Lumiri në shtëpi, Faton Bislimi në krye!
Kosova votoi! Jo vetëm kaq, por edhe reflektoi! Nuk ua la më partive politike që të luajnë me fatin e saj! U tha mjaft është mjaft. Ju provuam sa jeni të aftë të merreni vesh me njër-tjetrin! Ju ndoqëm dhjetë muaj me ankth në lojën që bëtë me ne qytetarët e Kosovës. Tani është radha jonë të vendosim. Dhe vendosën. Koalicioni i Vetëvendosjes fitoi mbi 50 përqind të votave të përgjithshme direkte. Do të ketë 56-58 deputetë. Vetëm tre-katër më pak se sa është shumica parëlamentare. Interesant: – Në Shqipëri Edi Rama me 46 përqind të votave të përgjithshme merr 83 deputetë ose gati tre të pestat e numrit të përgjithshëm, Albini në Kosovë me mbi 50 përqind të votave të përgjithshme nuk merr as gjysmën e numrit të deputetëve. Mjafton ky fakt për të parë sa manipulator dhe i rrezikshëm për demokracinë zgjedhore është kryeministri i Shqipërisë.
Por ajo që ra më së shumti në sy ishte rënia pikiatë me tetë përqind e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Çfarë ndodhi? Pse kjo rënie spektakolare? Jam i sigurt se dikush aty do të përpiqet të gjejë fajtorë të jashtëm. Ndoshta edhe nga radhët e analistëve. Por nuk është kjo. Lidhja Demokratike, e njohur si partia më e përkushtuar për forcimin e institucioneve, me naivitet refuzoi të bisedojë për një koalicion të mundshëm me Albin Kurtin për krijimin e institucioneve. Ajo u vetëpenalizua. Bojkotoi dialogun. Nuk pranoi të shtrojë alternativën e saj në një bashkëqeverisje me VV dhe koalicionin e saj. Kryetari i saj, Lumir Abdixhiku, shkoi deri atje sa të thoshte “Më jepni postin e kryeministrit që të bëhem bashkë me ju”, ndërkohë kishte fituar vetëm 22 deputetë nga 47 që kishte fituar Vetëvendosje. Pretendoi të shpërfillë vullnetin e qytetarëve të Kosovës. Ndaj dhe mori ndëshikimin e datës 28 dhjetor.
Çfarë duhet të bëjë LDK? Duhet të reformohet. Lidershipi i sotëm në bllok duhet të japë dorëheqjen dhe t’i hapë rrugën një brezi tjetër. Lumiri nga mosha i përket brezit të ri, por ra në grackën e “ujqërve” të vjetër të LDK-së. Ndaj duhet ta paguajë koston. Ta rinisë nga e para karrierën politike, duke premtuar se do të ndryshojë. Në brezin e ri shoh se Faton Bislimi është njëri prej më të spikaturve. Nuk e njoh nga afër. Nuk e kam takuar kurrë. Por e kam ndjek në qëndrimet dhe deklarimet e tij. Eshtë i njëjti nga fillimi deri në fund. Konsekuent në qëndrime dhe mendime. Deri diku i saktë, i qëndrueshëm, i ftohtë dhe i matur në përcaktimet e veta.
Faton Bislimin e njohin më mirë sesa e njoh unë anëtarët e Lidhjes Demokratike. Janë ata që vendosin dhe duhet të vendosin. Por unë e shoh si një figurë potenciale për të qenë kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe me potencial për ta ringritur atë në lartësinë që duhet dhe meriton. LDK nuk e meritonte këtë goditje elektorale kaq të rëndë deri në poshtërim. Lidhja Demokratike e Kosovës është historia e re e shtetit dhe e vendit. Eshtë emblema e lirisë dhe demokracisë. Kosova edhe sot ruan standardet e lirisë dhe të demokracisë, të tolerancës dhe bashkëpunimit instittucional e ndërpartiak, sepse e tillë ishte LDK e Ibrahim Rugovës, madje edhe në kohën më të vështirë të saj, kur vriteshin një e nga një figurat e rëndësishme të kësaj partie. Lumir Abdixhiku e devijoi LDK-në nga kjo rrugë me pretendimin se “Albini i kishte thënë një fjalë fyese”! Paradoks i jashtëzakonshëm.
LDK duhet të dalë shpejt me një vendim për ndryshim. Ajo nuk e ka luksin të rrijë e të dëgjojë diskutimet denigruese kundër saj! Sa më gjatë të rezistojnë dështakët, aq më shumë opinioni publik do të merret me Lidhjen Demokratike, gjithnjë në sensin e keq të fjalës.
