“Pa marrëveshje me Kurtin, LDK rrezikon zhdukjen politike”
Anëtari i Kryesisë së Guxo, Kujtim Hajdaj, në një prononcim për “Bota sot”, thotë se LDK po kalon krizë të vazhdueshme të brendshme që nga ardhja e Isa Mustafës dhe bashkëqeverisja me PDK-në, e cila i kushtoi rëndë në besimin e elektoratit.
Sipas tij, LDK u ndëshkua fillimisht në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021 dhe përsëri pas bllokimit 10-mujor të institucioneve pas 9 shkurtit 2025, ku ajo ishte faktor kryesor.
Hajdaj vlerëson se LDK humbi një rast jetik për të hyrë në bashkëqeverisje me LV-GUXO-ALT dhe për të kontribuar në krijimin e institucioneve dhe zgjedhjen e Presidentit.
“Lidhja Demokratike e Kosovës po e kalon edhe një sfidë dhe proces tjetër të vështirë të brendshëm politik për t’u përcaktuar për të ardhmën e saj politike dhe kombëtare.
LDK zanafillën e krizës së brendshme politike e ka patë qyshse prej ardhjes së Isa Mustafës në krye të saj, dhe pastaj me lidhjen qeverisëse që u bë me PDK-en e Hashim Thaqit, përkundër atëherë e vullnetit të anëtarësisë dhe elektoratit të LDK-es. E që pastaj vijojë edhe me zgjedhjen e Hashim Thaqit për President të Kosovës.
Por, pa u thelluar shumë në detaje të asaj bashkëqeverisje jo parimore LDK-PDK, ajo i patë kushtuar shumë LDK-es, kur edhe u ndëshkua fortë nga elektorati në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021.
Për mendimin tim, ndëshkimi i dytë i madh që në vijim i ndodhi LDK-es – pa ndryshuar dhe mësuar asgjë nga gabimet politike dhe ndëshkimi që e pësoi në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021 në raport me politikat e PDK-es, është periudha e pas 9 shkurtit të vitit të kaluar, e bllokimit 10 mujor e mos krijimit të institucioneve shtetërore të Kosovës, ku më e zëshme dhe më bllokuese u veçua vet LDK, për çka prapë u ndëshkua nga elektorati në zgjedhjet e 28 dhjetorit të vitit që po e lëmë pas.
Ajo krizë bllokuese e krijuar nga LDK ishte e pakuptueshme kur dihet se Lidhja Demokratike e Kosovës e kishte rastin jetik që pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025 të hynte në bashkqeverisje më LV-GUXO-ALT, për t’i ofruar Kosovës të gjitha mundësitë për të ecë përpara me krijimin e qeverisë së re dhe për të mundësuar me marrëveshje politike zgjedhjen e Presidentit/Predidentes të Kosovës”, – thotë ai.
Hajdaj thekson se koalicioni qeverisës do t’i sillte Kosovës stabilitet afatgjatë dhe se LDK duhet t’i kërkojë fajet brenda vetes.
Sipas tij, do të ishte gabim fatal nëse LDK nuk arrin marrëveshje me Albin Kurtin për të mbështetur Vjosa Osmanin për mandat të dytë si Presidente. Ai vlerëson se LDK i duhet Kosovës dhe nuk duhet “rrafshuar” politikisht, ndërsa koalicioni fitues LV-GUXO-ALT-PSHDK nuk duhet të ushtrojë trysni ndaj zhvillimeve të brendshme të saj.
Hajdaj përfundon se përgjegjësia e qeverisë është të vazhdojë sukseset dhe të krijojë kushtet për rizgjedhjen e Vjosa Osmanit, në interes të Kosovës.
“Populli i jonë kishte nevojë për atë bashkë koalicion qeverisës sepse i ofonte Kosovës stabilitet afatgjatë në fushën politike, të sigurisë, ekonomike dhe të mirëqenies qytetare.
Prandaj, unë mendoi se LDK s’duhet të kërkoi fajtorin tjetërkah përveçse brenda gabimeve të saja udhëheqëse me partinë.
Sikurse që tashmë dihet, përgjatë ditëve te ardhshme, LDK-en e pret edhe një sfidë tjetër e madhe politike, ajo e zgjedhjes së Presidentit/Presidentit. Dhe do të ishte edhe një gabim tjetër fatal i udhëheqjes së LDK-es nëse nuk bënë marrëveshje politike me Albin Kurtin për t’i dhënë mbështetje Vjosa Osmani, për t’u zgjedhur edhe për një mandat të dytë si Presidente e Republikës së Kosovës.
Megjithatë, me gjithë këtë krizë të brendshme politike dhe udhëheqëse nëpër të cilën po kalon sot LDK, unë mendoi se s’do të duhej nga askush që të kërkohet “rrafshimi” i saj politik?
Jo. LDK i duhet Kosovës.
Prandaj, le t’i mundësohet lirshëm LDK-es, që ajo vet të gjejë rrugën e vet të humbur me partinë.
Në anën tjetër, koalicioni i jonë i madh fitues i zgjedhjeve të 28 dhjetorit LV-GUXO-ALT-PSHDK, apo figurat tona politike udhëheqëse, besoj unë, s’do të duhej të bëjnë kurrfarë trysnie mbi këto zhvillime të brendshme politike të LDK-es, sepse fitorja e jonë është aq e madhe dhe e fuqishme sa që na mundëson lirshëm m’i kriju të gjitha institucionet shtetërore të Kosovës, pa patur nevojë të hapen konfrontime tjera politike duke u “marrë” me problemet e brendshme të partive tjera opozitare, në ketë rast të LDK-es.
Fitore e madhe. Po. Vetëkënaqësi. Jo.
Përgjegjësi e madhe politike. Po.
Natyrshëm, qytetarët e Kosovës i kanë sytë kah kryeministri Albin Kurti dhe bashkë koalicioni qeverisës, dhe presin vazhdimësi të sukseseve qeverisëse në fushat: politike, të sigurisë, e punëve të jashtme, të mbrojtjes, ekonomike, e mirëqenies qytetare, pa u përqendruar fortë me problemet e zhvillimeve tjera politike.
Dhe në fund, besoj thellësisht, se kryeministri Albin Kurti do t’i krijojë rrethanat e përshtatshme për një marrëveshje të arritshme politike për të mbështetur pa rezervë Vjosa Osmanin edhe për një mandat të dytë si Presidente e Republikës së Kosovës.
Këtë ia kemi borxh Kosovës”, përfundon ai për “Bota sot”.
