TË FUNDIT

SHBA ndjek situatën e shqiptarëve në Luginë, Hyseni: Paralajmërim për politikën e Beogradit

Kongresmeni amerikan Keith Self ka ngritur çështjen e diskriminimit ndaj komunitetit shqiptar në Luginën e Preshevës. Së fundmi, Komiteti për Punë të Jashtme i Kongresit amerikan miratoi me 43 vota pro dhe 3 kundër një projektligj që kërkon nga Sekretari i Shtetit të përgatisë një raport gjithëpërfshirës mbi trajtimin e pakicave etnike në Serbi, me fokus të veçantë te shqiptarët e Luginës. Projektligji do të kalojë më pas për shqyrtim të plotë dhe votim në Dhomën e Përfaqësuesve, Senat dhe më në fund nënshkrimin e presidentit amerikan, Donald Trump.

Në një prononcim për “Bota sot”, analisti politik, Nehat Hyseni, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se deklarata e kongresmenit amerikan Keith Self mbi diskriminimin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës është shumë e rëndësishme politikisht.

Ai ka theksuar se duke qenë anëtar i Kongresit të SHBA-së, fjalët e Self nuk janë vetëm zë individual, por pasqyrojnë rëndësinë që Shtetet e Bashkuara i japin stabilitetit rajonal dhe respektimit të të drejtave të njeriut.

“Deklarimi i kongresmenit amerikan Keith Self për diskriminimin e komunitetit shqiptar në Luginën e Preshevës është politikisht i rëndësishëm dhe shumë domethënës.

Keith Self nuk është thjesht një zë individual, por është anëtar i Kongresit të SHBA-së, pjesë e një shteti që ka ndikim kyç në Ballkan dhe politikën Botërore dhe përfaqësues i një tradite politike amerikane që e lidh stabilitetin rajonal me respektimin e të drejtave të njeriut.

Fakti që diskriminimi i shqiptarëve në Luginë përmendet në Kongresin amerikan do të thotë se kjo çështje nuk është më vetëm problem lokal ose rajonal, por po hyn edhe në diskursin politik ndërkombëtar.

Deklarata e tij nënkupton një pranim politik të disa realiteteve, që shqiptarët e Luginës i përjetojnë prej dekadash diskriminim institucional, përjashtim nga institucionet shtetërore, moszbatim i marrëveshjeve (sidomos asaj të Konçulit), pasivizim administrativ të adresave mungesë investimesh dhe zhvillimi të qëllimshëm.

Kur këto i thotë një kongresmen amerikan, ato nuk trajtohen më si “ankesa politike”, por si çështje të të drejtave të njeriut”, ka thënë ai.

Mesazhi për Serbinë

Gjithashtu, Hyseni është shprehur se deklarata e kongresmenit amerikan Keith Self është mesazh paralajmërues për Serbinë.

Ai ka nënvizuar se kjo u jep shqiptarëve të Luginës legjitimitet ndërkombëtar, mundësi për ndërkombëtarizim të çështjes së tyre dhe hap rrugë për mbështetje politike, morale dhe diplomatike nga SHBA-ja.

“Kjo deklaratë është edhe një mesazh për Serbinë dhe sinjal paralajmërues për Beogradin, se politika ndaj shqiptarëve në Luginë po monitorohet, se Serbia nuk mund të kërkojë standarde për serbët në Kosovë, duke mos i zbatuar ato për shqiptarët brenda territorit të vet dhe se diskriminimi i brendshëm minon kredibilitetin ndërkombëtar të Serbisë.

Në gjuhën diplomatike amerikane, kjo do të thotë se: “Ky problem është në dosje dhe agjendë zyrtare të SHBA dhe nuk do të anashkalohet.”

Kjo do të thotë kjo për shqiptarët e Luginës legjitimim ndërkombëtar të kauzës dhe Shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës fitojnë legjitimitet politik ndërkombëtar, një bazë më të fortë për kërkesa të argumentuara dhe mbështetje morale dhe diplomatike.

Mundësi për ndërkombëtarizim të çështjes së shqiptare në Luginën e Preshevës dhe hap rrugë për përfshirje në raporte të Departamentit të Shtetit, diskutime në komitete kongresionale dhe presion diplomatik për standarde reciproke në rajon”, ka shtuar ai.

Në fund, Hysenika paralajmëruar se mbështetja ndërkombëtare ka efekt vetëm nëse shndërrohet në iniciativa konkrete dhe veprime të dokumentuara; përndryshe, mund të mbetet simbolike.

Ai e cilësoi deklaratën si thyerje të heshtjes ndërkombëtare, sinjal politik për Serbinë dhe dritare mundësie për shqiptarët e Luginës së Preshevës.

“Njëkohësisht, kjo rrit përgjegjësinë e faktorëve shqiptarë që të jenë të bashkuar, të dokumentojnë shkeljet dhe të flasin me një zë të qartë dhe të besueshëm.

Kuptohet se deklaratat ndërkombëtare nuk zëvendësojnë veprimin politik vendor, por e fuqizojnë atë – vetëm nëse përdoren me mençuri.

Nëse kjo mbështetje e fuqishëme e SHBA-së nuk pasohet me iniciativa konkrete, nuk arkivohet me dokumente, statistika dhe raste reale dhe nuk kanalizohet institucionalisht, atëherë ekziston rreziku që këto deklarata të mbeten simbolike dhe diskriminimi të vazhdojë në forma më të sofistikuara.

Mund të përfundojmë se deklarata e kongresmenit Keith Self është një thyerje e heshtjes ndërkombëtare, një sinjal politik për Serbinë, dhe një dritare mundësie për shqiptarët e Luginës së Preshevës”, ka përfunduar Hyseni.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *