OPINIONTË FUNDIT

Rezultati i 28 dhjetorit tronditi PDK-në: Zgjedhje të brendshme në horizont, analistët zbërthejnë skenarët

20.19 për qind dhe 22 ulëse në Kuvend të Kosovës, ky është rezultati i Partisë Demokratike të Kosovës në zgjedhje e parakohshme të mbajtura më 28 dhjetor.

Partia Demokratike e Kosovës vazhdon të jetë parti e dytë në nivel vendi, ndërsa ky rezultat përkon me përqindje pothuajse të njëjtë edhe me zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, por ndryshe nga atëherë tani kësaj partie i takojnë dy ulëse më pak.

Ky rezultat ka ndikuar që kjo parti të fillojë me përgatitjet për zgjedhjet e brendshme partiake.

Në një mbledhje të Kryesisë së kësaj partie, të mbajtur të hënën,është diskutuar analiza e brendshme e procesit zgjedhor dhe e rezultatit elektoral.

Sipas PDK-së, ajo ka ruajtur votën e saj tradicionale, por duhen hapa mëtej.

Në njoftimin drejtuar mediave, ata kanë thënë se do të ketë zgjedhje të brendshme partiake, të cilat do të zhvillohen në të gjitha nivelet organizative, nga nëndegët dhe degët, deri te organet qendrore të partisë

“Gjatë kësaj mbledhjeje janë adresuar në mënyrë gjithëpërfshirëse të gjitha çështjet që lidhen me zgjedhjet e fundit, ku PDK është renditur si forca e dytë politike, duke ruajtur votën e saj tradicionale. Po ashtu, janë nxjerrë rekomandime konkrete për hapat e mëtejmë politikë dhe organizativë të partisë në të gjitha nivelet.

Si hap i parë drejt ecjes përpara dhe forcimit të mëtejmë të partisë, Kryesia e PDK-së ka miratuar vendimin për fillimin e përgatitjeve për zgjedhjet e brendshme partiake, të cilat do të zhvillohen në të gjitha nivelet organizative, nga nëndegët dhe degët, deri te organet qendrore të partisë.

Ky proces do të nisë gjatë javëve të ardhshme përmes emërimit të grupeve punuese dhe përpilimit të hapave konkretë, me synimin për një proces gjithëpërfshirës, demokratik dhe transparent, që ka për qëllim konsolidimin e strukturave, forcimin e unitetit të brendshëm dhe përgatitjen e PDK-së për sfidat politike”, thuhet në njoftim.

Nevoja për ristrukturim dhe garë reale, jo formale

Analisti Skënder Zogaj, thotë se të gjitha partitë politike të Kosovës, pa përjashtim me ardhjen në pushtet e kanë nëpërkëmbur nevojën jetike për transformim përmes reformimit të strukturave partiake.

Sipas tij, në vend të liberalizimit dhe hapjes, ato kanë aplikuar teknokracinë burokratike të seleksionimit negativ.

ImageSkënder ZogajFoto galeri
“Po bëhen gati katër dekada që kur fryma demokratike e Kosovës – e para në Ballkan dhe më gjerë – refuzoi hapur diktaturën komuniste dhe hapi epokën e pluralizmit politik, duke garantuar të drejtën e fjalës dhe të mendimit të lirë. Që kjo e drejtë të funksionojë realisht, kërkohet edhe vota plotësisht e lirë: e drejta për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur. Ky është standardi themelor i lirisë demokratike, të cilin Kosova e kishte arritur qysh në kohë robërie; paradoksalisht, në vend që ta forcojë dhe ta përparojë, pas çlirimit ka ndodhur e kundërta. Të gjitha partitë politike të Kosovës, pa përjashtim, me ardhjen në pushtet e kanë nëpërkëmbur nevojën jetike për transformim përmes reformimit të strukturave partiake, në përputhje me standardet bashkëkohore demokratike, duke e rrënuar kështu vetveten. Në vend të liberalizimit dhe hapjes, ato kanë aplikuar teknokracinë burokratike të seleksionimit negativ dhe, në 26-vjetorin e çlirimit, kanë mbërritur buzë kolapsit”, deklaron Zogaj.

LDK dhe PDK nuk kanë rrugë tjetër përveç dhe PDK nuk kanë rrugë tjetër përveç ristrukturimit rrënjësor, profilizimit serioz dhe vetëdijësimit për përgjegjësi politike, shprehet Zogaj.

Sipas tij, zgjedhjet nuk guxojnë të jenë vazhdimësi e praktikave të deritashme.

“Kjo gjendje është veçanërisht e dukshme te dy partitë e mëdha të pasluftës – LDK dhe PDK – të cilat sot mezi po qëndrojnë në këmbë. Zgjedhjet e fundit e nxorën në sipërfaqe këtë stërkeqje. Çka tani? Nuk ka rrugë tjetër përveç ristrukturimit rrënjësor, profilizimit serioz dhe vetëdijesimit për përgjegjësi politike; përndryshe, alternativa mbetet shuarja e plotë. Zgjedhjet e brendshme partiake janë kusht ekzistencial për LDK-në dhe PDK-në. PDK ka vepruar mirë që ka paralajmëruar zgjedhje të brendshme partiake. Këtë duhet ta bëjnë edhe të gjitha partitë e tjera. Megjithatë, kam bindjen se kjo thirrje ende nuk është mjaft serioze, sepse zgjedhjet nuk guxojnë të jenë vazhdimësi e praktikave të deritashme”, pohon analisti.

Pa garë reale dhe pa konkurrencë për cilësi, sipas Zogajt, zgjedhjet e brendshme mbeten formale dhe të kota.

“ Sa jam i informuar, PDK-ja e ka humbur dukshëm lidhjen me anëtarësinë e saj, duke anashkaluar vullnetin e degëve dhe duke defaktorizuar strukturat partiake. Pa garë reale dhe pa konkurrencë për cilësi, zgjedhjet e brendshme mbeten formale dhe të kota. Anëtarësia duhet të faktorizohet dhe të jetë autoriteti real i zgjedhjes së udhëheqjes së vet: ajo duhet të kandidojë dhe të vendosë me votë të lirë. Kjo vlen për të gjitha partitë opozitare, nëse duan të rikthejnë besimin e qytetarëve dhe nëse vërtet e duan të mirën e vendit dhe të popullit të tyre. Hapja e partive nuk duhet të bëhet mbi kriterin e moshës së re, por mbi bazën e kuadrove të përgatitura profesionalisht, që dinë dhe duan të kontribuojnë, e jo të atyre që partinë e shohin si strehë apo “mriz” personal”, shton Zogaj.

Partia Demokratike e Kosovës, pak para mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme, më 17 nëntor 2025, ka zgjedhur kryetarin e saj të ri, Bedri Hamzën.

Hamza u zgjodh kryetar pa kundër kandidat dhe pa asnjë votë kundër unanimisht. Zgjedhja e tij, ka ardhur pas dorëheqjes së Memli Krasniqit nga kjo pozitë.

Përgjegjësi, synimet, figura të reja domosdoshmëria për hapje

Analisti Eduard Gashi, thotë se lajmërimi i PDK-së për zgjedhjet e brendshme partiake hap debat të natyrshëm për marrje përgjegjësie.

ImageEduard GashiFoto galeri
Sipas tij, pritet përgjegjësi politike, por ndryshimet në këtë parti zakonisht janë proces gradual.

“PDK-ja ka lajmëruar se ka nisur përgatitjet për zgjedhjet e brendshme partiake, dhe kjo hap një debat të natyrshëm për përgjegjësinë pas rezultatit të 28 dhjetorit, për reformën dhe për drejtimin e ardhshëm të partisë.

A do të ketë përgjegjësi konkrete politike pas rezultatit të 28 dhjetorit dhe a priten ndryshime në strukturat udhëheqëse?

Po – pritet përgjegjësi politike, por duhet kuptuar se ajo nuk do të ndodhë “me prerje” brenda natës. Ndryshimet në një parti të madhe si PDK zakonisht janë proces gradual.

PDK ka shumë gjasa të bëjë një analizë të thellë të shkaqeve pse ka ardhur ky rezultat – sepse ky rezultat nuk është produkt vetëm i një fushate, por i një procesi shumëvjeçar ku është ndërtuar një perceptim i caktuar publik, edhe nga kundërshtarët politikë.

Ndryshimet do të vijnë:

• me riorganizim të strukturave

• me profilizim të ri politik

• me futje të figurave të reja në presidium dhe kryesi

• por pa e zhdukur “brezin e vjetër” krejtësisht, sepse kjo do të ishte utopike”, deklaron Gashi.

Synimi përmes zgjedhjeve të brendshme brenda PDK-së, sipas Gashit, është të përcjell një mesazh të fortë publik se janë reformuar.

Ai parasheh garë, por me kujdes.

“Synimi kryesor është të dërgohet një mesazh i fortë publik:

“Ne jemi reformuar, jemi ndryshe nga e kaluara, jemi të hapur.”

Kjo është shumë e rëndësishme sepse PDK dëshiron të shkëputet nga narrativa që i vishet shpesh nga LVV dhe Kurti: se “PDK është e njëjta strukturë e vjetër”.

Sa i përket garës:

• PDK do të përpiqet të krijojë gara reale, sepse vetëm gara e brendshme i jep legjitimitet reformës

• por do të ketë edhe balancim politik – sepse në Realpolitik, një parti nuk futet në përçarje të brendshme, por në riorganizim me kontroll.

Pra: gara do të ketë, por me kujdes që të mos kthehet në konflikt”, thekson analisti.

I pyetur nëse do të ketë hapësirë për figura të reja dhe për brez të ri, Gashi, thotë se kjo në PDK është domosdoshmëri.

Sipas tij, kjo parti duhet të hapet.

“Po – dhe kjo është domosdoshmëri.

Në Kosovë ka një gjeneratë të re votuesish, e cila:

• nuk është emocionalisht aq e lidhur me luftën

• e respekton historinë dhe veteranët

• por e sheh shtetin në mënyrë pragmatike: punë, ekonomi, inflacion, arsim, shëndetësi, zhvillim.

Prandaj PDK-ja duhet të hapet:

• ndaj profesionistëve të rinj

• ndaj figurave lokale që e njohin realitetin e qytetarëve

• ndaj njerëzve me kredibilitet ekonomik, diplomatik, institucional

Por njëkohësisht: edhe figura e re duhet të rritet me përgjegjësi politike. Entuziazmi i bazës është i fortë, por politika udhëhiqet me:

• pragmatizëm

• kompromis

• menaxhim krize

• balancim interesash”, shton analisti.

Në përfundim, ai shton se ndryshimet në PDK do të ndodhin, por shkallë- shkallë dhe se opozita mund të fitojë me ide, programe dhe me besim, jo me retorikë.

“Ndryshimet në PDK do të ndodhin, por shkallë-shkallë.

Zgjedhjet e brendshme janë mënyra më e mirë për të treguar:

• se PDK nuk është më “partia e vjetër”

• se është e gatshme të reformohet realisht

• se synon një profil të ri: opozitë serioze, jo agresive e personale

Dhe suksesi i kësaj reforme do të matet jo me deklarata, por me:

• sa mirë bën opozitë (me fakte, jo me sharje)

• sa afër shkon te qytetari në terren (lokalja → strategji kombëtare)

• sa bindshëm e paraqet veten si zgjidhje, jo vetëm si kundërshtim

Kështu opozita fiton: me ide, me programe dhe me besim, jo me retorikë”, përfundon Gashi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *