Sami Lushtaku në qendër të skandalit, publicisti e ‘godet’ ashpër për fyerjen e ulët ndaj Matoshit
Publicisti kërkon ndëshkim për fyerjen e Lushtakut ndaj deputetes Matoshi
Kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ka eskaluar me gjuhën e përdorur ndaj ish-deputetes së LVV-së, Adriana Matoshi.
Lushtaku ka thënë se niveli i saj nuk është i një deputeteje që ka përgjegjësi për fjalën që flet.
“Ajo është niveli i saj, sikur kur del prej një shtëpie publike e jo si një deputete që ka përgjegjësi për fjalën që flet me qytetarët”, deklaroi Lushtaku, e që për këtë gjë është kritikuar mjaft shumë.
E këtë diskurs publik, ku në vend të debatit me argumente eskalon gjuha në fyrje e sharje personale, foli publicisti Lis Bukuroca.
Si fillim, ai tha se gjuha e përdorur ndaj deputetes Matoshi nuk tregon asgjë për të, ajo tregon më shumë për Lushtakun që e ka përdorur këtë fyrje.
Sipas tij, në një shtet ligjor, Lushtaku do përballej me pasoja juridike për përdorimin e një gjuhe të tillë.
“T’i thuhet një deputeteje se “duket si e dalë nga shtëpia publike” nuk tregon asgjë për zonjën e sulmuar; përkundrazi, flet për botëkuptimin, përvojat dhe asociacionet që personi që e shqipton atë fyerje ka krijuar gjatë jetës.
Një njeri që e sheh një grua në këtë mënyrë, zakonisht i bart të njëjtat paragjykime edhe në situata të tjera, jo vetëm ndaj zonjës dinjitoze Adriana Matoshi.
Fyerje të tilla janë tregues i qartë i karakterit, edukatës, arsimimit dhe aftësisë komunikuese të personit që i përdor.
Në një shtet ligjor, ku dinjiteti i njeriut mbrohet me seriozitet, një deklarim i tillë publik do të sillte pasoja juridike, sepse përbën denigrim, cenim të integritetit dhe poshtërim të hapur të një zonje.
Ajo gjuhë pasqyron mangësi në edukatë elementare dhe në socializimet e mëvonshme”, deklaroi publicisti.
ImageLis Bukuroca.Foto galeri
Krahas kësaj, Bukuroca tha se do duhej të kishte reagim nga prokuroria për një gjuhë të tillë.
Ai potencoi se sjelljet e tilla janë të dëmshme dhe nuk duhet të normalizohet poshtërimi i grave.
“Nuk mund të pritet që çdo individ të jetë i ditur, i edukuar dhe i sjellshëm, por nga prokuroria duhej pritur reagim në raste kur një grua poshtërohet publikisht, pa asnjë shkak, vetëm pse mënyra e të parit të botës e dikujt është e deformuar nga paragjykimet apo traumat personale.
Sjellje të tilla janë të dëmshme edhe për rininë, veçanërisht për ata që te Sami Lushtaku shohin një figurë autoriteti: ish-komandant, ish-kryetar komune, milioner etj. Normalizimi i poshtërimit të grave shpesh ndodh në mjedise ku diskriminimi i tyre është i rrënjosur herët”.
Tutje, publicisti konsideron se situatën e bën më shqetësuese edhe fakti se Lushtaku nuk e konsideron si ofendim gjuhën e përdorur.
Sipas tij, nëse Lushtaku do ishte person me kulturë dhe respekt, së paku do kërkonte falje për këtë fyerje.
“Ajo që e bën edhe më shqetësuese situatën është mungesa e plotë e reflektimit: ai nuk e konsideron si ofendim atë që ka thënë. Një person me kulturë, dije dhe respekt ndaj nënave, motrave dhe grave në përgjithësi, do të kishte kërkuar ndjesë publike, qoftë edhe për t’i dërguar shoqërisë një mesazh se sjellje të tilla janë të papranueshme dhe nuk duhen imituar.
Sepse nëse një mendim i tillë normalizohet, atëherë çdo burrë me të njëjtin nivel inteligjence e deukate, do t’i shohë gratë tjera përmes të njëjtit paragjykim, duke i reduktuar në stereotipe të ulëta mizogjine si “gra që dalin nga shtëpia publike”, shtjelloi Bukuroca.
Ndër të tjera, ai e vlerëson si shqetësues nivelin e degradimit të gjuhës publike, duke potencuar se një gjuhë e tillë nuk duhet të tolerohet, por të ndëshkohet.
“Është për keqardhje që diskursi publik ka degraduar deri në atë pikë sa rrugaçëria shndërrohet në temë, poshtërsia në kulturë, ndërsa injoranca, mungesa e kulturës gjuhësore dhe e komunikimit në standard televiziv. Ndërkohë, cenimi i dinjitetit trajtohet si normalitet. Institucionet duhet të japin shembull se gjuha denigruese dhe poshtëruese nuk tolerohet dhe se për të duhet të ketë pasoja të ndjeshme”, përmbylli Lis Bukuroca për “Bota sot”.
