OPINIONTË FUNDIT

Rinumërimi zbulon atë që fshihej prej vitesh: Salihaj flet për manipulime, pazare dhe vota të falsifikuara

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që të ketë rinumërim të plotë të të gjitha votave në vendvotimet në 28 komuna.

Fillimisht, në këto 28 komuna KQZ kishte vendosur që të rinumëroheshin vetëm 10 për qind e vendvotimeve, ndërkaq në 10 komuna të tjera vendosi për rinumërim të plotë.

Vendimi i 19 janarit vjen pasi gjatë rinumërimit të pjesshëm u vërejtën dallime të mëdha në votat për kandidatët për deputetë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit të vitit 2025.

E në lidhje me këto zhvillime dhe këtë vendim të KQZ, për “Bota sot” foli ish-deputeti i LDK-së, Adem Salihaj.

Fillimisht, ai mirëpriti vendimin për rinumërimin e të gjitha votave, derisa tha se kjo nuk është dukuri e re, madje sipas tij është bërë edhe në të kaluarën, por nuk është vërejt, pasi nuk ka pasur rinumërim.

ImageIsh-deputeti i LDK-së, Adem SalihajFoto galeri
“Rinumërimi i të gjitha votave është vendim i mirë i KQZ-së, sepse u konstatua se ka pasur vjedhje të shumta të votave, veçanërisht në mes kandidatëve të së njëjtës parti. Më sa di unë, kjo dukuri nuk është e re, sepse ka ndodhur edhe në zgjedhjet e kaluara, por kjo nuk është vërejtur sepse nuk është bërë rinumërimi i këtij lloji. Një vjedhje masive qenka në Prizren, e cila shkon shumë më larg se në komunat tjera”, deklaroi ai.

Krahas kësaj, Salihaj përmendi edhe që në të kaluarën ka pasur vjedhje masive të votave, në dy komuna të Drenicës.

Madje, ai theksoi edhe një rast se si një kandidati iu dyfishuan votat nga diaspora, e që sipas tij një gjë e tillë ishte e pamundur.

Në këtë pikë, ai tha se, falsifikimet e votave nuk janë bërë vetëm në Komisionet Komunale Zgjedhore, por edhe në Qendrën e Numërimit të Votave në Fushë Kosovë

“Në të kaluarën vjedhje industriale të votave ka pasur në dy komunat e Drenicës.

Më kujtohet se në një palë zgjedhje, një kandidat i partisë sime, mori rreth 6 mijë vota në Kosovë, ndërsa kur u numëruan votat e diasporës, ai arriti në 13 mijë vota, gjë që është e pamundur, sepse asnjë kandidat nuk mund të fitonte aqë shumë vota në diasporë. Ky koleg i imi në këtë mënyrë e “fitoi” një mandat deputeti.

Edhepse nuk pati rinumrim të votave, kur u numëruan votat e diasporës, në vend që të rriteshin për disa vota edhe votat e mija, ato u zvogëluan, gjë që nuk ka asnjë logjikë. Pra, falsifikimet e votave nuk janë bërë vetëm në Komisionet Komunale Zgjedhore, por edhe në Qendrën e Numërimit të Votave në Fushë Kosovë. Është folur hapur se votat janë shitur në këtë qendër”, shtjelloi ai.

Më tej, ish-deputeti i LDK-së, konsideroi se ka pasur pazare të mëdha dhe marrëveshje mes numëruesëve të votave dhe kandidatëve.

Kësisoj, ai nënvizoi qartazi se vjedhja e vullnetit të qytetarëve është krim i madh.

“Jam i bindur se edhe në Qendrat Komunale të Numërimit të Votave ka ekzistuar një marrëveshje në mes numëruesëve të votave dhe kandidatëve, të cilëve u janë shtuar votat. Unë jam i bindur se janë bërë edhe pazare, sepse nuk ka logjikë që numëruesit e votave ta rrezikojnë veten me burg pa përfituar asgjë. Nuk duhet besuar aspak se kandidatët nuk e kanë ditur këtë shtim të votave të tyre.

Pra, nga e gjithë kjo del qartë se edhe në mandatet e kaluara ka pasur deputetë në Kuvend me vota të falsifikuara, ndërsa jashtë tij kanë mbetur deputetë që i kanë fituar votat. Konsideroj se vjedhja e vullnetit të qytetarëve është krim i madh. Sidoqoftë, prokuroria dhe gjykatat duhet të merren me këto dyshime”.

Në fund, ai shtoi se, ky rinumërim do t’i bëjë mirë Kosovës dhe beson se do ta ndalë vjedhjen e votave në të ardhmen.

“Një problem i ri që po del, është kredibiliteti i sistemit zgjedhor, sepse, me konstatimin e këtyre vjedhjeve, ky sistem komprometohet shumë. Pra, edhe vetë KQZ ka përgjegjësi serioze, sepse nuk ka qenë syçelë për ta menaxhuar si duhet procesin zgjedhor. Megjithatë, ky rinumërim do t’i bëjë mirë Kosovës, sepse do ta ndalë në masë të madhe vjedhjen e votave në të ardhmen”, përmbylli Adem Salihaj për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *