TË FUNDIT

Kosova si qendër strategjike amerikane: Dialogu me Serbinë në “duar” të Uashingtonit – Bytyçi zbardh prapaskenat

Ish-zyrtari i lartë amerikan, Charles Kupchan, vlerëson sepërfshirja e Kosovës dhe Serbisë në dokumentin e Aktit të Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare të Shteteve të Bashkuara synon të ushtrojë presion konstruktiv mbi Prishtinën dhe Beogradin për të ecur përpara në dialog dhe për të kapërcyer bllokimin aktual, duke kërkuar njëkohësisht qeveri të qëndrueshme në të dyja vendet.

Mirëpo, se sa ka shpresë që dialogun Kosovë-Serbi mund të “ringjallet” këtë vit, me një përfshirje të SHBA-së në këtë proces, foli profesori Enver Bytyçi.

Ai në një prononcim për “Bota sot” u shpreh se, dialogu Kosovë-Serbi, që nga sulmi në Banjskë është ndalur.

Sipas tij, kanë ndikuar shumë aspkete, por kryesori është akti terrorist i 24 shtatorit 2023.

“Dialogu Kosovë – Serbi që prej Banjskës ka stopuar. Kanë ndikuar shumë faktorë. Por kryesorja është implikimi i shtetit dhe presidentit të Serbisë në aktin terrorist të Banjskës të 24 shtatorit 2023. Kreu i kësaj organizate terroriste ishte Milan Radoiçiq. Por ai sot mbron presidendtin e Serbisë prej studentëve protestues. Ky është shkaku kryesor pse dialogu nuk funksionon. Ka një rregull në politikat shtetërore: – Me terroristët nuk bisedohet, nuk ka dialog. Këtë bëjnë SHBA-të dhe këtë gjë përpiqen të bëjnë në Bashkimin Europian, pavarësisht se nuk e respektojnë rregullin, sepse janë të përçarë. Pra, dialogu nuk funksionon në kushtet kur njëra palë përdor armët kundër palës tjetër në bisedime, siç ndodh me Serbinë”, nënvizoi ai.

Për këtë, Bytyçi përmendi edhe ndryshimet gjeopolitike, si dhe përfshirjen e Kosovës dhe Serbisë në ligjin e miratuar nga SHBA.

Ai theksoi se, Kosova është në çdo pikëpamje vendi më pro-amerikan në botë dhe kësisoj përfshirja e SHBA-së në dialog do ishte sinjal më se i duhur.

“Tani jemi në një situatë të re. Revanshi amerikan për të zgjeruar ndikimin dhe influencën e SHBA-ve edhe në vende dhe rajone që njihen si zona influence të Rusisë ose Kinës, jep sinjalin se zona e Ballkanit është pjesë e kësaj strategjie. Fakti që Kosova dhe Serbia janë përfshirë në Aktin e Mbrojtjes Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të thotë se Uashingtoni nuk ka nevojë të përdorë forcën për ta realizuar këtë. Nga këto dy vende, Kosova është në çdo pikëpamje vendi më pro-amerikan në botë. Por Serbia është në masën gati 90 përqind anti-amerikane. Nëse marrim parasysh këtë pozicion të ndryshëm të të dy vendeve, atëherë duhet besuar se dialogu i kërkuar në dokumentin strategjik të Amerikës mund të vazhdojë vetëm nën drejtimin e SHBA-së”, nënvizoi ai.

Krahas kësaj, profesori beson se SHBA do përfshihet në dialogun mes dy palëve, pasi që Trump nuk pëlqen të jetë vëzhgues në një proces të tillë.

Në këtë rast, duke besuar në politikat e presidentit amerikan, konsideron se marrëveshja përfundimtare e dy vendeve do të jetë marrëveshje e njohjes reciproke të dy shteteve.

“Dialogu Kosovë-Serbi nën drejtimin e Uashingtonit do të ndodh për shumë arsye. Së pari, se Amerika e sotme nuk pranon të bëhet vëzhguese e pasigurisë dhe mungesës së konsensusit europian në përpjekje për të mbyll konfliktin shqiptaro-serb në Kosovë. Nuk është në stilin e presidentit Trump të qëndrojë vëzhgues në “mbështetje” të një dialogu të tillë, ku Brukseli të jetë violinë e parë. Nuk e përcepton administrata e tij që një dialog midis Kosovës e Serbisë të zgjaste 15 vite. Pesëmbëdhjetë vite bisedime janë zhgënjimi më i madh për Bashkimin Europian, sepse ende Kosova kërcënohet seriozisht nga Serbia. Askujt nuk i kishte shkuar në mendje se NATO-s do t’i duhej ta vazhdonte misionin e KFOR-it për 27 vite radhazi. Nuk besoj se ka ndonjë rast tjetër të tillë në historinë e pas Luftës së Dytë Botërore. Pse ka ndodhur kjo? Për paaftësinë e Bashkimit Europian për t’i dhënë fund konfliktit. Për intrigat europiane dhe mungesën e harmonisë së vendeve europiane. Në këto kushte do të ishte iluzion dhe tallje që Brukseli të vazhdojë të udhëheqë bisedimet Kosovë-Serbi.

Për këto arsye besoj se Trump do të krijojë trupën e tij të negociatave, e cila do të veprijë në stilin e diplomacisë së presidentit amerikan, për një zgjidhje të shpejtë. Nuk janë të përshtatshme për palën amerikane Marrëvesja e brukselit dhe aneksi i Ohrit. Dokumenti amerikan e strategjisë së mbrojtjes ka përcaktuar qartë se këto dy dokumente nuk përputhen me kufizimet që përcakton dokumenti amerikan. Kësisoj kam arsye të besoj se marrëveshja përfundimtare e dy vendeve do të jetë marrëveshje e njohjes reciproke të dy shteteve, të Serbisë nga ana e Kosovës dhe anasjelltas e Kosovës nga ana e Serbisë”.

Më tej, ai komentoi edhe deklaratën e Kupchan për qeveritë në Kosovë e Serbi, derisa tha se Beogradi shpejt do krijojë institucione të reja.

Duke u bazuar në këtë, shtoi se, dialogu do shtyhet edhe për një vit deri të konsolidohet qeveritë e reja të të dy shteteve.

Në fund, paralajmëroi se SHBA nuk do lejojë askënd të vendosë ndikimin në Kosovë, përfshirë BE-në

“Zoti Charles Kuchman flet për kërkesën amerikanë për formimin e qeverive të qëndrueshme si në Kosovë, edhe në Serbi. Në Kosovë kemi tashmë një qeveri të qëndrueshme, falë shprehjes së vullnetit të qartë e të fortë të qytetarëve të këtij vendi. Në Serbi janë parashikuar zgjedhje të reja gjatë vitit 2026. Nuk është e qartë nëse ato zgjedhje do të prodhojnë një qeverisje të qëndrueshme në Serbi, si@ kërkojnë SHBA-të. Por edhe nëlse po, atëherë duhet pritur që në Serbi të përfundojë procesi i zgjedhjeve dhe krijimit të institucioneve për të nis me një dialog serioz midis palëve. Pra, pavarësisht kërkesës së dokumentit amerikan për të vazhduar dialogun Kosovë-Serbi, kjo duhet të ndodhë pasi Serbia të krijojë institucionet e reja të qëndrueshme.

Kësisoj ky dialog do të shtyhet në kohë, ndoshta edhe një vit. Me siguri që pas kësaj kohe edhe diplomacia amerikane do të ketë më shumë kohë dhe hapësirë për t’u marrë me këtë çeshtje. Por një gjë është e sigurt: – Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas Aktit të Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare të miratuar në Kongres dhe firmosur nga Presidenti Trump, nuk do të lejojë më asnjë aktor tjetër, përfshirë edhe BE-në, që të vendosë ndikimin mbi Kosovën. Kosova është e do të jetë qendra e sigurisë së SHBA-ve dhe interesave në kontinentin europian. Kosova është dhe mbetet i vetmi vend i sigurt jo vetëm për projektet amerikane, por edhe për çdo qytetar amerikan. Ndërkohë që administratat e shkuara nuk e kishin parë Kosovën plotësisht si të tillë”, përmbylli Enver Bytyçi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *