OPINIONTË FUNDIT

Halil Geci: Viti 2026 u përjetua si çlirimi i dytë i Kosovës – këtë herë me votë

Halil Geci e përshkruan vitin 2026 si një kthesë historike për Kosovën, një “çlirim të dytë” të arritur jo me armë, por me votë. Sipas tij, qytetarët rrëzuan me vullnet të lirë politik një sistem të ndërtuar mbi kapje të shtetit, korrupsion dhe keqpërdorim të historisë, duke rikthyer shpresën për një rend të ri demokratik dhe moral.

Në reflektimin e tij, Geci thekson se UÇK-ja dhe LDK-ja janë pjesë e historisë së Kosovës, por nuk mund të shërbejnë si alibi për dështime, pazare politike apo cenim të shtetit. Mesazhi i popullit, sipas tij, ishte i qartë: Kosova hyn në një epokë të re, të ndërtuar mbi përgjegjësi, drejtësi dhe shërbim ndaj qytetarit.

Postimi i plotë:

POPULLI E PËRJETOI KËTË VIT SI ÇLIRIMIN E DYTË TË KOSOVËS, NJËSOJ SI DITËN KUR NATO HYRI NË KOSOVË

Një reflektim politik për rrëzimin me votë të kapësve të shtetit dhe shpresën e një epoke të re demokratike

Në këtë shkrim dua t’i uroj popullit tim Gëzuar Vitin e Ri 2026,një vit që do të mbetet i paharruar në historinë e re të Kosovës. Ky vit shënon jo vetëm një ndërrim kalendarik, por një kthesë të madhe politike dhe morale për vendin tonë: një çlirim të dytë, të arritur jo me armë, por me votë.

Për shumë vite me radhë, skena politike e Kosovës u mbajt peng nga individë dhe grupe që, në emër të luftës, sakrificës apo figurave historike, uzurpuan pushtetin, pasurinë publike dhe institucionet e shtetit. Në emër të tri shkronjave të shenjta UÇK, disa u vetëshpallën çlirimtarë të përhershëm, duke e përdorur luftën si alibi për pasurim personal dhe përjashtim të të tjerëve.

Në anën tjetër, në emër të tri shkronjave LDK – por edhe UÇK dhe figurës historike të Presidentit Ibrahim Rugova, u ngrit një elitë që për vite të tëra u shndërrua në pjesë të pazareve politike, duke bashkëpunuar me struktura të dyshimta dhe duke humbur busullën morale e kombëtare.

U arrit deri aty sa të relativizohej rreziku nga Lista Serbe, ndërsa të shpallej armik kryeministri i Kosovës. U fol për “varre” e jo për shtet, për dhunë ndaj institucioneve dhe për projekte të rrezikshme si ndarja, asociacioni monoetnik dhe ekstraterritorialiteti – plane që cenonin drejtpërdrejt sovranitetin e Kosovës.

Këto veprime nuk kaluan pa reagim. Populli u vetëdijesua. U organizua. Dhe zgjodhi armën më të fortë në demokraci – votën. Me votë u goditën fort ata që e kishin kapur shtetin. Me votë u rrëzua një sistem i tërë hilesh, korrupsioni dhe mashtrimi.

Gëzimi i qytetarëve për këtë ndryshim është i krahasueshëm me ditët kur NATO hyri në Kosovë ,sepse edhe ky ishte një çlirim.

Viti 2026 le të jetë viti kur opozita më në fund e kupton se Kosova nuk ndërtohet me frikë, kërcënime dhe nostalgji të rreme, por me përgjegjësi, ndershmëri dhe shërbim ndaj qytetarit.

Tri shkronjat UÇK dhe LDK janë pjesë e historisë sonë dhe duhet të respektohen, por ato nuk janë pronë private e askujt dhe nuk mund të përdoren si mburojë për korrupsion, pasurim apo shkatërrim të shtetit.

Kosova ka hyrë në një epokë të re. Populli foli. Dhe fjala e tij ishte e qartë.

Gëzuar Vitin e Ri – vitin e shpresës, drejtësisë dhe çlirimit të dytë të Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *