OPINIONTË FUNDIT

Drejtësia pas 28 vitesh: Aktakuza që nderon Kosovën dhe sakrificën historike të familjes Jashari

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, ka paralajmëruar së fundmi se në një afat shumë të afërt pritet ngritja e aktakuzës për vrasjet e kryera ndaj familjes Jashari në Prekaz.

Duke e cilësuar këtë zhvillim si të afërt, Isufaj ka theksuar shkurt se “shumë shpejt do ta kemi një aktakuzë për masakrën që ka ndodh në Familjen Jashari”, një deklaratë që ka ngjallur reagime dhe pritshmëri të mëdha në opinionin publik.

Ky paralajmërim vjen pas më shumë se dy dekadash nga kryerja e një prej krimeve më të rënda gjatë luftës në Kosovë, një ngjarje që vazhdon të mbetet simbol i sakrificës, rezistencës dhe dhimbjes kolektive.

Ky zhvillim ka rëndësi të veçantë jo vetëm në aspektin juridik, por edhe në atë moral, historik dhe shoqëror, pasi adresimi i krimeve të tilla kontribuon në ruajtjen e së vërtetës historike dhe në forcimin e besimit të qytetarëve në institucionet e drejtësisë.

Megjithatë, paralajmërimi për ngritjen e aktakuzës hap edhe një sërë çështjesh të rëndësishme për diskutim: si duhet vlerësuar ky hap pas kaq shumë vitesh, çfarë pritet të ndodhë pas ngritjes së aktakuzës dhe cilat do të jenë sfidat kryesore në procesin gjyqësor, duke pasur parasysh ndërlikimet ligjore, provat, dëshmitarët dhe kontekstin politik ndërkombëtar.

Hoxha: Tani është vonë, por më mirë vonë se kurrë

ImageHafir HoxhaFoto galeri
E për këtë temë, për “Bota sot” foli ish-ushtaraku Hafir Hoxha.

Ai u shpreh se një aktakuzë e tillë është e vonuar.

Sipas tij, ajo do duhej të ngritej menjëherë pas përfundimit të luftës.

“Është e vonuar kjo dhe shumë padi tjera që është dashur të ngriten menjëherë pas vitit 1999, koha kur kishim shumë dëshmitarë gjallë”.

Megjithatë, ndonëse me vonesë ai e vlerësoi një gjë të tillë, derisa kërkoi që të ngriten edhe padi për krime të tjera të luftës.

“Tani është vonë, por më mirë vonë se kurrë, krahas saj duhet të ngriten edhe shumë padi të tjera”, përfundoi Hafir Hoxha për “Bota sot”.

Vrasja e familjes Jashari përbën një nga ngjarjet më tragjike dhe më simbolike të luftës në Kosovë, e cila ka lënë gjurmë të thella në kujtesën kolektive të popullit shqiptar.

Masakra e kryer në Prekaz në mars të vitit 1998 nuk ishte vetëm një akt brutal dhune ndaj një familjeje, por edhe një përpjekje për të shuar rezistencën dhe aspiratën për liri të një populli të tërë.

Për këtë arsye, familja Jashari është shndërruar në simbol të sakrificës, qëndresës dhe luftës për pavarësi, ndërsa drejtësia për këtë krim ka mbetur për vite me radhë një plagë e hapur.

Curri: Pas ngritjes së aktakuzës, pritet të nisë një proces kompleks gjyqësor

ImageAgron CurriFoto galeri
Kurse, avokati Agron Curri e mirëpriti lajmin për ngritjen e aktakuzës për vrasjet e familjes Jashari.

Ai në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” u shpreh se është një hap i jashtëzakonshëm, si në aspektin juridik ashtu edhe historik.

Sipas tij, kjo dëshmon se pavarësisht kalimit të kohës, krimet e luftës nuk do mbesin pa përgjegjësi.

“Paralajmërimi i Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale për ngritjen e aktakuzës lidhur me vrasjet e familjes Jashari përbën një hap jashtëzakonisht të rëndësishëm, jo vetëm në aspektin juridik, por edhe në planin historik. Bëhet fjalë për një nga krimet më të rënda të kryera gjatë luftës në Kosovë, i cili ka një peshë të veçantë për shoqërinë tonë. Ngritja e një aktakuze do të ishte një konfirmim se krimet e luftës, pavarësisht kalimit të kohës, nuk mbesin pa përgjegjësi penale”.

Krahas kësaj, Curri përmendi edhe sfidat që e presin gjyqësorin në trajtimin e këtij krimi, duke marrë parasysh provat, bashkëpunimin ndërkombëtar, si dhe kapjen e të dyshuarve.

“Pas ngritjes së aktakuzës, pritet të nisë një proces kompleks gjyqësor, i cili do të kërkojë standarde të larta profesionale nga ana e prokurorisë dhe gjykatës. Sfida kryesore do të jetë sigurimi dhe vlerësimi i provave pas më shumë se dy dekadash, përfshirë dëshmitë, dokumentacionin dhe lidhjen e përgjegjësisë individuale penale të personave të dyshuar. Po ashtu, mund të ketë vështirësi procedural, vështirësi të kapjes se të dyshuarve, qasjes në prova jashtë Kosovës dhe bashkëpunimit ndërkombëtar”, shtjelloi ai.

Ndër të tjera, avokati potencoi se pavarësisht të gjithave, ky është një mesazh se drejtësia mund të vonojë, por jo të mungojë.

“Megjithatë, rëndësia e këtij procesi tejkalon vetë rezultatin përfundimtar gjyqësor. Ai përçon mesazhin se drejtësia mund të vonojë, por nuk duhet të mungojë, dhe se krimet kundër civilëve dhe familjeve nuk mund të harrohen”, përmbyll Agron Curri për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *