TË FUNDIT

Organizata “Shqiptaria” dënon sulmin ndaj një qytetari hebre në Cyrih, kërkon masa të rrepta

Në Cyrih, një burrë 40-vjeçar nga Kosova sulmoi dje një hebre ortodoks 26-vjeçar me grushte. Siç raportohet, policia e qytetit arriti ta arreston sulmuesin.

Për këtë, Organizata “Shqiptaria” në Kosovë dënon ashpër incidentin e ndodhur në Cyrih të Zvicrës, ku një shtetas me origjinë nga Kosova ka sulmuar fizikisht një qytetar hebre, duke e shoqëruar aktin me thirrje dhe fyerje antisemite.

Në reagimin e saj, organizata shpreh solidaritet me viktimën dhe komunitetin hebre, duke theksuar se dhuna dhe urrejtja janë të papranueshme dhe nuk përfaqësojnë vlerat e shqiptarëve.

“Ky është një akt i rëndë dhune dhe urrejtjeje, i papranueshëm në çdo formë dhe në kundërshtim të plotë me vlerat e popullit shqiptar. Shprehim solidaritet të plotë me viktimën dhe komunitetin hebre, një popull mik i shqiptarëve dhe i Kosovës, pjesëtarë të të cilit historikisht kanë qenë ndër zërat dhe faktorët më të rëndësishëm në mbështetje të lirisë dhe të drejtave tona. Shqiptarët nuk kanë qenë dhe nuk duhet të jenë kurrë promovues apo bartës të ideologjive të huaja të urrejtjes”, thuhet në njoftim.

“Shqiptaria” kërkon që rasti të trajtohet me seriozitet maksimal nga institucionet zvicerane të drejtësisë dhe që të mbetet një rast i izoluar.

“Urojmë dhe insistojmë që ky krim të mbetet një rast i izoluar dhe të trajtohet me seriozitet maksimal nga institucionet zvicerane të drejtësisë. Si popull, nuk kemi luksin që diaspora shqiptare të bëhet pre e indoktrinimit, fanatizmit dhe ekstremizmit, të ushqyer nga forca dhe ideologji armiqësore ndaj interesit kombëtar shqiptar”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, organizata u bën thirrje institucioneve të Zvicrës, Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës që të rishqyrtojnë çështjen e vizave për klerikë nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, përfshirë pezullimin e përkohshëm dhe kontroll të plotë mbi aktivitetet dhe burimet e financimit të tyre, duke e cilësuar këtë si “domosdoshmëri sigurie dhe përgjegjësie publike”.

Në fund, “Shqiptaria” deklaron se angazhohet për një diasporë shqiptare të integruar dhe dinjitoze, ndërsa rithekson se “dhuna, urrejtja dhe ekstremizmi nuk përfaqësojnë shqiptarët”.

“Dhuna, urrejtja dhe ekstremizmi nuk përfaqësojnë shqiptarët. Kurrë”, thuhet në reagimin e Organizatës “Shqiptaria”.

Sipas Federatës së Komuniteteve Hebraike në Zvicër, raportohet se viktima pësoi gërvishtje në trup dhe qafë dhe është në gjendje shoku.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *