paralajmëron se kjo mund të çojë në ngadalësim të vendimmarrjes dhe paqëndrueshmëri institucionale, duke zhgënjyer elektoratin
“Në vlerësimin tim, kërkesat e LDK-së për poste dhe drejtori komunale kanë qenë një faktor kyç në prishjen e koalicionit me LVV-në në Mitrovicë. Në çdo koalicion, raporti i forcave që del nga zgjedhjet duhet të reflektohet në ndarjen e përgjegjësive. Kur kërkesat politike nuk janë në proporcion me mbështetjen elektorale, ato krijojnë tension, ndjenjë pabarazie dhe, në fund, bllokim të bashkëpunimit. Nga ajo që është deklaruar publikisht, duket se ka pasur një mospërputhje mes pritshmërive të LDK-së dhe ofertës që LVV e ka konsideruar realiste dhe “gjeneroze”.
Pasojat për stabilitetin politik lokal mund të jenë të ndjeshme, sidomos nëse krijohet një klimë e polarizuar në Asamblenë Komunale. Rreziku më i madh është ngadalësimi i vendimmarrjes, bllokimi i projekteve zhvillimore dhe humbja e fokusit nga interesat e qytetarëve drejt kalkulimeve partiake. Në plan afatshkurtër, kjo mund të prodhojë paqëndrueshmëri institucionale; në plan afatgjatë, zhgënjim të elektoratit”, shprehet ai.
Gashi, tutje theksoi se, prishja e koalicionit reflekton mosbesimin e përgjithshëm mes partive dhe mungesën e kulturës së kompromisit në Kosovë.
Gjithashtu, ai paralajmëroi që këtë klimë mund ta paguajnë qytetarët, pasi koalicionet e brishta dhe të përkohshme ndikojnë negativisht në funksionimin demokratik dhe zhvillimin e vendit.
“Sa i përket pyetjes së dytë, po, kjo prishje e koalicionit mund të shihet si pjesë e një tendence më të gjerë të mosbesimit mes subjekteve politike në Kosovë. Mungesa e kulturës së kompromisit, theksi i tepruar në poste dhe jo në programe, si dhe kujtesa e shkurtër politike, e vështirësojnë bashkëpunimin afatgjatë. Kjo klimë mund të ndikojë negativisht edhe në zgjedhjet e ardhshme, sepse partitë do të hyjnë në koalicione me më shumë dyshim, kushte më të forta dhe më pak fleksibilitet.
Nëse politika lokale dhe qendrore nuk kthehet te parimi i bashkëpunimit mbi baza programore dhe respektimit të vullnetit të votuesve, rrezikojmë që koalicionet të mbeten të brishta dhe të përkohshme, me pasoja direkte për funksionimin demokratik dhe zhvillimin e vendit.
Në fund, fituesit ose humbësit e vërtetë të këtyre përplasjeve nuk janë partitë, por qytetarët”, përfundoi Gashi për “Bota sot”.
