Pezullimi i vizave amerikane, konsulentja Sokoli: Kjo është e vërteta, mos dëgjoni propagandë
Lajmi se Departamenti Amerikan i Shtetit ka pezulluar shyrtimin e vizave për 75 vende, përfshirë Shqipërinë e Kosovën, ngjalli një kaos në rrjetet sociale e një mori spekulimesh. Konsulentja Juliana Sokoli shpjegon për programin “Aldo Morning Show” në Tv Klan se kategoritë e vizave që kanë pësuar pezullim të përkohshëm janë vizat e bashkimit familjar apo të punësimit afatgjatë.
Sipas saj, vizat turistike nuk përfshihen.
“Bashkimet familjare hyjnë te vizat emigruese prandaj është e rëndësishme të kuptohet cilat janë ato viza, sipas medias ndërkombëtare, jemi akoma në kuadër të spekulimeve sa i përket kësaj mase që Shtetet e Bashkuara kanë marrë. Vizat e bashkimit familjar, vizat e punësimit afatgjatë, ato që të çojnë në marrjen e një lejeje të përhershme qëndrimi apo ‘green card’ siç jemi mësuar ta themi, janë këto lloj vizash të cilat mund të kenë një pezullim të përkohshëm që është për t’u parë pastaj cilat do të jenë teknikalitetet, do të ketë shtyrje, vonesa.”
Konsulentja thotë se intervistat nuk cenohen. Edhe sipas një publikimi në faqen zyrtare të ambasadës amerikane, thuhet: “Aplikantët për vizë emigruese që janë shtetas të vendeve të prekura mund të dorëzojnë aplikimet për vizë dhe të marrin pjesë në intervista, dhe Departamenti do të vazhdojë të caktojë takime për aplikantët, por asnjë vizë emigruese nuk do të lëshohet për këta shtetas gjatë kësaj periudhe pezullimi.”
Sokoli këshillon që personat që kanë aplikuar të mos bëjnë asnjë veprim tjetër.
“Të gjitëh personat që kanë aplikuar të mos ndërmarrin asnjë veprim përderisa nuk ka një njoftim zyrtar për këtë qëllim. Çdo person që ka aplikuar për një vizë emigruese apo turistike, pavarësisht se vizat turistike nuk janë të përfshira në këtë pezullim, duhet të presin njoftimin zyrtar nga autoritetet zyrtare përkatëse.”
Vendet e përfshira në listë janë: Afganistan, Shqipëri, Algjeri, Antigua dhe Barbuda, Armeni, Azerbajxhan, Bahamas, Bangladesh, Barbados, Bjellorusi, Belize, Butan, Bosnje dhe Hercegovinë, Brazil, Birmani, Kamboxhia, Kamerun, Kepi i Gjelbër, Kolumbi, Bregu i Fildishtë, Kubë, Republika Demokratike e Kongos, Dominikë, Egjipt, Eritre, Etiopi, Fixhi, Gambia, Gjeorgji, Ganë, Grenadë, Guatemalë, Guine, Haiti, Iran, Irak, Xhamajkë, Jordani, Kazakistan, Kosovë, Kuvajt, Republika e Kirgistanit, Laos, Liban, Liberi, Libi, Moldavi, Mongoli, Mali i Zi, Marok, Nepal, Nikaragua, Nigeri, Maqedoni e Veriut, Pakistan, Republika e Kongos, Rusi, Ruandë, Shën Kits dhe Nevis, Shën Luçia, Shën Vincent dhe Grenadinat, Senegal, Sierra Leone, Somali, Sudani i Jugut, Sudan, Siri, Tanzani, Tajlandë, Togo, Tunizi, Ugandë, Uruguai, Uzbekistan dhe Jemen.
“Emëruesi i përbashkët i këtyre vendeve është numri i lartë i vizave emigruese, bashkimit familjar, viza punësimi, viza të tjera se ka shumë kategori”, thotë Sokoli.
Veç vizave turistike, vizat studentore dhe afatshkurtra, sipas njoftimit, nuk preken nga ky pezullim./TV Klan
