Shqipëria krijoi “Diellën” për ta luftuar korrupsionin. Më pas krijuesit e saj u akuzuan për ryshfet
Avatari i njohur si “Diella”, i cilësuar si ministrja e parë e gjeneruar nga inteligjenca artificiale, supozohej të ndihmonte Shqipërinë për ta luftuar korrupsionin. Por më pas doli diçka e papritur. Udhëheqësit e agjencisë që e zhvilluan “Diellën”, tani akuzohen për keqpërdorime me ofertat në kontratat publike, ka shkruar prestigjiozja “New York Times” në një artikull të martën.
“Diella” u bë lajm në gjithë botën. Ajo u pa si fytyra e qeverisë së Edi Ramës në rrugën për t’ia siguruar Shqipërisë anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Ajo u pa edhe si simbol i përfshirjes së inteligjencës artificiale në të gjitha pjesët e shoqërisë, përfshirë qeverisjen.
Në praktikë, “Diella” u ndihmon njerëzve të aplikojnë për shërbime qeveritare online, duke eliminuar një sistem të ngarkuar me përplot zyrtarë të korruptuar për dorëzim më të shpejtë të dokumenteve e caktim oraresh. Shpejt pritet të jetë në gjendje që të shërbejë edhe për mbledhjen e aplikimeve të kontratave qeveritare për të vlerësuar se cili ofertues është më i kualifikuar, bazuar në të dhënat e paraqitura. Puna e saj mund të auditohet.
Rama pati thënë se qëllimi me “Diellën” është për ta ulur nivelin e korrupsionit dhe për të ofruar transparencë në prokurimin publik.
“Jemi një shtet i kushërinjve – nuk është e lehtë të jesh totalisht i drejtë dhe transparent në një shtet kushërinjsh”, pati thënë ai më herët gjatë muajit. “Tani kemi një pamje krejt tjetër”.
Një raport i nëntorit nga zyrtarët e Bashkimit Evropian ka thënë se Shqipëria ka treguar përparim, por se korrupsioni mbetet i shpërndarë në sektorët e ndjeshëm. Aty u përmend krijimi i një njësie speciale të Prokurorisë më 2019, që sipas raportit “ka nxjerrë rezultate pozitive në luftimin e korrupsionit të nivelit të lartë”.
Kjo e përfshin edhe hetimin në Agjencinë Kombëtare të Informacionit, organizatën qeveritare që e ka krijuar “Diellën”.
Muajin e shkuar, prokurorët njoftuan se kanë çuar në arrest shtëpiak drejtoreshën e agjencisë dhe zëvendësen e saj, duke i lidhur me organizatë kriminale të akuzuar për manipulim me aplikimet për kontrata, përmes kërcënimit. Agjencia operon me infrastrukturën digjitale të Qeverisë dhe ka kontroll mbi një sektor të gjerë të sistemeve publike online, përfshirë “Diellën”.
Dy zyrtarët nuk janë akuzuar ende zyrtarisht. E Rama ka thënë se “duhet të pritet e të shihet”.
Kjo njësi speciale, SPAK, ka zgjeruar viteve të fundit veprimtarinë duke arrestuar edhe figura të larta politike përfshirë ish-presidentin Ilir Meta, kryetarin e Tiranës Erion Veliaj dhe zëvendëskryeministren Belinda Balluku.
Në një analizë të dhjetorit, ekspertët nga Këshilli Gjerman për Punë të Jashtme patën thënë se ministrja me AI ka rritur efikasitetin dhe paanshmërinë e vendimit për tenderët publikë. Por në përgjithësi, u konstatua se luftimi i korrupsionit sipas standardeve të BE-së mbetet ende problematik.
