OPINIONTË FUNDIT

Lis Bukuroca: Në shërbim të kujt është Gjykata Kushtetuese?

Pse “analfabetët” e diasporës nuk votojnë opozitën? Ja vetëm një arsye nga qindra të tjera:

Radomir Labani është dënuar për “mafi doganore” me gjashtë vjet burg në Serbi. Ai ka qenë në paraburgim nga 28 nëntori 2006 deri më 3 prill 2009.

Me aktgjykimin e Gjykatës së Lartë në Beograd të datës 29 janar 2011, i cili është ndryshuar nga Gjykata e Apelit më 4 qershor 2011, Radomir Labani është shpallur fajtor për korrupsion. Pasi kuptuan se Labani gjendej në Kosovë, autoritetet serbe lëshuan urdhër për shpalljen e fletarrestimit më 6 shkurt 2013. Ai ishte dashur të nisë vuajtjen e dënimit më 22 tetor 2012.¹

Gjykatësi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Radomir Labani, kërkohet nga Interpoli.²

Kandidatura e tij për gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës është mbështetur nga Lista Serbe. Në vitin 2018, Albulena Haxhiu e bën publike të kaluarën e tij. Megjithatë, më 18 maj 2018, Kuvendi i Kosovës e zgjedh atë me votat e 71 deputetëve të PDK‑së, AAK‑së, Listës Serbe, Nismës dhe AKR‑së së Behgjet Pacollit.

Ish-kryetari Hashim Thaçi një herë e refuzon, pastaj e miratoi emërimin. Domethënë me dije dhe vetëdije të plotë.

Shërbimi Sekret i Kosovës, sipas informatave të viteve 2018, 2021 dhe 2024, e konsideron atë rrezik për institucionet e sigurisë së Kosovës. Këtë e deklaroi edhe kryetarja e vendit në gusht 2025.

Kush mund ta pushojë nga detyra një gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese? Asnjë institucion shtetëror i Kosovës nuk ka atë të drejtë ligjore. Vetëm vetë gjyqtarët, përmes procedurave të brendshme, mund të marrin vendim për shkarkimin e ndonjë kolege.

Pse nuk e largojnë Labanin?

Ata nuk e bëjnë këtë, duke arsyetuar se Gjykata, e cila duhet të ketë nëntë gjyqtarë, tani për tani ka vetëm shtatë bashkë me kryetarin; dhe me gjashtë gjyqtarë do të bëhej jofunksionale.

Pse nuk janë votuar edhe dy gjyqtarë? Sepse nuk kishim Kuvend.

Megjithatë, pyetja që shtrohet ndriçon dy probleme të mëdha: a është Radomir Labani, ashtu si pesë gjyqtarët tanë, një “patriot kushtetues” kosovar? Nëse po, pse Lista Serbe nuk kërkon largimin e tij? Nëse po, pse Aleksandar Vuçiqi nuk e kritikon kurrë, ashtu siç bën me serbët e tjerë që pranojnë Republikën e Kosovës?

Nëse ai është në favor të Serbisë, a janë edhe gjyqtarët shqiptarë si ai? Dhe si mund të besohet se nuk janë si Labani?

Çudia e madhe është se për këtë fakt Karteli Mediatik hesht: ata që ndryshe njihen si gazetarë hibridë apo influencerë.

Kjo është përbërja aktuale e Gjykatës Kushtetuese, sipas faqes zyrtare të institucionit (gjk-ks.org)³:

Nexhmi Rexhepi kryetar, Bajram Latifi, Enver Peçi, Jeton Bytyqi, Remzije Istrefi‑Peçi, Safet Hoxha, Radomir Labani. Të gjithë janë zgjedhur në vitin 2018 dhe mandatet e tyre përfundojnë në vitin 2027.

Kur u zgjodh Labani, Kosova qeverisej nga Kryeministri Ramush Haradinaj, ndërsa President i Republikës ishte Hashim Thaçi; qeveria përbëhej nga koalicioni PDK, AAK, Nisma, Lista Serbe dhe AKR e Behgjet Pacollit.

Kryetar i Kuvendit ishte Kadri Veseli, zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli, zëvendëskryeministër i dytë Fatmir Limaj, zëvendëskryeministër i tretë Enver Hoxhaj, zëvendëskryeministër i katërt nga Lista Serbe Dalibor Jevtiq, ministër i Financave Bedri Hamza dhe ministër i Drejtësisë Abelard Tahiri.

Çfarë parashikon ligji NR.03/L-121 për kandidatin e Gjykatës Kushtetuese?

Neni 4 – Kushtet shtesë për emërimin e gjyqtarëve:

Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese duhet të jenë:

1.2. jurist të shquar me reputacion të shkëlqyeshëm profesional me jo më pak se dhjetë (10) vjet përvojë pune profesionale veçanërisht në fushën e së drejtës publike dhe kushtetuese të dëshmuar, mes tjerash, përmes punës profesionale si gjyqtarë, prokurorë, avokatë, shërbyes civil ose mësimdhënës universitar dhe punë tjera të rëndësishme të natyrës juridike;

1.3. individ me reputacion të shkëlqyeshëm moral, të cilët kanë aftësi të plotë veprimi dhe të cilët nuk janë dënuar për vepër penale.

Radomir Laban nuk ka pasur përvojë dhjetëvjeçare dhe nuk ka “reputacion të shkëlqyeshëm”, natyrisht, përveç nëse dënimi nuk konsiderohet si një lloj specializimi i veçantë.

Kjo gjykatë hibride nuk kundërshtohet nga opozita, por feston vendimet e saj si fitoret që ajo ua dhuron si mirënjohje.

T’i kthehemi Kushtetutës: gjyqtari duhet të ketë integritet moral, besueshmëri dhe të mos jetë i dënuar. Këto tri kritere i mungojnë Radomir Labanit(5).

Një dënim me gjashtë vjet burg e ka dëmtuar legjitimitetin etik dhe profesional të Gjykatës, ka cenuar kolegët e tij dhe e ka komprometuar paanshmërinë e institucionit. Kjo përbën shkelje të Kushtetutës së Kosovës nga vetë Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Ky është delegjitimim kushtetues.

Por, e kujt është kjo Gjykatë Kushtetuese?

Në fakt, përbërja e saj dhe indiferentizmi në zgjedhje pasqyrojnë në detaje Klanin Pronto dhe botëkuptimin e tij për shtetin ligjor.

Shkurt e shqip: Gjykata Kushtetuese është e kapur. Dhe Perëndimi ngulte këmbë që pikërisht kësaj Gjykate t’i dërgohej draft‑statuti për Asociacionin Serb.

Kjo është njëra nga arsyet pse “analfabetët” e diasporës nuk votojnë opozitën. Madje habitet tej mase se si ato parti kanë marrë më shumë se pesë për qind.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *