OPINIONTË FUNDIT

LVV synon 50% të votave, Meholli: Qytetarët dhe diaspora po vendosin për vazhdimësinë e qeverisë Kurti!

Pasi që, Kosova është në prag të zgjedhjeve të reja parlamentare 28 dhjetorit, gazeta “Bota sot” ka zhvilluar një intervistë me kandidatin për deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Sylejman Meholli.

Në këtë intervistë, Meholli flet për pikat kyçe që, sipas tij, e dallojnë LVV-në nga partitë opozitare, arritjet e qeverisjes Kurti në fusha të ndryshme si ekonomia, mirëqenia sociale, siguria dhe sundimi i ligjit, si dhe pritshmëritë për rezultatin zgjedhor dhe qeverinë e ardhshme.

Ai ndalet gjithashtu te roli i diasporës në vendimmarrje dhe përcjell mesazhin e tij për qytetarët në prag të zgjedhjeve vendimtare për të ardhmen e vendit.

ImageSylejman MeholliFoto galeri
Intervista e plotë

Gazeta “Bota sot”: Z. Meholli, cilat janë pikat e forta të LVV-së krahasuar me partitë opozitare në qeverisje dhe politika publike?

Sylejman Meholli: Si subjekt politik, LVV edhe në program, edhe në qeverisje ka qenë e fokusuar në politika publike që sjellin zhvillim, mirëqenie e progres, për dallim prej partive opozitare që për vite të tëra kanë qeverisur pa ide, pa programe, e pa vizion.

Që nga ditët e para të Qeverisë Kurti 1, e edhe në mandatin e tanishëm, kemi bërë investime në infrastrukturën rrugore, investime në modernizim me paisje në shëndetësi, investime bë arsim, sport e trashëgimi kulturore.

Janë bërë investime të jashtëzakonshme në Forcën e Sigurisë së Kosovës, me blerjet e raketave antitank Javelin, dronët Bajraktar, armë e paisje moderne me të cilat është furnizuar FSK.

Kemi rikthyer sovranitetin e munguar për më shumë se dy dekada në veriun e Kosovës, e po ashtu është bërë luftë e pakompromis ndaj strukturave ilegale e paralele serbe atje, janë shkatërruar dhjetëra laboratorë të drogës e kriptovalutave, janë shkatërruar rrugët ilegale të kontrabandës, dhe është vendos rend dhe ligj për të gjithë qytetarët pa dallim.

Për herë të parë kemi pasur shtesa për fëmijë, shtesa për nënat lehona, rritje të pagave në sektorin publik, rritje të pagës minimale në sektorin privat, dhe rritje tek të gjitha kategoritë e pensioneve dhe skemës sociale. Këto janë vetëm disa nga shumë punët e mira që janë bërë gjatë qeverisjes sonë.

Gazeta “Bota sot”: Cilët janë skenarët më të mundshëm të rezultateve të zgjedhjeve të 28 dhjetorit dhe si mund të ndikojnë ato në balancën e pushtetit në qeveri?

Sylejman Meholli: Nga zgjedhjet e 28 dhjetorit, presim të kemi rekord të votave për Lëvizjen VETËVENDOSJE!, kandidatin tonë për Kryeministër z. Albin Kurti, si asnjëherë më parë. Në këto zgjedhje presim ta tejkalojmë shifrën prej 50% të votave në nivel vendi, duke pas paraysh disponimin qytetarë dhe mbështetjen që gëzon Kryeministri Kurti, shto këtu edhe ardhjen masovike të mërgatës sonë, e cila na ka mbështet në mënyrë plebishitare në çdo palë zgjedhje, e të cilën natyrisht se do ta kemi përsëri në zgjedhjet që po ofrojnë.

Gazeta “Bota sot”: Cilat janë pritshmëritë tuaja nga qeveria e re pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit? A mund të ketë bllokadë të re institucionale, apo besoni se do kemi qeveri të re pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit?

Sylejman Meholli: Pas zgjedhjeve të reja, do të ketë themelim të shpejtë të Kuvendit të Kosovës dhe Qeverisë së re, sepse pritjet tona janë që ta kemi shumicën e deputetëve në Kuvendin e Kosovës, e rrjedhimisht nuk mund të ketë bllokadë institucionale. Përkundrazi, do të ketë themelim të shpejtë edhe të Kuvendit, edhe të Qeverisë, edhe të gjitha institucioneve të Kosovës, e që do ta vazhdojmë qeverisjen e re, qeverisjen progresiste, që do të jetë në shërbim të qytetarëve, zhvillimit ekonomik, dhe reformave që i kemi nisur e që do ti vazhdojmë edhe në mandatin e ardhshëm 4 vjeçar.

Në mandatin e ardhshëm qeverisës si vendime prioritare do të jenë: Miratimi i buxhetit rekord prej 4 miliardë euro për vitin 2026, Procedimi i ligjit të ri për çmime tavan, ashtu që të frenohet abuzimi i tregtarëve me rritjen e çmimeve, Procedimi i ndryshimit plotësues të ligjit, që heq kufizimin e punësimit për veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që marrin beneficionin, Miratimi i vendimit për pagesën e pagës së 13-të për të gjithë shërbyesit publikë, që në fillim të vitit, dhe Miratimi i Pakos për Përballje me Inflacionin 2.0, në vlerë prej 200 milionë eurosh, e cila përmban: Mbështetje të njëhershme për pensionistët, fëmijët që marrin shtesa, studentët dhe punëtorët e sektorit privat. Rikthim të Skemës për Subvencionim të Kursimit të Energjisë Elektrike, nga e cila pritet të përfitojnë mbi 200 mijë familje.

Gazeta “Bota sot”: Si mund të ndikojë diaspora në vendimmarrjen e qeverisë së ardhshme për çështjet që lidhen me komunitetet jashtë vendit?

Sylejman Meholli: Votat e mërgatës do ta bëjnë fitoren tonë edhe masovike, edhe festive. Pra në dhjetor, do të kemi edhe fitore, edhe festë. Mërgata do të ketë rol aktiv në vendimarrjen politike të qeverisë se re. E rrjedhimisht presim që ata të adresojnë çështjet që i preokupojnë dhe për të cilat kërkohet zgjidhje.

Gazeta “Bota sot”: Cili është mesazhi i juaj për qytetarët në prag të këtyre zgjedhjeve?

Sylejman Meholli: Ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës me të drejtë vote që ta shfrytëzojnë këtë të drejtë dhe të dalin sa më masovikisht në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Të votojnë sipas bindjes së tyre të lirë, ta votojnë Lëvizjen VETËVENDOSJE!, Kryeministrin Kurti, dhe partnerët e koalicionit, që ta vazhdojmë qeverisjen e mirë e të mbarë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *