Legjislatura më e padobishme”, rreth dy milionë euro nga buxheti për deputetë që nuk punuan
Legjislatura e nëntë e Kuvendit të Kosovës po vlerësohet si njëra nga më të pasuksesshmet dhe më të dëmshmet në historinë e vendit. Përkundër faktit se deputetët nuk arritën të kryenin as detyrat më bazike kushtetuese, ata i morën pagat vazhdimisht nga buxheti i shtetit.
Sipas të dhënave të siguruara nga KosovaPress, vetëm për këtë legjislaturë, përgjatë shtatë muajve të vitit 2025, rreth dy milionë euro janë shpenzuar për pagat e deputetëve dhe të asistentëve të tyre. Nga këto, 1 milion e 371 mijë euro i kanë shkuar deputetëve, ndërsa 571 mijë euro janë paguar për asistentët e tyre.
Legjislatura e nëntë u shpërnda të enjten nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pasi përgjatë tetë muajve nuk u funksionalizua puna e Kuvendit, si dhe dështoi dy herë të zgjidhej qeveria e Kosovës, pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
Nga Kuvendi i Kosovës i thanë KosovaPress, se nga muaji prill, kur edhe është thirrur seanca konstituive dhe deri në tetor, 1 milion e 371 mijë euro janë ndarë për pagat e deputetëve. Ndërkaq, mbi 571 mijë euro janë ndarë për pagat e stafit mbështetës politik apo asistentëve të tyre. Meqenëse Kuvendi u shpërnda gjatë muajit tetor, deputetëve dhe asistentëve të tyre do t’u paguhet edhe ky muaj. Po ashtu, të zgjedhurit e popullit kanë të drejtë të marrin pagë kalimtare pas shpërndarjes së Kuvendit.
