OPINIONTË FUNDIT

Kosova rrit investimet në mbrojtje, ekspertët flasin për sigurinë dhe prioritetet e qeverisë

Në vitet e fundit, Kosova ka rritur ndjeshëm shpenzimet dhe investimet në sektorin e mbrojtjes dhe sigurisë.

Sipas statistikave të fundit, shpenzimet e mbrojtjes për Kosovën gjatë periudhës së fundit katërvjeçare arrijnë së paku rreth 430 milionë euro, duke përfshirë blerjen e pajisjeve si dronë të mbikëqyrjes dhe tjera mjete teknologjike për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) ndërsa vazhdon transformimi i saj drejt një ushtrie profesionale të plotë.

Nga ana e sigurisë së brendshme dhe të jashtme, Kosova përballet me një mjedis të ndjeshëm rajonal.

Tensionet me Serbinë dhe ndikimet e rivaliteteve ndërkombëtare në Ballkan krijojnë një sfond të paqëndrueshmërisë.

Modernizimi ushtarak dhe përpjekjet për të forcuar kapacitetet mbrojtëse janë pjesë e këtij konteksti gjeopolitik, ku vendet e tjera të rajonit gjithashtu rrisin shpenzimet e tyre për armatim dhe bashkëpunim me aleatë.

Dashevci: Duhet të investohet edhe më shumë në aspektin e mbrojtjes dhe sigurisë që të përmbushen në plotni kapacitetet e Ushtrisë së Kosovës

Eksperti i sigurisë, Arben Dashevci, në një përgjigje për “Bota sot”, thekson se Kosova ka investuar qindra miliona euro në mbrojtje, duke modernizuar FSK-në, ndërtuar industrinë vendore të mbrojtjes dhe forcuar bashkëpunimin me NATO-n, SHBA-në dhe Britaninë e Madhe.

Ai thekson se Kosova nuk është vetëm konsumues sigurie, por një prodhues stabiliteti dhe aleat strategjik në rajon, dhe duhet të vazhdojë investimet në mbrojtje për të përmbushur kapacitetet e Ushtrisë së Kosovës.

ImageArben DashevciFoto galeri
“Jemi dëshmitar që pas ndryshimeve globale në fushën e sigurisë, Republika Kosova ka investuar qindra miliona euro në siguri, duke rritur buxhetin e mbrojtjes drejt 2% të PBB-së, duke modernizuar FSK-në (armatim, dronë, trajnim), duke ndërtuar industrinë vendore të mbrojtjes, dhe njëkohësisht duke forcuar bashkëpunimin dhe koordinimin e ngushtë me NATO-në, SHBA-në dhe Britaninë e Madhe.

Falë investimeve të brendshme dhe bashkëpunimit të drejtpërdrejtë me aleatët perëndimorë, Kosova sot është jo vetëm e mbrojtur, por një aleate serioze në arkitekturën euro-atlantike të sigurisë.

Prandaj, një shtet i vogël që arrin të investojë qindra miliona euro në mbrojtje, paralelisht me partneritet të drejtpërdrejtë ushtarak me SHBA-në, Britaninë e Madhe dhe NATO-n, nuk është më vetëm konsumues sigurie është prodhues stabiliteti (sigurie) dhe aleat strategjik në rajon.

Duhet të vazhdohet kështu, duhet të investohet edhe më shumë në aspektin e mbrojtjes dhe sigurisë që të përmbushen në plotni kapacitetet e Ushtrisë së Kosovës”, u shpreh Dashevci për “Bota sot”.

Shala: Buxheti për mbrojtje është rritur

Eksperti tjetër, Drizan Shala lidhur me këtë çështje nënvizon se Kosova ka rritur ndjeshëm investimet në mbrojtje, duke e transformuar FSK-në në një forcë moderne, profesionale dhe interoperabile me NATO-n, me buxhet që arrin 2% të PBB-së dhe projekte për dronë, armë antitank dhe industri vendore të mbrojtjes.

“Kosova në vitet e fundit ka bërë një kthesë të qartë strategjike në fushën e sigurisë, duke rritur ndjeshëm investimet në mbrojtje, polici dhe kapacitete inteligjente, me buxhet që tashmë i afrohet standardit 2% të PBB-së dhe me fokus të drejtpërdrejtë në ndërtimin e kapaciteteve reale operative. Forca e Sigurisë së Kosovës është duke u transformuar në një forcë moderne, profesionale dhe interoperabile me NATO-n.

Buxheti për mbrojtje është rritur nga rreth 153 milionë euro në 2024 në mbi 207 milionë euro për vitin 2025, duke arritur ~2 % të PBB-së, afër standardeve të NATO-s.

Për periudhën afatmesme qeveria ka premtuar më shumë se 1 miliard euro për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) gjatë një mandati të ri, me fokus në ndërtimin e kapaciteteve operative, pajisje moderne, dhe një industri të brendshme të mbrojtjes.

Investimet përfshijnë blerjen e dronëve Bayraktar dhe Puma, sisteme antitank Javelin, dhe zhvillimin e fabrikës së municioneve “Made in Kosovo”, si dhe plane për prodhim dronësh të projektuar brenda vendit”, tha ai.

Duke folur për ”Bota sot”, Shala, thekson se Kosova, përballë kërcënimeve hibride, po kalon nga pranuese e sigurisë në ofruese të stabilitetit.

E që sipas tij, prioritet i qeverisë së re duhet të jetë forcimi i policisë dhe FSK-së, zhvillimi i industrisë vendore të mbrojtjes, rritja e inteligjencës dhe sigurisë kibernetike, si dhe thellimi i partneritetit me SHBA-në dhe NATO-n.

ImageDrizan ShalaFoto galeri
“Ndërsa Policia e Kosovës mbetet një nga institucionet më të besueshme dhe funksionale në rajon. Në aspektin e sigurisë aktuale, Kosova është stabile në nivel kombëtar, por përballet me kërcënime hibride të vazhdueshme, veçanërisht në veri, të orkestruara përmes dezinformimit, presionit politik dhe elementëve kriminalë të mbështetur nga jashtë. Megjithatë, reagimi institucional ka dëshmuar se Kosova nuk është më vetëm pranuese e sigurisë, por po shndërrohet gradualisht në ofruese të stabilitetit, si për qytetarët e saj ashtu edhe për rajonin. Prioritet i qeverisë së re duhet të jetë konsolidimi i këtij transformimi: forcimi i inteligjencës dhe kundërzbulimit, zhvillimi i industrisë vendore të mbrojtjes, rritja e sigurisë kibernetike dhe thellimi i partneritetit strategjik me SHBA-në dhe NATO-n. Vetëm përmes një qasjeje të tillë, Kosova e pozicionon veten si shtet serioz, sovran dhe kontribuues aktiv në arkitekturën e sigurisë rajonale dhe euroatlantike.

Çfarë duhet të jenë prioritetet e qeverisë së re?

1. Mbrojtje e integruar kombinime civil-ushtarak

• Forcimi i Policisë së Kosovës, forcave kufitare, dhe strukturave të emergjencave civile për t’iu përgjigjur çdo krize.

• Sigurimi i vinçimit të trajnimeve, pajisjeve dhe teknologjive moderne.

2. Zhvillimi i industrisë së sigurisë

• Funksionalizimi i fabrikës së municioneve dhe programet e dronëve “Made in Kosovo”.

• Partnershime me Shtetet e Bashkuara, NATO, dhe vendet perëndimore për transfertë teknologjike.

3. Rritja e buxhetit të sigurisë publike dhe inteligjencës

• Rritje graduale e përqindjes së PBB-së për mbrojtje drejt pragut të rekomanduar të 2-5 %, duke balancuar zhvillimin ekonomik dhe nevojat për siguri.

• Modernizimi i kapaciteteve të inteligjencës civile dhe ushtarake për të parashikuar dhe parandaluar kërcënimet hibride dhe keqbërjet komplekse.

4. Siguri digjitale dhe mbrojtje kundër kërcënimeve moderne

• Forcimi i mbrojtjes kibernetike, rregullimi i privatësisë së dhënave dhe rritja e kontrolleve ligjore për teknologjitë e survejimit.

5. Diplomaci e fuqishme sigurie

• Vazhdimi i dialogut me BE dhe SHBA, si dhe përfshirja në iniciativat e sigurisë rajonale për të reduktuar tensionet me fqinjët.

• Bashkëpunim i ngushtë me NATO dhe aleatët për të garantuar mbështetjen strategjike të sigurisë”, deklaroi Shala për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *