Detonatorët në Leposaviq ndezin alarmin: Ekspertët paralajmërojnë skenarë destabilizues në veri të Kosovës
Ditë më parë, Policia e Kosovës, në bashkëpunim me trupat e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR-it, gjetën 10 detonatorë ndezës me kabllom në afërsi të fshatit Gnjezhdan të Leposaviqit.
Kjo gjetje u përcoll me reagime të mëdha dhe paralajmërime të ndryshme.
Pas njoftimit zyrtar të policisë në lidhje me rastin në Leposaviq, reagoi menjëherë ministri në detyrë i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla.
Ai alarmoi duke thënë se, “Serbia përmes bandave kriminale e terroriste vazhdon ende të planifikojë e ndërmarrë sulme terroriste në Republikën e Kosovës”.
Sipas ministrit, prania dhe angazhimi i vazhdueshëm i Policisë së Kosovës dhe institucioneve të sigurisë ka mundësuar identifikimin dhe sekuestrimin e mjeteve që, siç u shpreh ai, do të mund të përdoreshin për “sulme të rrezikshme terroriste”.
Ai theksoi se institucionet e Kosovës mbeten të vendosura në përballje me “grupet kriminale dhe terroriste” që veprojnë në veri të vendit.
Gjithashtu, përmes raportit 24 orësh, Policia e Kosovës bëri të ditur se ka nisur hetimet për detonatorët e gjetur në Leposaviq dhe se për këtë rast është njoftuar edhe prokurori i shtetit.
Mirëpo, sa alarmante janë detonatorët e gjetur në Leposaviq dhe se si duhet reaguar folën njohësit e sigurisë.
Sipas tyre, ky rast duhet analizuar, pasi jep sinjale të forta për aspektin e sigurisë së shtetit tonë.
Softa: Serbia përdor çdo incident për të krijuar klimë të paqëndrueshme në rajon
Fillimisht, për këtë çështje për “Portali Realiteti” foli eksperti i sigurisë, Fatjon Softa.
Ai potencoi se gjetjet e fundit të Policisë dhe KFOR, tregojnë se ka një përgatitje logjistike të terrenit për skenarë destabilizues.
“Detonatorët e gjetur në një zonë kufitare siç është Leposaviqi, sipas deklarimit të Ministrit të Brendshëm në detyrë, janë komponentë të rëndësishëm për veprime të armatosura dhe përdoren për aktivizim eksplozivësh artizanalë, për veprime sabotimi apo për sulme të mundshme ndaj institucioneve apo forcave të sigurisë së Kosovës.
Ky fakt tregon se ka një përgatitje logjistike të terrenit për skenarë destabilizues, ku mund të jenë të përfshira grupe të organizuara që përgatiten për veprime në terren. Ky është një sinjal paralajmërues dhe jo thjesht një incident policor”.
Krahas kësaj, Softa foli edhe për qasjen e ndërkombëtarëve ndaj rasteve të tilla, derisa tregoi se pse reagimet janë të “ftohta” ndaj këtyre zhvillimeve.
Në këtë rast, ai përmendi tri shkaqe, e një nga to ishte edhe shmangia e një përshkallëzimi direkt me Beogradin.
“Pse reagimi ndërkombëtar duket i ftohtë?
Ka disa arsye:
1. Ndërkombëtarët po shmangin përshkallëzimin e drejtpërdrejtë me Serbinë.
SHBA dhe BE kanë hyrë në një logjikë të menaxhimit të krizës, jo të ndërhyrjes së drejtpërdrejtë. Ata kërkojnë stabilitet minimal dhe shmangie përplasjesh me Beogradin, meqenëse Serbia është e lidhur ngushtë me interesat ruse në Ballkan, situatën e brendshme politike të presidentit Vuçiç dhe krizën gjeopolitike në Evropë.
2. Diplomacia perëndimore është e vakët nga tensionet në veri të Kosovës.
Sulmi terrorist i Banjskës, përplasjet me KFOR-in dhe operacionet e ndryshme kriminale në veri kanë lodhur qasjen diplomatike.
Ndërkombëtarët shpesh preferojnë zgjidhje teknike–policore, jo deklarata politike të ashpra ndaj Beogradit.
3. Serbia nuk i pranon incidentet dhe i injoron ato.
Beogradi e trajton çdo kritikë si “sulm ndaj serbëve të Kosovës”, duke e vështirësuar angazhimin më aktiv të diplomacisë perëndimore, e cila kërkon të ruajë ndikimin ndaj Serbisë”, shtjelloi ai.
Ndër të tjera, eksperti komentoi edhe bandat kriminale të lidhura me BIA-n serbe, derisa tha se Serbia nuk do heq dorë nga provokimet dhe nxitja e tensioneve të reja.
“Serbia nxit tensione. Kjo bëhet nëpërmjet bandave kriminale në veri të lidhura me BIA-n. Sulmet, provokimet dhe pajisjet e fshehura ushtarake janë pjesë e një strategjie presioni për të ruajtur ndikimin në veri. Serbia përdor çdo incident për të krijuar klimë të paqëndrueshme në rajon, me qëllim paraqitjen e vetes si e vetmja mbrojtëse e serbëve. Kjo strategji është përdorur edhe në Bosnje, Mal të Zi dhe në disa qarqe të Maqedonisë së Veriut”.
Përveç kësaj, ai vlerësoi se situata duhet të merret si alarmante, përderisa dhe detonatorët tregojnë për një përgatitje operative.
Krahas kësaj, konsideron se incidenti në Leposaviq nuk është i rastësishëm, por sinjal për aktivitete të rrezikshme.
“A është situata alarmante? Po, situata është e tillë për disa arsye:
Pajisjet dhe detonatorët tregojnë për një përgatitje operative, jo thjesht aktivitet kriminal.
Përzgjedhja e zonës në Leposaviq – zonë kufitare, terren malor dhe me vështirësi kontrolli – tregon qëllim të qartë operacional.
Rritja e aktivitetit të njësive të sigurisë së Serbisë pranë kufirit gjatë muajve të fundit përputhet me modelin e provokimeve.
Ky incident nuk është rastësor; ai tregon për aktivitete të rrezikshme, të koordinuara dhe të mbështetura nga struktura të jashtme në veri të Kosovës. Kosova dhe KFOR-i e kanë neutralizuar rrezikun, por kjo kërkon rritje të kapaciteteve të inteligjencës, shtim të patrullimit në zonat kufitare, si dhe presion diplomatik mbi Serbinë që të ndalojë mbështetjen për grupet e armatosura”, përfundoi Fatjon Softa për “Portali Realiteti”.
Elezi: Kosova me të vërtetë është në një situatë apo sfidë serioze
Kurse, edhe eksperti i sigurisë, Bedri Elezi gjetjen e detonatorëve e cilësoi si shumë serioze, derisa tha se ky rast kërkon trajtim të duhur.
Ai në prononcimin e tij dhënë “Portali Realiteti”, tha se me këtë rast Kosova është në një situate serioze dhe e ekspozuar para një rreziku.
“Deklarimet e ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla në lidhje me sigurinë, në veçanti në veri të Kosovës dhe veçanërisht për rastin ku tha se Policia e Kosovës në bashkëpunim me KFOR-in kanë gjetur disa detonatorët, të cilët dyshohen se mund të përdoren për sulme të mundshme terroriste është një deklaratë që vërtetë kërkon trajtimin e duhur.
Nëse vërtetë qëndrojnë këto deklarata, atëherë Kosova me të vërtetë është në një situatë apo sfidë serioze dhe e ekspozuar seriozisht dhe realisht para një situate josigurie”.
Krahas kësaj, tha se ky rast dëshmon se është e domosdoshme koordinimi i institucioneve tona me ndërkombëtarët.
“Ky rast dhe shumë raste të tjera, tregojnë që në Kosovë është shumë e nevojshme të merren masa konkrete për ta sfiduar josigurinë, duke u nisur nga fakti se kemi nevojë të organizojmë plane konkrete operative, si dhe kemi nevojë të bashkërendojmë aktivitetet e institucioneve tona të sigurisë me ato ndërkombëtare”.
Në fund, eksperti potencoi se Kosova është e sfiduar sa i përket aspektit të sigurisë.
“Ne jemi realisht të sfiduar sa i përket sigurisë dhe këtë e ka konfirmuar vetë NATO, institucionet e Kosovës, si dhe përfaqësues të lartë të shteteve të ndryshme. Por, në fakt Kosova nuk është që ka marrë vendime konkrete për ta vërtetu këtë që e ka thënë ministri Sveçla”, përmbylli Bedri Elezi për “Portalin Realiteti”.
