TË FUNDIT

Zhvillimet në prapaskenë/ Posti i Presidentit, pjesë e marrëveshjes për qeverinë e re?

Zhvillimet politike në vend kanë hyrë në një fazë të re vendimtare, pasi Glauk Konjufca, mandatar për formimin e Qeverisë së re, ka intensifikuar takimet me partitë parlamentare për të siguruar shumicën e nevojshme.

Burime nga skena politike bëjnë të ditur se, ndonëse Konjufca ka siguruar një bllok të qëndrueshëm të votave brenda subjektit të tij, negociatat me opozitën po zhvillohen nën një dinamikë të re – përfshirjen e postit të Presidentit në paketën e marrëveshjes së koalicionit.

Glauk Konjufca, pas takimeve të mbajtura gjatë ditës së djeshme, ka deklaruar se është i hapur për “çdo opsion që sjell stabilitet dhe funksionalitet të institucioneve”, duke mos e mohuar as mundësinë që posti i Presidentit të jetë pjesë e diskutimeve “nëse kjo e ndihmon vendin të dalë nga bllokada aktuale”.

E analisti politik Blerim Burjani, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka deklaruar se skena politike po shkon drejt një epilogu të qartë: nuk do të ketë qeveri të re, por zgjedhje të parakohshme.

Sipas tij, të gjitha zhvillimet e ditëve të fundit tregojnë se mungon vullneti dhe kapaciteti për të ndërtuar një shumicë të qëndrueshme parlamentare.

Burjani thotë se pazaret për postin e Presidentit janë çështje që do t’u takojnë vetëm partive që do të formojnë qeverinë pas zgjedhjeve të reja, duke nënvizuar se aktualisht nuk ka asnjë gjasë reale që vendi të marrë president të ri.

“S’ka qeveri të re, ka zgjedhje – kjo dihet. Pazaret për president janë në duart e një koalicioni të ardhshëm. Ata që bëjnë qeverinë, ata do të merren vesh. Gjasat për të pasur president tani janë zero,” ka theksuar Burjani.

Ai thotë se e ardhmja mbetet e paqartë dhe komplekse, por një gjë është e sigurt: modeli aktual i zgjedhjes së Presidentit ka dështuar. Sipas tij, çdo president i zgjedhur nga partitë është i destinuar të mbetet i varur politikisht.

“Presidenti duhet të zgjidhet nga populli, drejtpërdrejt. Duhet të hiqet nga rendi i ditës zgjedhja e një presidenti partiak. Koalicioni i ardhshëm duhet të bëjë ndryshimet kushtetuese – përndryshe qytetarët nuk do të kenë asnjëherë president të pavarur.”

Burjani shton se pavarësisht se cili person mund të zgjidhet në të ardhmen, vetëm një zgjedhje direkte nga qytetarët garanton pavarësi institucionale.

“Një president i pavarur i zgjedhur nga populli – pa marrë parasysh kush është – është i vetmi model që i jep kredibilitet institucionit. Një president partiak e gënjen popullin; ai nuk mund të jetë apolitik, edhe nëse jep dorëheqje nga posti i tij politik. Ai gjithmonë mbetet i varur”, përfundon analisti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *