25 vjet nga beteja e Likoshanit dhe Qirezit
25 vjet nga beteja e Likoshanit dhe Qirezit
Sot bëhen 25 vjet nga fillimi i luftës në Kosovë, e cila nisi në fshatrat e Drenicës, Likoshan dhe Qirez, ku te vendi i quajtur “Te tre lisat” u zhvilluan luftimet mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave kriminale serbe.
Në luftimet e zhvilluara mbetën të vrarë disa policë serbë. Si pasojë e kësaj, forcat e armikut rrethuan të dy fshatrat ku ekzekutuan 24 civilë të pafajshëm.
Në rrethimin e fshatrave, armiku përdori artileri të rëndë, duke përfshirë helikopterë dhe shumë mjete tjera të blinduara, përfshirë edhe tanke, raporton kp.
Qysh në ditën e parë të luftimeve, armiku kreu masakrat ndaj civilëve, vetëm në familjen Ahmeti vrau 11 persona.
Pas pak ditësh, më 5 mars, ushtria dhe policia serbe rrethuan familjen e Komandantit Legjendar të UÇK-së, ku familja Jashari rezistoi për 3 ditë dhe 3 net në luftimet kundër armikut.
Me luftën e Prekazit, tani më çdo gjë ishte e qartë, në Kosovë lufta për liri nuk do të kishte më të ndalur.
Gjatë luftimeve deri në çlirimin e vendit, rreth 1 milion shqiptarë u dëbuan nga Kosova, 15.000 u vranë, 2.400 prej tyre ranë dëshmorë. Armiku kreu shumë masakra, si atë në Abri, Reçak, Meje, e shumë e shumë të tjera.
Gjatë luftës janë zhdukur rreth 5.000 njerëz, fati i shumicës prej tyre është zbardhur deri në vitin 2007, por ende nuk dihet për fatin e mbi njëmijë shqiptarëve të zhdukur.
Në këtë periudhë kohore janë përdhunuar afër 20 mijë femra shqiptare. Gjatë periudhës kohore mars 1998 – qershor 1999, njësitë kriminale dhe artileria e rendë serbe kanë shkatërruar dhe djegur pjesërisht ose tërësisht rreth 1.100 vend-banime shqiptare, kanë plaçkitur, djegur e shkatërruar mbi 200.000 shtëpi, banesa, lokale afariste, punëtori zejtare, fabrika, shkolla, biblioteka, monumente kulturore-historike, objekte kulturore, shkencore, fetare etj.
Kjo luftë që filloi nga 28 shkurt 1998 e deri më 23 mars 1999 u zhvillua mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave kriminale serbe.
Ndërsa nga 24 mars 1999 e deri më 10 qershor 1999, Aleanca Veri-Atlantike NATO me bombardime të përditshme mbi caqet ushtarake jugosllave, me përkrahjen tokësore të UÇK-së, detyroi forcat serbe dhe diktatorin famëkeq Sllobodan Millosheviqin të nënshkruajë kapitullimin në Kumanovë.