Zgjedhjet e 28 dhjetorit dhe shenjtëria e shtetit dhe institucioneve në Kosovë!
Njeriu ka disa parime dhe disa gjëra të shenjta. Ndërsa njerëzimi ka krijuar tabutë e shenjta të tij. Shteti dhe institucionet e tij janë shenjtëria më e madhe e kohëve moderne. Natyrisht krahas familjes, pronës dhe Zotit. Kjo vlen për çdo person e sidomos për elitat e kombeve dhe popujve. E natyrisht shenjtëria e shtetit, institucioneve të tij dhe integritetit territorial është e pandarë nga jeta e shqiptarëve. Kur shteti shkel mbi këto parime të shenjta, atëherë qytetari ikën nga vendlindja e tij, ia mbath, se shteti e injoron. Kështu le pas vetes shtëpinë, pronën, familjen, vendlindjen dhe farë e fisin. Kur qytetari mbyllet në guacën e vet dhe bëhet indiferent ndaj fateve të shtetit dhe institucioneve të tij, atëherë fati i kombit dhe i atdheut merr rrokullimën.
Këto që thashë nuk janë dogma, sa do që kozmopolitët do të thoshin se “predikime të tilla bien ndesh me interesat globale”! Ndërkaq duhet thënë se shenjtëria e shtetit dhe e institucioneve në Kosovë është shumë herë më e shenjtë për qytetarët e Kosovës sesa në vendet e tjera. Është i shenjtë ai njeri, i cili e trajton si të tillë shtetin, pronën, familjen, kombin dhe zotin. Sigurisht duke e parë veten në ekuilibër me të gjitha këto koncepte. Kosova bëhet e shenjtë, nëse shteti e konsideron individin të shenjtë, si dhe kur individi e sheh shtetin dhe institucionet e tij si të tillë, si njësi të shenjtëruara.
Kjo do të thotë se marrëdhënia shenjtërore midis individit dhe institucioneve të shtetit, sidomos në Kosovë, është e duhet të jetë qëllimi politik kryesor në kohën e sotme. Individi i fortë favorizon ndërtimin e shtetit të fortë dhe anasjelltas. Nëse Kosova e ndërton mirë këtë ekuacion, atëherë suksesi i saj është i garantuar. Ekuacioni ndërtohet në shumë mënyra. Zgjedhjet janë mënyra dhe shansi më i mirë. Më 28 dhjetor 2025 do të zhvillohen zgjedhjet e reja të parakohshme parlamentare në Kosovës. Qytetari, votuesi i këtij vendi të bekuar, ka në dorë t’i japë të ardhme të sigurt vetes së tij, familjes, pronës e para së gjithash shtetit, institucioneve të tij, pra ardhmërisë kombëtare. Çfarë mund të bëjë një zgjedhës me votën e tij?
Së pari, mund të ulet, ta vendosë kokën mes dy duarve dhe ta kalojë si në film eksperiencën politike e qeverisëse prej çlirimit të Kosovës e deri më sot. Sidomos për periudhën që kur filluan ato që u quajtën bisedime teknike dhe u kthyen në bisedime politike e deri për territorin. Nëse i kalojmë këto ngjarje dhe kujtojmë kompromiset e lidershipit të partive politike për ndarjen e Kosovës apo asosacionin, për ta lënë veriun si pjesë tampon midis Kosovës dhe Serbisë, etj. atëherë dallojmë qartë se cila pjesë e politikës është e përkushtuar për shtetin, institucionet dhe sovranitetin e integritetin territorial të vendit.
Së dyti, gjatë meditimit zgjedhësi duhet të dallojë propagandën për teoritë e perfeksionit dhe narrativat serbe të stanishiqëve me të vërtetën. Askush në këtë botë nuk është perfekt. Po ashtu asnjë lider dhe asnjë politikan. Madje edhe asnjë subjekt politik. Po të doni guxoj të them se të gjithë ne së bashku, miliona shqiptarë, ose edhe qindra miliona njerëz sikur të jenë në një mendje, nuk do të kishin një mendje perfekte. Prandaj dhe përdorni kritere tokësore për të dalluar mashtrimin nga e vërteta. Kriteri themelor në arsyetim e gjykim është metoda krahasuese. Le ta konkretizojmë: – Bëhen kritika p.sh. për korrupsion të qeverisë dhe për katër vjet janë amplifikuar pak raste. Madje kam lexuar edhe se si presidentja e Kosovës, zonja Osmani, në një vizitë e shoqëruar nga stafi i saj në Shqipëri para disa vitesh kishte shpenzuar 1000 euro.
Nëse vë në punë mendjen dhe kujtesën, atëherë do të mësosh se këto kritika janë të drejta, por rastet e kritikuara nuk krahasohen aspak me shpërdorimet dhe grabitjen e pasurive kombëtare të atyre që hiqen tani si “të virgjër”! Kam dëgjuar p.sh. Xhavit Halitin të thotë se “Në Kosovë të gjithë i kanë nga dy milionë euro”, qëllimisht që të justifikonte vjedhjen, korrupsionin dhe grabitjen e pasurive të Kosovës nga politikanë të partisë së tij. Kështu mund të kuptosh se korrupsioni i sotëm në administratën publike është shumë më i vogël se më parë.
Së treti, ju thonë se “Albin Kurti është autokrat e marksist”! Mos besoni gjithçka nga këto akuza. Analizoni veprimet e tij. Përpiquni të gjeni se në cilin rast ai ka dëshmuar arrogancë dhe ka shfaqur ide marksiste. Ai mund t’i besojë idetë marksiste. Por elektorati duhet të niset nga fakti nëse i përdor ato ide për Kosovën dhe e dëmton atë, ose jo! Nëse gjeni arsye ta besoni këtë fabul të ish-opozitës, krahasoje “këtë defekt” të Albin Kurtit me kontributet e tij për shtetin, institucionet, territorin dhe sovranitetin. Kjo e fundit është e duhet të jetë motivi kryesor për të votuar dikë.
Së katërti. Bëni dhe një krahasim tjetër përmes një bilanci! Shihni se cili politikan mashtron! Cili politikan premton me pasion për të bërë gjëra të mira, por nuk i arrin të gjitha? Dhe cili prej tyre premton dhe i realizon premtimet e tij! Cili shet propagandë dhe cili prej tyre bën punë. Të parin përjashtojeni nga mundësia për ta votuar. Të dytin mateni dhe vlerësojeni edhe në përshtatje me tri pikat e mëparshme. Të katërtin mos e refuzoni! Edhe në këtë rast po jap një shembull: – Mbi 500 milion euro ka shpenzuar qeveria Kurti për blerjen e armëve dhe investimet në industrinë e mbrojtjes. Ndërkohë që paraardhësit e tij në po atë periudhë kohe kishin shpenzuar më pak se 5 milion.
Në këtë mënyrë Kosova do të votojë për shenjtërinë e shtetit, të institucioneve dhe vlerave të tjera të Kosovës!
