LDK në tatëpjetë: Kur historia nuk mjafton më për votë – ku gaboi dhe si mund të këndellet?
Ka 36 vjet në politikë, u formula më 23 dhjetor 1989 në Prishtinë në një periudhë represioni të rëndë politikë ndaj shqiptarëve, nga një grup intelektualësh ndër ta, presidenti historik Ibrahim Rugova konsiderohet kryetar themelues e figurë qendrore dhe Lidhja Demokratike e Kosovës konsiderohet parti themeluese e shtetësisë së Kosovës.
Para vitit 2006, Lidhja Demokratike Kosovës ishte forca kryesore politike në Kosovë, ndërsa pas vdekjes së presidentit historik, Ibrahim Rugova, LDK nga një parti dominuese filloi ta humbas gradualisht elektoratin e saj.
Në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, LDK mori rreth 12.7 % të votave dhe u rendit e treta pas Vetëvendosjes dhe PDK-së, në zgjedhjet e e 9 shkurtit 2025, LDK përmirësoi rezultatin krahasuar me 2021-ën, fitoi 18.27 % të votave, 20 vende në Kuvendin e Kosovës (nga 120), por përsëri u rendit e treta pas Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës.
Por, zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025, shënuan rënie përsëri të LDK-së. Nga 99.26 përqind të votave të numëruara, kjo parti ka fituar vetëm 13.59 për qind.
Ky rezultat i dobët ka sjellë reagim të menjëhershëm të kryetarit aktual të kësaj partie, Lumir Abdixhiku, i cili ka marrë përgjegjësinë duke thënë se rezultati nuk ka qenë i pritshëm.
Ai ka theksuar se situata kërkon reflektim të thellë brenda partisë, duke shtuar se do t’i thërrasë organet e LDK-së për të diskutuar hapat e mëtejmë.
“Duke marrë përgjegjësinë, ditëve në vijim do ta thërras Kuvendin e LDK-së dhe para tij do t’i shpalosim e shqyrtojmë të gjitha çështjet dhe përgjegjësit që mbaj si kryetar”.
“Rezultati i LDK-së nuk është ai që e kemi pritur dhe dëshiruar. Është moment reflektimi. Kur qytetarët flasin, ne duhet të dëgjojmë. Demokracia funksionon kur udhëheqësit mbajnë përgjegjësi, edhe kur kanë humbje të tilla”, ka deklaruar Abdixhiku.
Ai po ashtu ka bërë të ditur se çështja e dorëheqjes së tij do të diskutohet edhe në Kuvendin e Përgjithshëm të LDK-së.
“Në Kuvendin e Përgjithshëm edhe dorëheqja do të vihet në diskutim”, ka theksuar Abdixhiku.
Pse humbi LDK dhe nevoja për reflektim
Opinionisti Lirim Gashi, thotë se rezultati i dobët i LDK-së nuk është rastësi elektoriale.
Ai thotë se LDK humbi zgjedhjet, sepse humbi lidhjen me realitetin.
ImageLirim GashiFoto galeri
“Rezultati i dobët i Lidhjes Demokratike të Kosovës” nuk ishte rastësi elektorale, por pasojë logjike e një krize të thellë identitare, politike dhe morale. LDK i humbi zgjedhjet, sepse e humbi lidhjen me realitetin. Partia që dikur mishëronte mençurinë institucionale dhe urtësinë shtetformuese, sot u perceptua si subjekt i izoluar nga hallet reale të qytetarëve, i fiksuar më shumë në armiqësimin personal me Albin Kurtin sesa në ofrimin e zgjidhjeve. Një moment simbolik – por shumë domethënës – ishte deklarata e Hikmete Bajramit, e cila tha publikisht:
“Unë nuk kam problem me Listën Serbe, unë kam problem me Albin Kurtin.”
Kjo fjali, në vetvete, e përmbysi busullën morale të elektoratit të LDK-së. Kur një parti shqiptare relativizon rrezikun nga “Lista Serbe” që është instrument politik i Beogradit – dhe e shpall armik kryesor kryeministrin reformator Albin Kurtin, atëherë ajo parti nuk perceptohet më si alternativë shtetformuese, por si reaksion emocional ndaj ndryshimit”, shprehet Gashi.
Sipas tij, LDK nuk ka nevojë për kozmetikë retorike, por për kirurgji politike.
“Jo vetëm që është koha për reflektim dhe reforma të thella në LDK, është momenti i fundit i arsyes politike.
LDK nuk ka nevojë për kozmetikë retorike, por për kirurgji politike. Një parti që e humb besimin publik nuk mund të sillet sikur ka fituar betejën morale. Përgjegjësia nuk është abstrakte; ajo ka emra, struktura dhe vendimmarrje konkrete.
Kryetari Lumir Abdixhiku ka operuar me metoda të ngurta dhe izoluese, duke besuar se mund ta shndërrojë LDK-në në një kala të fortifikuar nga realiteti dramatik politik.
Por politika nuk është bunker; është ndërveprim, pragmatizëm racional dhe lexim i saktë i kohës dhe hapësirës politike, diplomatike dhe historike.
Realiteti i sotëm kërkon:
racionalitet strategjik,
bashkëpunim institucional,
qëndrim të qartë ndaj rreziqeve të jashtme,
dhe përgjegjësi morale ndaj qytetarëve.
Pa reflektim të thellë dhe pa dorëheqje si akt dinjiteti politik, LDK rrezikon të shndërrohet nga një subjekt politik historik në një relike emocionale të së kaluarës”, deklaron opinionisti.
Ai tregon hapat që LDK të nxirret nga kjo krizë, gjersa shton se kush beson se mund ta rikthejë rugovizmin në LDK duke e bërë djalin kriminel të Rugovës, shpresë-bartës të partisë, ai ka kokë boshe si kungulli i Halloween-it.
“Hapi i parë është pranimi i realitetit, jo luftimi i tij. LDK duhet të ndalë së funksionuari si parti anti-Kurti dhe të fillojë të funksionojë si parti pro-Kosovë.
Reforma nënkupton: hapje ndaj mendimit kritik të brendshëm, distancim nga narrativat që relativizojnë rrezikun serb dhe rikthim te fryma rugoviane e maturisë, jo te egoja personale.
Vetëm kështu LDK mund të rikthehet si faktor stabiliteti, jo si spektator i frustrimit të vet.
Budallallëku s’ka brirë si lopa, ai shfaqet edhe duke tentuar ta kthesh frymën rugoviane përmes djalit të tij kriminel, Ukës.
Kjo nuk quhet reformë por makijazh apo mashtrim optik, për të cilin më së paku ka nevojë ky popull dhe kjo Republikë.
Kush beson se mund ta rikthejë rugovizmin në LDK duke e bërë djalin kriminel të Rugovës, shpresë-bartës të partisë, ai ka kokë boshe si kungulli i Halloween-it.
Krahasimi nuk është krejtësisht i saktë, sepse zviceranët e ndriçojnë kungullin bosh të Hallowt eeen-it me qirinj nga brenda, ndërsa Lumir Abdixhiku ka harruar ta ndriçojë kokën e Ukë Rugovës, me qirinj nga brenda”, përfundon Gashi.
Lidhja Demokratike e Kosovës sipas trendit aktual të votave, fiton 15 mandate në Kuvend, domethënë pesë më pak se zgjedhjet paraprake.
Gabimet e LDK-së dhe mësimet që dolën nga zgjedhjet
Veprimtari Agim Aliçkaj thotë se, Lëvizja Vetëvendosje fitoi bindshëm, ndërsa humbësit ishin të këqij në pushtet dhe u bënë edhe më të këqij në opozitë.
ImageAgim AliçkajFoto galeri
“Mbështetja e popullit është çelësi për fitoren e zgjedhjeve. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme përfaqësojnë nivelin më të lartë të demokracisë. Katër procese zgjedhore, përfshirë balotazhet, secili më i mirë se tjetri dhe pa probleme serioze, janë një arritje e jashtëzakonshme. Ato janë një shembull demokracie në Ballkan. Populli i Kosovës dhe spektri politik kanë arsye të jenë krenarë. Përveç disa rasteve të izoluara individuale, gjithçka ka shkuar mirë. Fitorja bindëse, me mbi 50%, e LVV-së në koalicion me Guxo, Alternativa dhe PSHDK është plotësisht e merituar. Kryeministri Kurti e bindi popullin se puna dhe veprimet e qeverisë së tij ishin në interes të qytetarëve, në interes të zhvillimit dhe të forcimit të shtetit. Populli e shpërbleu atë me votë. Humbësit e zgjedhjeve—PDK, LDK, AAK dhe NISMA—ishin të këqij në pushtet dhe u bënë edhe më të këqij në opozitë. Ata kanë hyrë në një labirint të errët dhe nuk janë në gjendje të gjejnë rrugëdalje”, deklaron Aliçkaj.
Ai përmend mësimet që dolën nga këto zgjedhje, gjersa shton se edhe nëse një parti është në opozitë dhe qeveria e shtetit ndodhet në një përballje të ashpër me armikun, ajo duhet ta marrë anën e qeverisë, jo ta kritikojë atë.
“Mësimet që dolën nga këto zgjedhje janë të qarta. Populli voton për ju që të mbroni interesat e tij dhe të shtetit tuaj, jo për të zbatuar urdhrat e diplomatëve ndërkombëtarë. Ata kanë interesat e tyre dhe mund të korruptohen nga armiqtë tanë. Të gjithë ata janë të përkohshëm. Vetëm populli juaj është i përhershëm. Grenellët, Hillët, Escobarët, Lajçakët dhe Borrellët nuk kanë të drejtë vote në Kosovë. Bashkëpunimi dhe koordinimi me miqtë, pa përulje, është e vetmja rrugë e qeverisjes. Nëse jeni parti opozitare dhe qeveria e shtetit tuaj ndodhet në një përballje të ashpër me armikun, duhet të merrni anën e qeverisë suaj, e jo ta kritikoni atë. Pushteti nuk fitohet duke e dobësuar shtetin. Dhe nëse, rastësisht, qëndrimet tuaja përputhen me ato të armikut, ndryshoni shpejt, sepse karriera juaj politike ka marrë fund. Pushteti nuk fitohet përmes fyerjeve, sharjeve, shpifjeve dhe kritikave të pabazuara ndaj kundërshtarëve politikë, por përmes programeve konkrete qeverisëse dhe sjelljes konstruktive. Duket se opozita ende nuk e kupton se për ta mposhtur Kryeministrin Kurti dhe koalicionin e tij, duhet të bëhen më të mirë se ata, jo më të këqij. Bllokada e krijimit të institucioneve, e orkestruar nga opozita nën direktivat e ish-ambasadorit amerikan Richard Grenell, ishte goditja përfundimtare për ta. Ata shkuan deri aty sa të refuzonin votimin e buxhetit të shtetit dhe të buxheteve të disa komunave, si dhe kredive të vlefshme ndërkombëtare, me shpresën se do ta nxisnin popullin e Kosovës kundër Kryeministrit Kurti dhe do ta merrnin pushtetin pa vota, në mënyrë të paligjshme”, pohon veprimtari.
Ai Lidhjen Demokratike të Kosovës e sheh humbësen më të madhe, gjersa përmend arsyet për këtë.
“Humbësi më i madh i këtyre zgjedhjeve është Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK). Deklaratat e udhëheqësve të LDK-së se nuk kanë problem me Listën Serbe, por me Kurtin; se Kurti po e keqtrajton pakicën serbe njësoj si Miloševiqi dhe Rankoviqi i trajtonin shqiptarët; dhe se diçka duhet t’i jepet Serbisë, ishin gabime fatale. Refuzimi i tyre për të hyrë në koalicion me LVV-në për të zhbllokuar situatën e vulosi humbjen e tyre. Këto dhe shumë gabime të tjera në organizimin e brendshëm—si kontrolli absolut i strukturave partiake, largimi i kuadrove të aftë dhe devijimi nga rruga e Rugovës—e bëjnë reflektimin nga udhëheqja e partisë të domosdoshëm. Duke i marrë parasysh të gjitha rrethanat, dorëheqja e kryetarit dhe e kryesisë së partisë është minimumi i nevojshëm për të filluar ndryshimet e domosdoshme për ecjen përpara. Kosova ka nevojë për parti të forta konstruktive opozitare. Pas fitores bindëse, Kryeministri Kurti përballet me shumë detyra për ta kthyer shtetin në një gjendje normale. Formimi i shpejtë i institucioneve, plotësimi i ministrive me kuadro të aftë, miratimi i buxhetit dhe shumë çështje të tjera janë të një rëndësie jetike. Zbutja e diskursit politik dhe afërsia më e madhe me opozitën, me qëllim realizimin e shumë projekteve të rëndësishme, janë thelbësore”, thekson Aliçkaj.
Zgjedhjen e presidentit në prill, ai e konsideron të rëndësishme gjersa kërkon rizgjedhjen e presidentes Vjosa Osmani.
“Me rëndësi të veçantë është arritja e konsensusit me partitë e tjera për zgjedhjen e Presidentit në prill të këtij viti dhe shmangia e zgjedhjeve të tjera të jashtëzakonshme. Do të ishte një gabim i pafalshëm nëse Presidentja Vjosa Osmani nuk do të zgjidhej në këtë post të rëndësishëm. Performanca e saj gjatë pesë viteve të fundit ka qenë mbresëlënëse. Kushdo që voton kundër zgjedhjes së saj do të përballet me një ndëshkim edhe më të madh nga populli i Kosovës. Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane, e udhëhequr nga Presidenti Joe DioGuardi dhe Këshilltarja për Çështjet e Ballkanit Shirley Cloyes DioGuardi, e mbështet plotësisht Kryeministrin Kurti dhe Presidenten Osmani. Ne nuk mbështesim parti politike, por udhëheqës që dëshmojnë se interesat shtetërore dhe kombëtare i vendosin mbi interesat personale dhe partiake. Personalisht, si Drejtor Ekzekutiv i LQShA-së, drejtpërdrejt përgjegjës për ndihmën ndaj situatës në Kosovë dhe qeverisë aktuale në rrugën e duhur të ndërtimit të shtetit dhe kombit, jam shumë i lumtur me arritjet e Kosovës, veçanërisht në përballjen me Serbinë dhe me rezultatet zgjedhore. Mbështetja e komunitetit dhe e shumë bashkatdhetarëve anembanë botës për punën time dhe të Ligës ka qenë e jashtëzakonshme. Puna jonë, në bashkëpunim me organizatat e komunitetit shqiptaro-amerikan për promovimin dhe avancimin e interesave të shteteve tona dhe të kombit shqiptar në Kongresin e SHBA-së dhe në të gjitha nivelet zyrtare në Ëashington, vazhdon. Urime për zgjedhjet madhështore, Kosova jonë Dardane! Zoti e bekoftë kombin shqiptar!”, përfundon veprimtari.
