Rron Gjinovci opozitës: “Ndoshta mundesh për pak, por pastaj 50% s’të fal”
Analisti Rron Gjinovci ka përmbledhur disa mësime kryesore nga zgjedhjet e fundit, duke theksuar se manipulimi mediatik, lajmet e rreme dhe kauzat opozitare të fabrikuara nuk funksionojnë në një shoqëri të vogël si Kosova. Sipas tij, qytetarët kanë intuitë të fortë për të dalluar realitetin nga propaganda.
Gjinovci thekson se nuk mund të ndërtohet opozitarizëm përmes aleancave me oligarkë, neutralitetit ndaj Serbisë apo pa një program të qartë ideo-politik. Ai nënvizon se realiteti ekonomik, liria e mediave dhe pluralizmi politik janë të dukshëm dhe nuk mund të mohohen.
Në përfundim, ai vlerëson se mungesa e vizionit dhe e autenticitetit politik reflektohet drejtpërdrejt në rezultatet zgjedhore, duke e bërë të pamundur fitimin e besimit të shumicës së qytetarëve.
Postimi i plotë:
Çka mësum nga këto zgjedhje?
– Nuk mundesh që përmes montimit mediatik të rasteve të “korrupsionit” me kriju imazh që qeveria është e korruptume. Ekziston intuita publike që i kapë të vërtetat publike e cila siç duket në Kosovë është shumë e fortë.
– Nuk mundesh përmes lajmeve të rreme në nji shoqni të vogël si Kosova me prodhu situatë ku i deformon rezultatet e zgjedhjeve. Mundësia për me i konfirmu lajmet është e madhe sepse vendi është i vogël.
– Nuk mundesh me kriju kauzë opozitare fallc, tu folë për përçarje, për diktaturë, për varfëri ekstreme, për cenzurë të mediave, se këto janë sene që shihen. Në Kosovë nuk ka përçarje, shumica janë kundër korrupsionit dhe kundër Serbisë, përfshi shumicën e votuesve të partive opozitare. Nuk ka diktaturë në ni vend ku 4-5 emisionet ma të shikume janë me 90% të folësve kundër qeverisë. Nuk ka varfëri ekstreme kur vendi shënon në mënyrë konsistente rritje të buxhetit, rritje të GDP-së, rritje të vjeljes së taksave e rritje të eksporteve. Nuk ka cenzurë ndaj medieve kur gazetarët janë të lirë me sha, me ofendu, me rrejtë, me shpifë në drejtim të qeverisë pa asnji penalizim, qoftë edhe financiar.
– Nuk mundesh përmes aleancës me oligarkë dhe me televizione klanore me kriju imazh pozitiv te nji sasi e madhe e qytetarëve.
– Nuk mundesh me kanë netural ndaj Serbisë. Duhesh me kanë origjinalisht dhe përnime kundër Serbisë, e nuk mundesh me i thanë njeri i Serbisë atij që e lufton ma së forti Serbinë.
– Nuk mundesh me bo opozitarizëm pa manifest, pra pa nji udhëzim ideo-politik përmes të cilit prodhon vendime politike opozitare. Pra duhesh me ditë çka po don, jo thjesht me thanë “s’po du kurgjo” se njerëzit nuk shohin te ti zgjidhje por probleme.
Ndoshta edhe mundesh, por pastaj nuk mundesh, se 50%.
